BallinaRajoniVeprimatja serbe, Kandiç: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi përmes zbardhjes së krimeve të...

Veprimatja serbe, Kandiç: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi përmes zbardhjes së krimeve të luftës

Veprimtarja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, tha në Prishtinë se një nga përparësitë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të jetë bashkëpunimi në procesin e zbardhjes së krimeve të luftës.

Ajo i bëri këto komente gjatë një debati të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ku u publikuan vendimet e gjykatave gjatë vitit 2018 lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Zonja Kandiç e cila drejton Fondin për të Drejtën humanitare me seli në Beograd tha se zbardhja e krimeve të luftës dhe dënimi i tyre është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë.

“Një nga përparësitë në normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës është krijimi i bashkëpunimit fillimisht në procesin e krimeve të luftës. Kjo është kaq e rëndësishme për viktimat dhe kjo çështje duhet të jetë, të themi jashtë një kornize politike, kjo është çështja që kërkon drejtësi, kjo është çështje që kërkon vendosjen e sundimit të ligjit”,tha ajo duke nënvizuar se mbetet e pakënaqur me procesin për zbardhjen e krimeve të luftës.

Anka Kurteshi Hajdari nga Fondi për të drejtën humanitare tha se edhe pas bartjes së kompetencave ekzekutive nga misionet ndërkombëtare tek institucionet vendase, çështja e gjykimeve ndaj krimeve të luftës mbetet e ulët.

“Gjatë vitit 2018 janë ngritur dy aktakuza për krime lufte kundër popullsisë civile, njëra nga ana e prokurorit ndërkombëtar dhe e dyta nga prokurorja e zyrës së prokurorisë së posaçme të Kosovës. Në të njejtën periudhë jaanë shqiptuar edhe katër aktgjykime të shkallës së parë në procedurat për krime lufte të filluara gjatë viteve më të hershme”,tha zonja Kurteshi Hajdari.

Altin Ademi nga ministria e Drejtësisë, tha se institucionet janë duke i përmirësuar ligjet që do të mundësonin rritjen e efikasitetit për të gjykuar të gjitha krimet e kryera në Kosovë.

“E kemi shtruar me projekt Kodin e procedurës penale i cili sot është në procedurat e parlametit për miratim, ku është shtuar koncepti i gjykimit në mungesë i cili pritet të rrisë efikasitetin e trajtimit dhe ndarjes së drejtësisë për të gjithë ata që kanë bërë krime përgjithësisht përfshirë edhe krimet e luftës dhe të cilët për momentin ndoshta mund të shmangin përballjen me drejtësinë por nuk do të mund t’i shmangen pafundësisht pavarësisht kohës”,tha zoti Ademi.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare. VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular