Policia e Elbasanit ka arrestuar dy mjekë pas vdekjes së 25-vjeçares Rexhina Debrova pak minuta pas lindjes. Sipas informacioneve të para janë arrestuar mjeku reanimator Nikollaq Thano si dhe mjeku kardiolog Mehmet Ibaj.
Ndonëse shkaqet e sakta të vdekjes së nënës së re do të mësohen pas autopsisë, nga spitali u tha se e reja pësoi komplikacion. Sipas spitalit, pacientja e cila do të bëhej nënë për herë të parë kishte shkuar me urgjencë në spital, me barrë të vonuar 42-javëshe dhe është futur në sallë. Mjekët asistuan lindjen e fëmijës, i cili erdhi në jetë në orën 11:50.
Por nëna e re dyshohet se pësoi komplikacion postoperator trombemboli pulmonare, e papajtueshme me jetën.
25-vjeçarja nga Katundi i Ri ndërroi jetë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë në maternitetin e Elbasanit, fatmirësisht foshnja gëzon shëndet të plotë.
Familjarët e 25-vjeçares, akuzojnë mjekët për pakujdesi. Sipas tyre, pas përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, gjinekologu ka kërkuar ndihmë nga kolegët e kardiologjisë sepse ka konstatuar probleme me zemrën. Familjarët pretendojnë se mjeku kardiolog ka mbërritur me vonesë.