BallinaKryesoreTradhtia që Edi Rama fsheh pas apelit: 'Mos e mbyllni atë derë'

Tradhtia që Edi Rama fsheh pas apelit: ‘Mos e mbyllni atë derë’

Nga Ilir Nikolla

Fushata e Edi Ramës ka nisur me terminologjinë e kuçedrës: mos më kundërshtoni, se do t’ju ndaloj ujin. E di secili lexues i folklorit shqiptar, e dinë nga Bistrica e Sarandës, duke ndaluar një stacion në legjendën e Selitës së Tiranës e mund të shkojmë deri në bjeshkët e Rugovës, duke dëgjuar legjendat mbi kuçedrat që na ndalin ujin nëse s’ju bindemi, s’ju blatojmë dhurata a s’i lëmë të na (sh)përdorojnë. Fjalori i përdorur prej kryeministrit në Kurbin është i denjë për një specie që s’ka respekt për gjindjen, ka përçmim për shqiptarin dhe që s’ka sojin e robit. Ta trajtosh kurbinasin si hajnin e fundit të lagjes, të zotin veç për të gjalluar, është një fyerje jo veç për Kurbinin, por për dëshminë mijëravjeçare të mbijetesës tonë në këto troje.

Deklaratat me spondë në çelje të fushatës me 1 qershor në palestër, se po vertetohen thëniet e serbëve se shqiptarët s’dinë të qeverisin, është një fyerje për shtetin e parë të Arbërit, të lindur bash në Kurbin, e në këtë kuadër, në një profani gjeografike, politike e shoqërore, si dhe në një performancë tradhtie, Edi Rama e ka shndërruar monstrën e fushatës së 30 qershorit në një shprazje rropullish, ndoshta edhe më efikase sesa ajo e shkarravinave – thonë artistike – të hedhura turpshëm në letër, ndërkohë që “dialogohet” me personalitete të Perëndimit, që kanë 30 vjet që mundohen të luajnë Diogjenin e Shqipërisë.

Fakti se frazat më të turpshme shqiptohen në Kurbin, Lezhë e Mirditë më bëjnë disi më të ndjeshëm, por asgjë s’ma errëson bindjen se njësoj turpshëm i përjetojnë “fushatat” e Edvinit në Korçën e të pastrehëve, romëve të pangrënë e të pambrojtur e tash së fundi edhe banorëve të lënë në mëshirën e tërmetit e të motit, në Vlorën që po përgjysmohet nga krimi dhe mungesa e qeverimit, në Gjirokastrën që po shuhet e po tjetërsohet në të njëjtën kohë nga mungesa e vizionit e nga zilia personale e kryeministrit, si dhe në Shkodrën që po largohet prej atdheut si Itaka, veçse këtë herë se kështu do Edi Rama.

Për arsye të ndryshme, por kudo në Shqiptari, apatridi po lë gjurmën e tij të turpit dhe fushata e tanishme pa kundërshtarë të dukshëm po shërben për të zbardhur aleatët e munguar të Ramës, por edhe për të rrëfyer zezonën që po lë pas kalërimi i tij drejt pushtetit të frikës. Fraza drejtuar laçjanëve “mos ia mbyllni vetes derën e Italisë” nuk thuhet rastësisht. Njësoj si kërcënimi ndaj protestuesve se s’do të lejohen të udhëtojnë në BE e në SHBA, Edi Rama po kalëron idenë më antishqiptare që mund të ekzistojë, thjesht për arsye elektorale.

Rama po luan me urinë e shqiptarëve për ta lënë vendin, për të ikur nga sytë këmbët, por kurrë më shumë sesa sot, ky mesazh nuk ka marrë konotacionin politik që ai me të vërtetë ngërthen. Për herë të parë po artikulohet publikisht “ftesa” e qeverisë që opozitarët të shfrytëzojnë rastin e të lënë vendin. Sipas tezës së shkopit dhe karrotës, kryeministri po i kalëron të dyja, si në një sëmundje bulimie, edhe rikthimin e vizave nga Holanda si një rrezik imediat, edhe cejtnotin që sjell kjo gjë, pra nevojën që kush ka ndërmend të ikë, ta bëjë sa më shpejt, se s’dihet se si vijnë punët.

Në këtë fushatë ngërthehen elementët e një spastrimi territori nga kundërshtarët politikë, por përzier edhe me tonalitetet e segregacionit të trashëguar nga afro 80 vitet e regjimit të “zonës së parë operative” në Shqipëri. Bash në Kurbin, Lezhë e Mirditë, ky regjistër dëgjohet më fort dhe dhemb më shumë, prandaj edhe thirrja e Ramës drejtuar laçjanëve “mos e mbyllni derën e Italisë” nuk është një klithmë për të ruajtur lëvizjen e lirë, por një grishje finale që territori të pastrohet nga kundërshtarët politikë. Kush do të rrijë, duhet të konformohet me Pjerin Ndreun, Ndrecë Dedën, apo kukullat pa identitet kudo nëpër territor. Kush do të ikë, ka një rast ta marrë të pastër pasaportën biometrike.

Se ç’vjen më tej të gjithë e dimë, kemi lexuar dhjetëra manuale të racës së pastër apo njeriut të ri. E gjitha përmblidhet në një pikë: Edi Rama ka mbërritur në stacionin final, prandaj po i luan të gjitha në një dorë, ja krijon shtetin e pastër të kloneve të veta, ja shkon prapa hekurave. Merret me mend se edhe nëse krijohet utopia e edvinistëve, ajo do të ketë më pak sukses sesa shkarravinat – thonë – artistike të kryeministrit, por fakti se Edi Rama ka mbërritur të flasë për racë në muzg të qeverimit, është një argument që s’duhet nënvleftësuar. Fushata “mos e mbyllni atë derë” duhet shoqëruar jo veç me protesta, por edhe me debatin juridik se ç’korrigjim meriton ky soj pushtetari.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular