BallinaPolitike"Opozita e re"/ Ish-drejtorë të dënuar, ngelës, të diplomuar te ‘Kristali’ dhe...

“Opozita e re”/ Ish-drejtorë të dënuar, ngelës, të diplomuar te ‘Kristali’ dhe ‘tregtarë flamujsh’ partiakë

Ylli Shehu, deputeti i LSI-së, e ka filluar shkollën e lartë për Ekonomi në vitin 2009 dhe ende nuk e ka mbaruar. Para kësaj ‘odiseje akademike’ ai ka studiuar në Universitetin e  preferuar të deputetëve shqiptarë, ‘Kristal’.

Lefter Maliqi ka ndërruar disa parti dhe tani e konsideron veten deputet të PD, edhe pse vjen direkt nga detyra e zv/drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, post që iu ofrua pas ndihmës për PS në zgjedhjet e shkuara.

Lista e ‘opozitës së re’ vijon e gjatë me deputetë që shkrujanë në CV-të e tyre se kanë 13 vite eksperiencë pune, por pa e specifikuar se për çfarë lloji bëhet fjalë. Të tjerë që regjistrojnë përfaqësimin e popullit në Parlament si punë të parë, apo ish-drejtorë profesionistë, në agjenci shtetërore të njohura si fole korrupsioni.

Politiko.al sjell listën e plotë të ‘grupit parlamentar rezervë’ të shumicës së majtë, me një profil të shkurtër për secilin.

Ylli Shehu

Ylli Shehu u zgjodh deputet për herë të parë në 2013-ën, nën siglën e Partisë Republikane, ndërsa pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, ai kaloi me LSI-në. Më pas në zgjedhjet e 2017-ës, u rendit në listën e kandidatëve për deputetë të LSI-së në qarkun e Tiranës. Edmond Rrushi po i lSI është proceduar penalisht për abuzime financaire kur ishte drejtor i QSUT.

“Nuk mund të tradhtoj votuesit e mi. Do jem në opozitë me qeverinë. Nuk mund të quhem tradhtar, sepse nuk i tradhtoj votuesit e mi që më besuan në 2013 dhe 2017”, tha Shehu në shkurt 2019, ndërsa pranoi mandatin e deputetit, kundër vendimit të opozitës për të djegur mandatet.

Në rrjetet sociale nuk ishin të pakta batutat me deputetin e ri i cili përdori format besutën dhe mësutën për fjalët besuan dhe mësuan.

Mazhoranca në Kuvend e akomodoi Shehun duke e bërë anëtar të Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.

Ai është 38 vjeç dhe sipas CV-së zyrtare, në vitin 2009 ka qenë student në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, ndërsa më herët ka studiuar në Universitetin “Kristal”.

Ai u zgjodh fillimisht deputet i Partisë Republikane në vitin 2013, pasi kishte punuar më herët si jurist në Prefekturën Kukës, këshilltar i kryetarit demokrat të Bashkisë Kamëz, kryetar i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Tiranë dhe Këshilltar i Ministrit të Mjedisit kur Fatmir Mediu ishte ministër.

Ai kaloi në radhët e LSI-së menjëherë sapo Mediu doli në opozitë në vitin 2013, ndërsa u shpall “tradhëtar” nga LSI, pasi mori mandatin e deputetit.

Shehu deklaroi fillimisht se nuk kishte të shkuar penale në formularin e parë të vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës. Ai u bë një nga 12 politikanët që ndryshoi formularin për të deklaruar dënimet për kontrabandë, falsifikim të dokumenteve dhe falsifikim të vulave, stampave ose formularëve.

Enver Roshi

Enver Roshi është deputeti i ri i qarkut të Elbasanit. Roshi renditej në listën e kandidatëve të LSI-së për Elbasanin. Ai ka mbajtur më parë detyrën e drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, si dhe të dekanit në Fakultetin e Mjekësisë.

Pas caktimimit të detyrave në Komisionet Parlamentare, deputeti Enver Roshi është pocizionuar si anëtar në komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë dhe në komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Roshi është i diplomuar në Mjekësi dhe ka qenë pedagog në Universitetin e Mjekësisë deri në vitin 2016, kur u bë shef i Departamentit të Shëndetit Publik.

