BallinaAktualitetRama apel ambasadorëve: Nxirrni negociatat nga loja politike

Rama apel ambasadorëve: Nxirrni negociatat nga loja politike

spot_img
spot_img

Kryeministri Edi Rama iu ka bërë thirrje të gjithë ambasadorëve të huaj në vendin tonë, kryesisht atij të Bashkimit Evropian, të mos lejojnë përfshirjen e procesit të negociatave në lojën politike. Kreu i qeverisë ua ka bërë të qartë diplomatëve ndërkombëtarë se e vetmja rrugë e Shqipërisë është Bashkimi Evropian dhe se qeveria shqiptare nuk do të ndalet deri në realizimin e saj.

“Të gjithë ambasadorëve dua t’iu them se për ne nuk ka rrugë tjetër, është e vetmja rrugë, dhe pavarësisht se çfarë ndiejmë ne kur duhet të kalojmë detin me këmbë, për shkak se ka një problem këtu e një problem andej, ajo që dimë është se kjo është e vetmja rrugë dhe do vazhdojmë të këmbëngulim në këtë rrugë. Ju lutem, bëni atë që mundeni që të mos lejoni që loja me negociatat e brendshme të kthehet në lojë me zjarrin këtu në vendin tonë. Këtë shqiptarët nuk e meritojnë. Këtë Shqipëria nuk e meriton. Sigurisht kjo është përgjegjësi e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve. Ka diçka të rëndësishme që vendet tuaja e kanë në dorë: Ta nxjerrin çështjen e integrimit dhe negociatave nga loja politike, duke i hapur negociatat dhe duke e bërë të pamundur që për arsye politike një palë apo një palë tjetër të marrin peng publikun dhe të shfrytëzojnë vështirësitë për çeljen e negociatave si benzinë për të hedhur në zjarrin e përplasjes politike”, tha kreu i qeverisë.

Gjithashtu, Rama deklaroi se ndonëse nuk dihet çfarë do të ndodhë në qershor, Shqipëria do të vazhdojë t’i bëjë detyrat e saj drejt rrugës evropiane. Sipas tij, janë të gjitha rrethanat që brenda këtij viti do të hapen negociatat e Shqipërisë me BE.

“KE tha vitin e kaluar se në këtë qershor do të çelen negociatat dhe në dhjetor do të bëhet konferenca e parë, duke vendosur dhe disa detyra të tjera, që janë normale. Ajo që ka shumë rëndësi për ne është se u hap dera që Shqipëria të fillojë procesin. Kushedi çfarë do ndodhë në qershor! E them këtë sepse duhet të presim ditën. Ne do vazhdojmë t’i bëjmë detyrat tona, jo se i kërkon komisioni, por se në fund të gjithë duhet të jenë të kënaqur, por edhe sepse e kërkon e ardhmja e vendit tonë. Integrimi është një proces që na jep një fuqi njohjeje, dijeje, shtetbërjeje, që nuk na buron nga tradita, sepse tradita nuk është aty për të na mësuar se si bëhet një shtet funksional demokratik dhe për këtë arsye na vjen nga e vetmja rrugë, që është BE. Askush nuk e di këtu se çfarë do të vendoset në qershor, por jam i bindur se ky është viti ku të gjitha rrethanat janë dhe do të jenë aty për të çelur negociatat”, deklaroi Rama.

Më tej, gjatë prezantimit të platformës “AMBASADA IME”, kreu i qeverisë tha se në asnjë vend anëtar të Bashkimit Evropian nuk harxhohen para dhe kohë, aq shumë sa harxhohen në vendin tonë për procesin e integrimit. Mes të tjerash, Rama citoi komisionin Evropian, i cili, sipas tij, ka thënë se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë.
“Vjet Shqipëria e mori rekomandimin pa kushte nga KE. KE është një makineri e një dimensioni të frikshëm që financohet nga taksapaguesit europian në funksion të mbarëvajtjes së punës të Evropës së bashkuar dhe shteteve anëtare. Kush më mirë dhe ku më mirë se në procesin e qëmtimit të gjitha probleme, sfidave, rezultateve mund ta japë gjykimin për një vend se sa KE. Ku? Në cilin kryeqytet të BE-së gjendet një zyrë si ajo e KE-së në Tiranë ku njerëzit e fillojnë punën dhe e mbarojnë punën çdo ditë duke u marrë me çdo aspekt të punës në Shqipëri. Ku? Në cilat institucione të një vendi anëtar harxhohen para, burime njerëzore, kohë dhe energji për ta lexuar realitetin e fakteve dhe shifrave të procesit të integrimit siç lexohen nga delegacioni këtu? Askund. Procesi nga pikëpamja objektive, nisur nga të dhënat teknike, është i tëri një proces që kalon përmes filtrit shumë skrupuloz të Komisionit Evropian. Kur komisioni thotë “rekomandojmë hapjen e negociatave për Shqipërinë pa kushte”, ka thënë se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë. Kontestimi nuk lidhet më me kriteret objektive”, shtoi kryeministri.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular