“Lufta” me aeroplanët prej letre

1
344

Pasi mori në duar letrën e bardhë të formatit A4, Dren Shala e dinte se si do ta paloste për të formuar aeroplanin e tij, me të cilin do të paraqitej në garën “Red Bull Paper Wings”.

Pasi e formoi, 19-vjeçari ishte i gatshëm për ta lëshuar në ditën e katërt të kualifikimeve të kësaj gare, që këtë herë po mbahej në palestrën e Fakultetit të Edukimit Fizik në Prishtinë. Në fund të kualifikimeve, doli që aeroplani i Shalës bëri distancën më të gjatë, duke ia mundësuar atij që të kualifikohej në finalen kombëtare, që do të mbahet më 30 mars në po të njëjtin vend.

Aeroplani i tij prej letre përshkoi distancën prej 28.61 metrave dhe Shala mbeti jo vetëm i lumtur, por i befasuar me këtë arritje, shkruan sot “Koha Ditore”. Shala në finalen kombëtare do të paraqitet në dy disiplina. Para kualifikimeve të mbajtura në kategorinë e distancës, kishte triumfuar edhe në kategorinë e qëndrimit më të gjatë të aeroplanit në ajër.

Në ditën e parë, kategoria e qëndrimit në ajër ishte mbajtur në Kolegjin AAB, kurse aeroplani i Shalës kishte qëndruar 6.32 sekonda. Për të dyja këto kategori, Shala kishte përdorur aeroplanë të ndryshëm, të cilët ishte mësuar t’i formonte kur ishte fëmijë dhe luante nëpër shtëpi duke i lëshuar që të fluturonin.

“Aeroplanin e letrës e kam mësuar ta formoj qysh kur kam qenë fëmijë dhe personi i parë që më ka ndihmuar për këtë është babai im. Këtë lloj aeroplani e kam përdorur në kategorinë e distancës për shkak se krahët i ka më të mbyllur”, shpjegon Shala. “Ndërsa, aeroplanin për të qëndruar më shumë në ajër e kam mësuar ta formoj nga burri i tezes, pasi duhet të ketë krahët më të gjerë. Pra, këta dy aeroplanë i kam përdorur në këtë garë dhe më kanë siguruar futjen në finalen e madhe”.

Rregulla strikte

Në finalen mbarëkombëtare, Shala do të paraqitet në të dy këto kategori. Krahas tij, do të garojnë edhe gjashtë pjesëmarrës të tjerë, që dolën më të mirët gjatë katër ditëve të kualifikimeve. Në fund, tre më të mirët do të udhëtojnë në Salzburg të Austrisë për ta përfaqësuar Kosovën në mesin e 80 shteteve të tjera në finalen botërore të “Red Bull Paper Wings”, që do të mbahet në periudhën 16-19 maj.

“Jam i mahnitur se si dy aeroplanë me të cilët kam luajtur nganjëherë si fëmijë më mundësuan finalen dhe ndoshta njëri prej tyre do të më dërgoj edhe në Salzburg për ta prezantuar Kosovën”, thotë Shala, i cili për herë të parë mori pjesë në një garë të tillë.

Në të vërtetë, kjo është hera e katërt që në Kosovë mbahet një garë e tillë. Për herë të parë është mbajtur në vitin 2009, për të vazhduar pastaj në vitet 2012 dhe 2015. Garat e aeroplanëve prej letrës organizohen çdo tre vjet, por në Kosovë në pamundësi për ta mbajtur vitin e shkuar, e kanë shtyrë për këtë vit. Rregullat për këtë garë janë strikte, pasi kryesisht është garë për studentë. Garuesit është dashur javë më parë të regjistrohen online derisa gjatë garës kanë pasur dy herë mundësi ta lëshonin aeroplanin. Aeroplanin është dashur ta formonin nga letra A4, që ua ka dhënë organizatori. Ai duhet të krijohet vetëm nëpërmjet palosjes. Letra ka peshën e caktuar dhe gara duhet të mbahet në një vend ku nuk ka erë dhe ku nuk funksionojnë ventilatorët.

Pra, ata vetëm me palosje është dashur ta formonin aeroplanin prej letre, pa modifikime shtesë, siç është përdorimi i ngjitësit, prerja apo gjërat e tjera. Ata është dashur të lëshonin aeroplanin, i cili pasi ka bërë distancën, është matur në mënyrë laserike. Kjo garë përbëhet prej tri kategorive, përfshirë këtu edhe atë të akrobacionit, e cila ende nuk ka përfunduar. Në këtë kategori, garuesit dërgojnë xhirimet e tyre “online” dhe kanë në dispozicion 60 sekonda për të treguar akrobacionet që i ka bërë aeroplani i tyre prej letre, që gjithashtu nuk guxon të jetë i modifikuar. Në fund, juria e përbërë zgjedh më të mirin, i cili do t’u bashkohet fituesve të dy kategorive të tjera për pjesëmarrje në Austri.

Interesimi i madh dhe pjesëmarrja rekorde

Pos pjesëmarrëseve, interesimi ka qenë i madh edhe te spektatorët për ta përcjellë këtë garë të veçantë. Organizatorët ishin kujdesur që gjithçka të dukej sikur në aeroplan, pasi vajzat dhe djemtë që kanë asistuar te garuesit ishin me uniforma pilotësh, përkatësisht stjuardesave. Në edicionin e katërt, edhe pjesëmarrja ishte rekorde, pasi u paraqitën mbi 200 garues që treguan aftësitë e tyre me aeroplanët prej letre gjatë katër ditëve të kualifikimeve. Këtë herë pati edhe shumë femra pjesëmarrëse.

“Kjo do të thotë se gara me aeroplanë prej letre është pritur mirë jo vetëm nga publiku, por edhe garuesit, ndonëse në fillim nuk ishim të sigurt se mund të ketë një sukses kaq të madh. Jemi të kënaqur me çdo aspekt dhe tash presim tre fituesit e finales kombëtare për ta përfaqësuar Kosovën në Austri”, ka thënë Laurenta Rexhepi, përgjegjëse e zyrës së marketingut të Red Bullit për Kosovë. “Kjo është njëra prej garave më atraktive dhe me pjesëmarrjen më të madhe që organizohet nga ‘Red Bulli’ në të gjithë botën. Kryesisht organizohet për studentët, kurse në Kosovë këtë vit ishin rreth 200 pjesëmarrës, që do të thotë se interesimi për këtë garë po rritet vazhdimisht”.

Në finalen kombëtare, për tri vende në Austri, do t’i testojnë sërish aeroplanët e tyre – Dren Shala që ka triumfuar në dy kategori, pastaj Armend Kastrati, Dardan Hasani, Roland Pula, Albert Canolli e Ajet Basholli. Ky i fundit është fitues i dy garave paraprake “Red Bull Paper Wings” dhe jeton në Suedi.

1 Koment

Comments are closed.