Edmond Rrushi

Edmond Rrushi, me profesion jurist, është tashmë deputet në qarkun e Tiranës, nën siglën e LSI-së, duke zëvendësuar deputetin e dorëhequr Endrit Brahimllari. Rrushi më herët ka mbajtur postin e drejtorit të QSUT-së.

Edmond Rrushi nuk është një emër i panjohur nëse kthehemi vetëm disa vite pas. Në 2014-ën ai kallëzohet në prokurori si ish-drejtori i QSUT-së, bashkë me 4 titullarë të tjerë të këtij institucioni.

Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaronte se 5 zyrtarët në QSUT kanë keqmenaxhuar fonde në vlerën 560 mijë dollarë duke shkaktuar dëm ekonomik në masën 350 mijë dollarë. Auditi i kryer ka konstatuar disa shkelje mes të cilave 54 procedura prokurimi pa tender.

KLSH nënvizonte po ashtu se gjatë zbatimit të procedurës së prokurimit për “Mirëmbajtjen dhe riparimin e 1 rezonance manjetike dhe 3 skanerave” janë kryer veprime të kundërligjshme, si pasojë e të cilave është prishur qëllimisht kontrata ekzistuese për mirëmbajtjen dhe riparimin e skanerit që QSUT kishte me një subjekt privat dhe është lidhur jashtë procedurave ligjore kontrata me një subjekt tjetër privat.

Edmond Rrushi ka qenë avokat i lirë deri në vitin 2012, kur u bë zv.drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, ALUIZNI.

Vetëm katër muaj më vonë ai u bë drejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe vetëm shtatë muaj më vonë, në tetor 2013, u bë drejtor i një prej departamenteve të Postës Shqiptare, e cila në atë kohë, drejtohej nga Majlind Lazimi i LSI.

Në vitin 2014 ai u bë kryeinspektor i zonës së Tiranës në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, një strukturë e krijuar rishtazh atë vit në kohën kur Ministria e Mjedisit drejtohej nga Lefter Koka i LSI-së.

Pas caktimit të detyrave në Komisionet Parlamentare, deputeti Edmond Rrushi është caktuar anëtar në komisionin për Ekonominë dhe Financat dhe në komisionin për Sigurinë Kombëtare.

Aurora Mara

Aurora Mara zëvendësoi në Kuvend deputetin Përparim Spahiu në qarkun e Dibrës, nga radhët e LSI-së. Më herët, ka mbajtur detyrën e përgjegjëses së sektorit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Pas caktimit të detyrave në Komisionet Parlamentare, deputetja Aurora Mara caktohet anëtare në komisionin për Integrimin Europian dhe në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Sipas CV-së së saj zyrtare, ajo është 41 vjeçe dhe ka studiuar në Itali. Ka punuar si shefe e sektorit të shpronësimeve në Ministrinë e Transportit në periudhën 2014-2017, kohë kur ministër ishte Edmond Haxhinasto i LSI.

Elda Hoti

Elda Hoti është deputetja e re 27-vjeçare, e cila është betuar në Parlament, duke marrë mandatin e Viktor Tushajt në Lezhë. Në rrjetet sociale, shihet edhe afrimiteti që ajo ka me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.

“Thjeshtësia që e karakterizon Monika Kryemadhin, është për t’u admiruar dhe marrë shembull nga të gjithë në! Fjalët janë të tepërta, për këtë zonjë të nderuar! Faleminderit për mundësitë dhe besimin që na jepni ne të rinjve”, shkruante Hoti për gruan që e ka admiruar për shumë kohë.

Tashmë Elda ka marrë përsipër që të bëhet pjesë e Parlamentit, pavarësisht se kjo shkon kundër ‘këshillave të mikeshës’ së saj, Monika Kryemadhi. Kujtojmë se Kryemadhi i ka quajtur ‘tradhtarë’ të gjithë kandidatët që devijuan nga vendimi për të mos pasur përfaqësi të opozitës në Parlament.

Erdiola Braha

Nga listat e LSI-së, Erdiona Braha zëvendëson Vangjel Tavon në qarkun e Gjirokastrës. Braha është kryetarja e LSI-së në Tepelenë. Ajo ishte e dyta në listën e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Gjirokastrës dhe ka marrë mandatin e deputetes pas dorëheqjes së Vangjel Tavos.

