BallinaAktualitetBasha i vendosur: Asnjë Pazar. Mesazhi: Në fund të betejës do të...

Basha i vendosur: Asnjë Pazar. Mesazhi: Në fund të betejës do të fitojë Shqipëria. Boll më me Shqipërinë që duan ata!

Në demokraci, zgjedhjet janë instrumenti se si njerëzit zgjedhin qeverinë dhe qeverisjen që duan. Zgjedhjet janë mekanizmi se si vullneti i njerëzve përkthehet në institucionet qeverisëse.
Por ama, është e qartë për këdo, se në kushtet e sotme nuk ka asnjë mundësi që vullneti i popullit të diktojë parlamentin dhe qeverisjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
As me 30 qershor, as me 30 korrik, as me 30 gusht.
Jo përpara se të largohet Edi Rama nga kryeministër, dhe jo para se Vangjush Dako, Damian Gjiknuri dhe dhjetëra funksionarë socialistë dhe bashkëpunëtorët e tyre të botës së krimit të dalin para drejtësisë për vjedhjen e zgjedhjeve, për shkatërrimin e themelit të rendit demokratik.
Përpjekjet e mija, përpjekjet e Partisë Demokratike nuk janë përpjekje për pazare tavolinash apo negociata datash. Beteja jonë është betejë për lirinë e votës.
Ajo që unë dhe bashkë me mua, qindra mijëra qytetarë po kërkojmë nga vendi ynë, nga shoqëria jonë, është standardi më minimal, por i pazëvendësueshëm i çdo shoqërie demokratike: të drejtën që shqiptarët me vullnetin e tyre të lirë të vendosin se kush do i qeverisë.
Unë nuk do të pushoj së luftuari, deri sa kjo të arrihet dhe nuk do të bëj asnjë kompromis, me askënd, as sot, as nesër, derisa kjo të arrihet.
Mesazhi i Bashës për qytetarët: Në fund të kësaj beteje do të fitojë Shqipëria. Boll më me Shqipërinë që duan ata!
E di që për shumë qytetarë është e lodhshme të bëhen dëshmitarë të kësaj gjendje të rëndë. Më vjen keq për këtë. Por dua t’u them atyre se gjithçka bëhet për një ditë më të mirë.
Mjedisi i vetëm, ku fatet dhe jetët e njerëzve të jenë të mira, është një shoqëri ku politika është e lirë nga krimi dhe korrupsioni, dhe ku vullneti i lirë i njerëzve përcakton qeverisjen.
Kjo është ajo që unë besoj, kjo është ajo për të cilën kam luftuar çdo ditë, çdo çast këto 6 vjet:  Vullneti i lirë i njerëzve dhe politika në shërbim të këtij vullneti.
Për këto, jam i gatshëm të flas, të diskutoj, të punoj. Për asgjë tjetër.
Përveçse ndaj cdo shqiptari, unë kam personalisht një detyrim të madh ndaj mijëra e mijëra qytetarëve dhe demokratëve që kanë protestuar këto muaj pa u shkurajuar nga dhuna, nga gazi helmues, nga arrestimet, nga terrori dhe nga propaganda.
Ju shpreh mirënjohjen time më të thellë dhe jam i frymëzuar nga kurajo juaj.  Sikurse e çdo shqiptari që na ka mbështetur, në çdo mënyrë që ka mundur.
Beteja jonë për Shqipërinë si gjithë Europa vazhdon me vendosmëri. Asnjë hap pas, deri në triumfin e demokracisë mbi narkoshtetin.
Shumëkush është në ankthin e asaj që do të vijë, shumë të tjerë të ndarë padrejtësisht në “ne” dhe “ata” presin se cfarë do të ndodhë.
Ajo që dua t’ju garantoj sot, është se në fund të kësaj beteje do të fitojë Shqipëria, do të fitojnë dhe përfitojnë shqiptarët, do të triumfojë e drejta, liria, demokracia.

Të flasim hapur, do të ketë edhe të humbur, por ata janë vetëm një grusht i vogël pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh dhe kriminelësh që sot vendosin për gjithcka dhe marrin gjithcka. Boll më me Shqipërinë që duan ata, tani është koha për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular