Opozita ka thirrur ditën e nesërme pasdite protestën e tretë kombëtare. Çlirim Gjata i ftuar në RTV Ora sqaroi edhe arsyet e spostimit të orarit pasdite, pasi protestat e mëhershme janë mbajtur kryesisht paradite.
Çlirim Gjata: Protesta në orën 6 është lënë për shumë arsye por edhe për faktin se njerëzit janë në punë dhe ka qenë një kërkesë e tyre për të spostuar orarin.Është zgjatur dhe dita. Kemi zhvilluar 8 protesta për 7 javë.Nuk ka ndodhur ndonjëherë përjashto vitet ’90-’91. Nesër është protesta e tretë kombëtare dhe e nënta për 7 javë.
I pyetur se sa do të zgjasë protesta, ai pati këtë përgjigje:
Çlirim Gjata: Nuk mundesh me një urdhër dilni në këtë orë dhe ikni në atë orë, nuk është ushtri.Ka qenë ky administrim që na ka kushtëzuar të mbyllim protestat edhe pas 4-5 orësh.
E teksa moti nuk ka qenë shumë favorizues këto ditë, Gjata shpreh bindjen se edhe nëse do të ketë shi njerëzit do të dalin sërish në protestë.
Interesit të drejtores së Informacionit të RTV Ora, Beti Njuma, nëse organizatorët i kanë porositur protestuesit për të mos ushtruar akte dhune, Gjata iu përgjigj:
Çlirim Gjata: Asnjë nga protestuesit nesër nuk do të vjedhë 10 milion euro, prandaj policia të rrijë e qetë. Të shkojë të kapë ato 4-5 që vodhën 10 milion euro, pastaj të vijë të lyejë shtyllat me graso apo të filmojë protestuesit, apo të fusë Operacinalen që të kapë njerëz kot. Ja ku u duk forca e policisë, 10 milion euro për 5 minuta ja thanë xhepin shqiptarëve dhe bankave.