Braha ka kryer studimet për ‘Menaxhim Biznesi’ përgjatë viteve 2003-2010, në Universitetin “Kristal”. Krahas  kësaj, ajo ka kryer edhe studimet e larta për Anglisht në  Universitetin “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës përgjatë viteve 1996-2001.

Eksperienca të mëparshme të punës ajo ka në mësimdhënien e gjuhës angleze në shkollën e mesme në Levan. Braha ka dhënë  mësim gjithashtu si pedagoge e jashtme në Universitetin “Kristal” në Përmet. Braha ka qenë edhe drejtoreshë e Drejtorisë Spitalore Tepelenë, deri në vitin 2017, dhe u shkarkua nga kjo detyrë pas fitores së zgjedhjeve nga PS.

Edlira Hyseni

Nga listat shumemërore të LSI-së në Durrës, Edlira Hyseni ka marrë mandatin e deputetes, duke zëvendësuar Nora Malajn. Ajo ka qenë e listuar e 6-ta në Qarkun e Durrësit. Hyseni është anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit.

Ajo ka mbaruar studimet e larta për “Economia Aziendale” në Firence të Italisë. Krahas kësaj,  ka kryer studimet edhe në Universitetin e Tiranës në degën “Administrim  Biznesi”. Edlira Hyseni ka punuar si eksperte kontabël nga viti 2010 e në vazhdim në studio private.

Lefter Maliqi

Lefter Maliqi është një nga deputetët e rinj që u betuan në Parlament, duke marrë mandatin e Astrit Veliajt në Berat. Pas betimit ai ngriti edhe dy gishat lart, si simboli i demokratëve. Maliqi është armiqësuar prej kohësh me partinë e tij dhe u emërua zëvendësdrejtor burgjesh nga qeveria “Rama” pasi i ndihmoi socialistët në fushatën elektorale të vitit 2017. Ai ka deklaruar se në Parlament do të jetë “opozitar i arsyeshëm” me qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Pas betimit, ai mori fjalën për procedurë. Ndonëse theu rregulloren e parashikuar për një fjalim prej tre minutash, Maliqi iu drejtua demokratëve, duke u bërë thirrje që të ndryshojnë lidership.

Lefter Maliqi, i shumëpërfolur për kalimet nga e majta në të djathtë, duket se harroi për një moment kohën kur doli krah PS, dhe bëri fushatë me Edi Ramën në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.

Maliqi ka qenë brenda pak vitesh përfaqësues i të tri partive kryesore në vend, fillimisht me LSI, më pas me PD. Pasi renditej i treti në listat e demokratëve për Beratin, ai doli përkrah PS, duke u kërkuar mbështetësve të votonin kandidatët e propozuar nga Rama.

“Politika ka nevojë për mua dhe ata njerëz që unë t’i mbështes. Le të jetë kryeministër Edi Rama, unë kam një natyrë që nuk i shitem qeveritarëve, jo vetëm ballë për ballë në parlament, por duhet të mbajnë premtimet që dhanë në elektorat kur erdhën. Ky është parimi im. Kam qenë me LSI, më pas dola i pavarur se nuk u vlerësova. Kur kalova me PD, Berishën e kam pritur me këngë e valle”, u shpreh Maliqi pasi pranoi të merrte mandatin.

Kujtojmë se gazeta zyrtare e Partisë Demokratike, Rilindja Demokratike, publikoi më 31 maj 2017, një artikull ku pretendonte se ish-kandidatit demokrat në Berat, Lefter Maliqi, i janë dhënë 300 mijë euro për t’u bashkuar me PS-në.

Sipas RD, për këtë ndërmjetësim ishte përdorur kryebashkiakja e Urës Vajgurore. Ajo është Juliana Memaj e cila, shkruan kjo gazetë, ka ndërmjetësuar takimin e Maliqit me Blendi Klosin, ku më pas i është ofruar shuma e madhe e parave.

Video Player

Majlinda Halilaj

Nga listat shumëemërore të PD, Majlinda Halilaj merr mandatin e deputetes, duke zëvendësuar Lulzim Bashën në Tiranë. Halilaj fillimisht kishte nënshkruar se nuk do ta pranonte mandatin e deputetes, por ndërroi mendje duke dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ dhe duke u bërë kështu pjesë e Kuvendit.

