BallinaAktualitetGjermania shuan shpresat për Shqipërinë: Dera e BE-së e mbyllur për pesë...

Gjermania shuan shpresat për Shqipërinë: Dera e BE-së e mbyllur për pesë vitet e ardhshme

Cilat janë programet e dy partive kryesore gjermane për zgjerimin e BE? Në intervistë me DW, Katrin Staffler, raportuese për Shqipërinë në Bundestag thotë se parimisht e shohim Shqipërinë në BE, nëse i plotëson kushtet.

Dy partitë e mëdha gjermane kanë bërë të njohur programet e tyre zgjedhore. Sa i përket Ballkanit Perëndimor që të dyja partitë janë të mendimit se ai e ka vendin në BE, kur t’i ketë plotësuar kushtet e duhura. Por ato kanë qëndrime të ndryshme, sa i përket shpejtësisë së integrimit:
Socialdemokratët, të cilët kanë zgjedhur si kandidatë kryesorë ministren aktuale të drejtësisë, Katarina Barley, dhe deputetin e Parlamentit Europian, Udo Bullmann, mendojnë se zgjerimi është një hap i nevojshëm për të ruajtur paqen, qendrueshmërinë dhe bashkëpunimin në rajon. Ata thonë se reformimi i brendshëm i Bashkimit Evropian, pra, konsolidimi, duhet të ndodhë paralelisht me zgjerimin. Dhe sa i përket Ballkanit Perëndimor konkretisht, ata vënë theksin te shteti i së drejtës dhe zhvillimi i demokracisë.

Konsolidimi para zgjerimit

Konservatorët, pra CDU/CSU, që si kandidat kryesor kanë kristiansocialin, Manfred Weber, e kanë formuluar pak më ndryshe paragrafin e zgjerimit: aty thuhet se thellimi vjen para zgjerimit, prandaj për pesëvjeçarin e ardhshëm dera e BE-së do të duhet të jetë e mbyllur për vende të reja. Ballkani Perëndimor shihet me perspektivë të qartë në BE, ndryshe nga Turqia, me të cilën konservatorët duan të lidhin vetëm një partneritet strategjik.

Konservatorët kërkojnë edhe rezultate më pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtu nuk do të bëjmë lëshime, thuhet në programin e tyre. Pra, anëtarësimi sipas tyre duhet të jetë i merituar, e jo thjesht si argument për të ruajtur paqen.

Një nga personat që do ta shoqërojë afrimin e Shqipërisë në BE këtej e tutje do të jetë Katrin Staffler, deputete e CSU-së. e cila prej fillimvitit është raportuesja e re e CDU/CSU-së në Komisionin e BE-së së Bundestagut. Politikania kristiansociale (CSU) e mori këtë post në dorëzim nga Thorten Frei (CDU), i cili pas kongresit të CDU-së në dhjetor të vitit të shkuar, u bë nënkryetar i grupit parlamentar CDU/CSU. Ky është grupi më i madh parlamentar në Bundestag. Staffler do ta bëjë vizitën e saj në Shqipëri në gjashtëmujorin e ardhshëm. Në intervistë me DW-në, ajo thotë se Gjermania nuk duhet të ndërhyjë në politikën e brendshme të Shqipërisë, çdo dialog duhet të kalojë nga BE.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular