Future is private”- “E ardhmja është private”. Kështu ka deklaruar Mark Zuckerberg. Themeluesi i Facebook, në konferencën vjetore të zhvilluesve të rrjetit social në San Jose, Kaliforni, ilustroi të rejat që në muajt e ardhshëm do të ketë platforma.
“E di që ne nuk kemi reputacionin më të mirë për privatësinë, por kemi filluar një kapitull të ri. Jam besimplotë sepse kemi treguar se ne dimë t’i japim përdoruesve produktet që duan”, tha ai.
Këto ndryshime janë përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kritikave të shumta për mënyrën se si Facebook mbron të dhënat e përdoruesit. Sipas Zuckerberg, çështja e privatësisë do të jetë në plan të parë me këto ndryshime.
Ndër risitë e Facebook: Messenger bëhet më i shpejtë dhe më i thjeshtë, Whatsapp prezanton historitë dhe një katalog komercial. Ndërsa për sa i përket Instagramit, Zuckerberg paralajmëroi një qendër tregtare. Jo vetëm kaq.
Facebook do të ndryshojë edhe pamjen: dizajn i thjeshtuar dhe më i pastër, më i bardhë dhe më pak blu. Platforma do të integrohet plotësisht me Whatsapp.
Të gjitha platformat do të jenë “të përqendruara tek privatësia”. Gjashtë parime që duhet të karakterizojnë të ardhmen e mediave sociale: kriptografi, ndërveprime private, reduktim i kohës në të cilën kompania ruan të dhënat, siguria, ndërveprimi (dmth. Dialogu midis aplikacioneve të grupit), siguria e të dhënave.
Facebook, ndryshimi i pamjes dhe risitë
Bluja “pothuajse është zhdukur”, thotë Zuckerberg. Mbetet vetëm në shkronjën “F”. Aplikacioni i ri do të fillojë të përhapet në ditët në vijim, ndërsa versioni desktop do të jetë i disponueshëm “në muajt e ardhshëm”. Grupet – njofton themeluesi i shoqërisë – do të jenë “aq të rëndësishme sa miqtë”.
Do të ketë një ‘wall’, mur të dedikuar (“një kanal të aktiviteteve të personalizuar në të gjitha grupet tuaja”).
Një tjetër risi: “Dating”, e cila aktualisht është e disponueshme në Kolumbi, Tajlandë, Kanada, Argjentinë dhe Meksikë, arrin në 14 vende të tjera (por jo në Itali): Filipinet, Vietnam, Singapor, Malajzi, Laosi, Bolivi, Ekuador, Paraguaj, Uruguaj, Guajana dhe Suriname.
Messenger, Whatsapp dhe Instagram
Messenger bëhet M4, më i shpejtë, më i thjeshtë dhe më i lehtë. Përditësime të tjera: do të jetë e mundur që të ketë biseda sekrete dhe encryption end-to-end. Mes risive për Whatsapp, “statusi”, i ngjashëm me historitë, dhe mundësia e krijimit të katalogëve komercialë. Për Instagram, Zuckerberg njoftoi një qendër tregtare. Nëpërmjet historive të mediave sociale, do të jetë gjithashtu e mundur organizimi i mbledhjes së fondeve.