Ajo ka mbaruar arsimin e lartë dhe ka 13 vite eksperiencë pune, por pa specifikuar se çfarë eksperience. Halilaj në CV shkruan se që nga vitit 2005 është anëtare e Partisë Reformatore të Shqipërisë.

Ligoraq Karamelo

Klevis Balliu është zëvendësuar nga Ligoraq Karamelo që ndodhej në listë nën logon e PBDNJ. Karamelo është shprehur se mandati iu takon atyre që kanë dhënë kontribut.

“Mandati i takon atyre që kanë dhënë kontribut. Jam i detyruar të pranoj mandatin për qytetarët. Me Dulen nuk jam dakord për dorëzimin e mandatit. Nuk duhet të braktiset parlamenti. Nga pozicioni që ka Dule, e justifikoj veprimin e tij. Në kushte të tjera Dule do të vepronte si unë”, u shpreh ai në momentin e lajmërimit të pranimit të mandatit.

Sa i përket protestave të opozitës, Karamelo theksoi se tubimet dëmtojnë të ardhmen europiane të vendit, duke anashkaluar kështu gjendjen ku ndodhet vendi.

“Jam për protesta paqësore, por protesta për hir të tendencave apo kërkesave që shkojnë tej kushteve në të cilat aspiron vendi, unë nuk jam dakord”, thekson Karamelo.

Karamelo është edhe kryetar i organizatës ‘OMONIA’, e cila shprehet se veprimi i tij për marrjen e mandatit është tërësisht individual dhe sqaron se për këtë nuk pati dhe nuk ka asnjë dakordësi nga ana e organeve institucionale të organizatës.

“Heqja dorë nga mandatet parlamentare të anëtarëve të Kuvendit të opozitës, përbën me të vërtetë një akt politik tejet serioz, por ndërkaq, adekuat me synim rehabilitimin e rendit politik  dhe funksionimit normal të procesit të demokracisë në vend”, thekson OMONIA.

Karamelo ka mbaruar arsimin e  lartë dhe në vitin 2009 ka qenë sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punës. Nga viti 2010 deri në 2011 ka qenë Drejtor i Drejtorisë Bërthamore në AKBN.

Alban Zeneli

Alban Zeneli është deputet nga lista e Partisë Demokratike në Kukës dhe mori mandatin e Flamur Nokës. Vendimi i tij ishte surprizues, pasi në protestën e 6 marsit para Parlamentit, ai u ngrit në podium dhe tha se mandati nuk është personal, por është i qytetarëve.

“Edi Rama, Qarkut të Kukësit  i solli vetëm mjerim, varfëri dhe emigrim”. Mandati nuk është i yni, por i qytetarëve të Kukësit, Tropojës, Hasit, qytetarëve që votuan PD-në”, tha Zeneli.

Ndërkohë, paraditen e 11 marsit ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ, për të marrë mandatin e ish-deputetit Flamur Noka.

Gjatë qeverisjes së PD, Alban Zeneli ka mbajtur detyrën e zv.drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak dhe këshilltarit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imamit. Gjatë viteve 2013-2017, ai është zgjedhur deputet i qarkut të Kukësit.

Në formularin e dekriminalizimit, Zeneli pranon se është dënuar dy herë me vendime gjyqësore të formës së prerë. Në gusht të 1992 është dënuar me 6 muaj heqje lirie për shkak të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.

Zeneli është dënuar edhe në vitin 1996 me 30 mijë lekë gjobë, për veprën penale të kundërshtimit të punonjësve të Policisë dhe prishje të qetësisë publike.

Ralf Gjoni

Ralf Gjoni është kandidati i 8-të në radhët e LSI-së që ka pranuar mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, duke dorëzuar formularin e dekriminalizimit. Ai është betuar edhe në Kuvend, duke marrë zyrtarisht mandatin e deputetit.

Kandidati i listës shumemërore të LSI-së për kryeqytetin, ka qenë sekretar ndërkombëtar i LSI-së dhe zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, sikurse edhe këshilltar për politikën e Jashtme pranë kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

“Po! Konfirmoj se sot kam dorëzuar pranë KQZ-së formularin e vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të kandidatit dhe, në varësi të vendimit të KQZ-së, kam vendosur pranimin e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, sipas ligjit dhe në funksion të Kushtetutës.

