Banka e Shqipërisë gjatë dy viteve në vijim do të përmirësojë mbikëqyrjen për cilësinë e kredisë që jepet për pasuritë e patundshme.
Në objektivat e punës të publikuara për dy vitet në vijim nga Banka Qendrore referohet se do të zhvillohen instrumentet që lidhen me rreziqet sektoriale, duke përfshirë ata të huadhënies për zhvillimin ose blerjen e pasurive të paluajtshme. Instrumentet e reja të vlerësimit të rreziqeve për kredinë në sektorin e ndërtimit do të jetësohen në vitin 2020.
Gjatë dy viteve në vijim Banka e Shqipërisë do të forcojë më tej monitorimin e rreziqeve që i vijnë sektorit bankar nga ekonomia reale. Deri në fund të këtij viti do të finalizohet lista e treguesve të paralajmërimit të hershëm.
Banka e Shqipërisë do të plotësojë kuadrin e procedurave për raportimin e të dhënave që mundësojnë llogaritjen dhe zbatimin e instrumenteve të tilla si vlera e huasë, vlera e kolateralit, vlera e (shërbimit të) huasë/të ardhurat.
Në fokus është ndërtimi i modeleve që vlerësojnë mundësinë e përhapjes së rrezikut midis institucioneve financiare banka dhe jobanka. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë referon se do do të bashkëpunohet me institucionet financiare ndërkombëtare apo njësi të tjera të specializuara në dhënien e asistencës teknike profesionale.
Kredia për ndërtim në tkurrje
Bankat kanë qenë të kujdesshme me kredinë për ndërtim tre vutët e fundit. Stoku i huasë për ndërtim në janar 2019, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë ishte 47 miliardë lekë, nga 48.4 miliardë lekë në shtator të vitit 2016. Huaja për sektorin e ndërtimit zë rreth 15% të kredisë dhënë për sipërmarrjet në vend.
Bankierët pohojnë se shumica e bankave janë tërhequr nga kreditimi, edhe për shkak se sistemi bankar është përfshirë tashmë në një proces ristrukturimi shitje e blerjesh. Ato kreditojnë kryesisht klientë ekzistues me CV të mirë, që kanë kaluar me sukses dy apo tre projekte, si dhe kanë vendndodhje të mirë, apo janë të diversifikuara dhe në aktivitete të tjera.
Ndërkohë një valë ndërtimesh ka përfshirë kryesisht kryeqytetin, ndërsa çmimet e apartamenteve janë në rritje të vazhdueshme. http://www.monitor.al/cmimet-e-apartamenteve-ne-tirane-po-arrijne-nivelin-e-4000-euro-m2-me-te-shtrenjtat-ne-rajon/
Vetëm në 2018-n janë dhënë në kryeqytet 388 leje, për një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 940 mijë metra katrorë, me një rritje prej 80% në raport me vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT).
E ngjeshur do të jetë dhe zona e qendrës së kryeqytetit, ku apartamentet do të shiten duke filluar nga 2,000-2500 euro për metër katror dhe zyrat mbi 2500-5000 euro/m². Sipas agjencisë Colliers International Albania, që vepron në industrinë e shërbimeve të pasurive të paluajtshme, sipërfaqja totale e parashikuar të ndërtohet gjatë 5 viteve të ardhshme (duke supozuar ecuri normale të ndërtimit) në zonat qendrore të Tiranës (projekte të një shkalle të caktuar) është vlerësuar të jetë rreth 538,000 m².
Ekspertët i tremben këtij fluksi ndërtimesh, përballë një fuqie të dobët blerëse çka sipas tyre mund të rrezikojë një flluskë në të ardhmen.
Gjithsesi, vetë bankat nuk e shohin me shumë optimizëm rendjen e sipërmarrësve drejt ndërtimit dhe as nuk janë shumë aktive në financimin e këtij sektori. Huaja e re e dhënë për sektorin e ndërtimit në total në vitin 2018, po sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë ishte rreth 25 miliardë lekë, ose rreth 200 milionë euro, me rënie prej 7% me bazë vjetore në raport me 2017-n. Bankierët pohojnë se më pak se gjysma e saj mund të shkojë për ndërtime rezidenciale, pasi pjesa tjetër shkon për projekte infrastrukturore.
Ndërtimi shihet si një sektor me risk, edhe për shkak të historikut në të kaluarën. Ndërtimi ka qenë historikisht një sektor problematik dhe deri në fund të vitit 2015, huaja e pakthyer në afat e ndërtuesve ishte sa 38.1% e totalit, sipas të dhënave të fundit të disponueshme të Bankës së Shqipërisë. Ndonëse pesha e huave me probleme ka rënë për shkak të fshirjeve, kjo bën që bankat të jenë shumë të kujdesshme me huanë e re.