Ky ka qenë ndoshta vendimi më i vështirë politik në jetën time dhe pas një konsultimi të gjerë e të gjatë me familjen time, miq të afërt e kolegë brenda e jashtë vendit, si dhe me votues e aktivistë të shumtë që më kanë mbështetur gjatë fushatës elektorale, kam vendosur të vazhdoj shërbimin tim ndaj agjendës euroatlantike të vendit, e të jem në krahun e drejtë të historisë”, tha Gjoni, për të lajmëruar kështu vendimin e tij për të marrë mandatin.

Gjoni njihet si një ndër drejtuesit e Lëvizjes “Mjaft” në Shqipëri, por në vitin 2009 u bashkua me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Nga viti 2012, Ralf Gjoni ka ushtruar rolin e ish-sekretarit Ndërkombëtar i LSI-së, duke e mbajtur këtë pozicion për pesë vite dhe është larguar duke dhënë dorëheqjen.

Gjoni njihet si një ndër njerëzit më të afërt të Ilir Metës, në kohën kur ky i fundit drejtonte partinë. Nga viti 2013 deri në vitin 2017, ai ka qenë këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë i Ilir Metës, i cili në atë periudhë mbanë postin e kreut të Kuvendit.

Nimet Musaj

Nimet Musaj është kandidati i LSI-së në qarkun e Fierit, i cili ka marrë zyrtarisht mandatin e deputetit në Kuvend, duke zëvendësuar Petrit Vasilin.

Ai ishte i katërti në listën e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Fier, dhe është bërë pjesë e ‘opozitës së re’ në Kuvend, kundër vendimit të partisë për djegien e mandateve.

Musaj është vënë re gjatë kohëve të fundit përkrah Monika Kryemadhit në aktivitetet e fundit, konkretisht më 3 mars në Roskovec.

Nimet Musaj është bashkuar me LSI-në në vitin 2015. Ai fillimisht ka qenë anëtar i partisë çame (PDI). Në CV ai shkruan se nga viti 2007 deri në vitin 2011 ka qenë kryetar i Grupit të Këshilltarëve të PDI-së në Patos të Fierit.

Në vitin 2009 ka kandiduar për herë të parë për deputet me Partinë Drejtësi dhe Integrim që në atë kohë drejtohej nga Tahir Muhedini. Në atë kohë PDI nuk ishte e bashkuar me PDU-në e drejtuar nga Shpëtim Idrizi. Në vitin 2011 nga shkrirja e dy partive u krijua PDIU.

Në vitin 2013, Musaj ka kandiduar për deputet me Aleancën Popullore, partia “rivale” e çamëve. Kjo forcë politike ishte në koalicion me PS-në.

Në vitin 2011-2015 ai është rikthyer prapë tek PDIU ku ka ushtruar rolin e kryetarit të Grupit të Këshilltarëve në Bashkinë Fier.

Musaj është edhe administrator i një shoqërie për fabrikimin e këpucëve. Nga viti 1995 deri në vitin 2000, ka qenë aksioner i lojërave të fatit “Bingo”.

Enada Koçiraj

Enada Koçiraj, më 19 mars iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të dorëzuar formularin e dekriminalizimit, i cili është hapi ligjor që autorizon institucionin për t’i dhënë mandatin e deputetit. Ndërsa me 21 mars, ajo ka marrë zyrtarisht mandatin e deputetes, duke zëvendësuar Shezai Rrokajn.

Koçiraj ishte e treta në listën e LSI-së për Qarkun e Vlorës. Ajo vjen nga radhët Forumit rinor të LSI-së, ku mban postin e kryetares për Vlorën. Në CV-në e dorëzuar në KQZ për zgjedhjet e vitit 2017, theksohet se Koçiraj ka mbaruar studimet e ciklit 3-vjeçar në Universitetin e Tiranës në Fakultetin Juridik. Ajo ka shënuar se nuk ka eksperienca pune, duke e filluar karrierën e saj në borderonë shtetërore si deputete.

Arben Elezi

Arben Elezi, ndër radhët e Partisë Demokratike për Qarkun Elbasan, ka marrë zyrtarisht mandatin e deputetit në Kuvend. Elezi ka marrë mandatin e nënkryetarit të PD, Edmond Spaho.

Arben Elezi, fillimisht kishte firmosur që nuk do ta pranonte mandatin e deputetit, ndërsa surprizoi kur dorëzoi formularin e dekriminalizimit për të marrë mandatin e deputetit. Elezi ka qenë i pesti në listën e PD në Elbasan, ndërsa njihet si ish-mësues dhe ish-punonjës i tatimeve.

Pasi u bë zyrtarisht deputet në Kuvend, Elezi tha se ka marrë mandatin e një zone problematike si Elbasani dhe se nuk është dakord më listat e mbyllura të kryetarëve, pasi ata nuk shprehin  mendimin e qytetarëve.

“Listat e mbyllura të kryetarëve nuk shprehin mendimin e qytetareve. Do votoja për listat e hapura, apo edhe për sistemin maxhoritar” është shprehur deputeti, Elezi në ditën e parë të tij në Parlament. Ai ka shtuar se prej tij PD ka marrë shumë vota në Elbasan dhe më lista të hapura mund të kishte qenë ai fitues.

Adriatik Alimadhi

Adriatik Alimadhi, i gjashti në listën e PD-së për Vlorën në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit 2017, ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ, dhe është betuar në Kuvend duke marrë mandatin e deputetit. Alimadhi është edhe kryetar i Ballit Kombëtar në Vlorë.

Në një prononcim për median Alimadhi tha se kishte pranuar mandatin, pasi kështu kishte vendosur kryesia e partisë së tij dhe se Basha nuk ka zbatuar asnjë marrëveshje.

“Mandati i Ballit Kombëtar do të vihet në funksionim të plotë të kauzës së Mit’hat Frashërit dhe Shqipërisë etnike. Të gjitha marrëveshjet PD nuk i ka zbatuar ndaj Ballit Kombëtar dhe unë jam dëshmitar. Jam konsultuar me zotin Basha dhe personalisht jam në dispozicion të vendimit të kryesisë së partisë”, – tha Alimadhi për mediat, i cili në zgjedhjet e 2017-ës ka qenë në listat e kandidatëve të PD-së.

Ai u shpreh i lumtur që më në fund kamerat dhe mikrofonat po drejtoheshin te përfaqësuesi i Ballit Kombëtar, pas 15 vitesh.

“Mandati do të jenë në dispozicion të kauzës kombëtare. Ju falënderoj që pas 15 vitesh tregoni interes  për Ballin Kombëtar”, tha Alimadhi.

Ambra Borova

Shkodra do të ketë një tjetër deputete në Parlamentin shqiptar nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ambra Borova ka dorëzuar formularin e dekriminalizmit në KQZ, por në seancën plenare të 28 marsit nuk u paraqit në Kuvend për t’u betuar për të marrë mandatin e deputetes.

Mungesën e Borovës në Kuvend, në seancën e betimit, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, e ka justifikuar duke u shprehur se kishte arsyet e saj objektive, më madhore. Borova do të merrte vendin e lënë në Kuvend nga Agron Çela në Shkodër.

Borova u përfshi fillimisht në strukturat e Lëvizjes Rinore për Integrim për t’u bërë më pas anëtare e LSI-së. Ajo ka kryer studimet për Stomatologji, ndërkohë që është vajza e muzikantit të ndjerë, Luan Borova.

Ajo u rendit e 3-ta në listat e LSI-së në zgjedhjet e 2017-ës, ndërkohë që ka pranuar mandatin edhe pse në kundërshtim me vendimin e kësaj force politike.

Korab Lita

Korab Lita nga listat për deputetë të Partisë Demokratike ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ. I renditur si kandidati i 21-të në listën e PD në Tiranë për zgjedhjet e vitit 2017, Lita i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së KQZ për të marrë mandatin e deputetit. Lita do të jetë deputeti i 100-të i Kuvendit dhe do të zëvendësojë kreun e LZHK-së, Dashamir Shehin. Korab Lita ka mbajtur dy herë detyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës, e cila drejtohet nga kryebashkiaku i djathtë, Xhelal Mziu. Në profesion, Lita është ekonomist. Ai ka vendosur të mos respektojë vendimin e PD për të djegur mandatet. Loneta Progni/Politko.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular