BallinaBotaShpërthimi i radhës, Bomba me sahat e Kushtetutës britanike

Shpërthimi i radhës, Bomba me sahat e Kushtetutës britanike

Brexit ka shkaktuar një krizë politike. Shumë shpejt, do të kthehet në një krizë kushtetuese

Britanikët krenohen për Kushtetutën e tyre “të pashkruar”, shkruan The Economist. Ndërsa Amerika, Franca dhe Gjermania duan që ligjet e tyre të jenë të shkruara e zezë në të bardhë.

Në Britani (e etiketuar shpeshherë edhe si “Nëna e Parlamenteve”), demokracia ka lulëzuar rreth 300 vite më parë, pa zhvilluar asnjë grusht shteti, asnjë revolucion apo luftë civile, me përjashtim të pavarësisë së Irlandës. Politikat e saj udhëhiqen nga një sërë traditash, konventash dhe ligjesh nën një Parlament sovran. Falë stabilitetit të saj, Britania e bindi botën se mënyra e saj e qeverisjes është ndërtuar mbi themele të forta të përcaktuara shekull pas shekulli.

Fatkeqësisht për të, një pikëpamje e tillë është e vjetruar. Logjika e pamëshirshme e Brexit ka hedhur një kallëp dinamiti në Kushtetutën e Mbretërisë së Bashkuar, fitili i të cilit do të jetë vështirë për t’u shuar duke marrë në konsideratë vështirësinë e reformës kushtetuese në një vend mosmarrëveshjes dhe konfliktesh. Mundësitë që britanikët të zbulojnë shumë shpejt se Kushtetuta tek e cila ata mbështeteshin dikur, duke iu referuar si një prej më të mirave në mbarë botën, të shndërrohet në atë që do të rrisë situatën kaotike në vend, do të përforcojë ndarjen dhe do të rrisë kërcënimin ndaj Bashkimit Europian.

Më 10 qershor, tri ditë pasi Theresa May dha dorëheqjen, nis zyrtarisht edhe gara për të zgjedhur zëvendësuesin e saj. Disa prej kandidatëve kryesorë, duke përfshirë edhe një prej më të preferuarve, Boris Johnson, premtojnë se, edhe nëse Bashkimi Europian nuk do t’u japë atyre atë çfarë kërkojnë (që në fakt nuk do t’ua japë), ata do të largohen nga BE më 31 tetor, pa nënshkruar asnjë një marrëveshje. 124,000 anëtarët e Partisë Konservatore, të cilët do të zgjedhin Kryeministrin e ardhshëm, një model aspak përfaqësues, për ta thënë në mënyrën më të mirë, do të detyrohen që të marrin vetë përsipër përgjegjësinë për të zgjidhur çështjen që e ka ndarë kombin në mes.

Situatën e përkeqëson fakti se edhe Parlamenti sovran i Britanisë ka votuar kundër një Brexit në të cilin nuk do të nënshkruhej asnjë marrëveshje, sepse kostoja e një zgjedhjeje të tillë do të ishte e lartë për vendin. Padyshim që do të ketë edhe makinacione parlamentare për të ndaluar përfundimin e Brexit pa asnjë marrëveshje. Kushtetuta është e paqartë, nëse Ekzekutivi duhet të mbizotërojë mbi Parlamentin apo e kundërta. Ajo është e paqartë se cilin prej të dyve duhet të zgjedhë.

E gjithë kjo pasiguri është krijuar nga fakti se Kushtetuta e Britanisë është një kontradiktë e madhe e përbërë nga ligje, konventa dhe rregulla të panumërta. Siç përshkruhet edhe në këtë artikull, kjo mund të ndryshohet me lehtësi, me anë të një votimi në Parlament ose thjesht me anë të një vendimi të marrë nga Dhoma e Përfaqësuesve. Dikur shumica e ligjbërësve britanikë ishin shumë të kujdesshëm në ndryshimin e rregullave dhe ligjeve ekzistuese dhe në nxjerrjen e rregullave të reja, sepse kjo gjë mund të rrezikonte demokracinë e vendit të tyre.

Ndoshta kjo ishte arsyeja se përse ata dalloheshin për një vetëpërmbajtje të lartë. Në dekadat e fundit, duke marrë të mirëqenë faktin se themelet e demokracisë nuk mund të lëkundeshin lehtësisht, liderët e Britanisë e harruan kujdesin që treguan dikur dhe në vend të kësaj filluan të nxirrnin ligje të reja dhe të ndryshonin në tërësi Kushtetutën. Nën drejtimin e Tony Blair dhe David Cameron, Parlamenti i dha shumë pushtet Asambleve në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut dhe njerëzve në mënyrë direkte nëpërmjet referendumeve.

Shpeshherë, ndryshime të tilla, gjenin mirëkuptim dhe mbështetje në popull. Por, askush nuk i kushtoi rëndësi pasojave që do të kishin ato për Kushtetutën në tërësi. Brexit është një prej tyre. Edhe pse Referendumi vulosi largimin nga BE-ja, ai nuk kishte përcaktuar asnjë prej detajeve, duke e lënë shumicën për një moment të dytë. Ai siguroi një mandat për Brexit, por për asnjë prej formave që Brexit mund të merrte. Edhe shtete të tjera zhvillojnë referendume, por jo në këtë mënyrë.

Njëra prej tyre është Irlanda, por neni 46 i Kushtetutës është i qartë: njerëzit votojnë për një ndryshim vetëm pasi ligji për të ka kaluar më parë në Dhomën e Ulët të Parlamentit, i shoqëruar me të gjitha detajet e nevojshme. Britania kurrë nuk e ka menduar një mënyrë të tillë veprimi. Brexit, nga ana tjetër, po mbjell farat e kaosit të mëtejshëm kushtetues, duke kërcënuar integritetin e Bashkimit Europian. Në zgjedhjet e Parlamentit Europian, Partia Kombëtare Skoceze (SNP) doli shumë më mirë sesa ishte parashikuar në sondazhet paraprake.

Skocia ka votuar në referendum që të vazhdojë të jetë pjesë e BE-së dhe sipas liderëve të SNP-së, ky është hapi i parë i rëndësishëm drejt një fitoreje për t’u shkëputur nga Mbretëria e Bashkuar. Të paktën, një prej liderëve konservatorë do të përjashtohet nga drejtimi i referendumeve të ardhshëm. Largimi nga Bashkimi Europian do të ishte një makth kushtetues, sepse asnjë proces që do ta pasojë këtë largim, nuk është përcaktuar ende.

Vetëm ideja për të zhvilluar një referendum të dytë skocez mund të krijonte tensione të shumta. Z. Johnson është i urryer në veri të kufirit. Një numër i madh votuesish anglezë po bëjnë thirrje për një referendum të dytë të Brexit. Znj. May u kërkoi anëtarëve të SNP-së të prisnin derisa Brexit të ishte zgjidhur. Por në këtë situatë, është e paqartë nëse Kryeministri Johnson do të jetë në gjendje apo jo të ndalojë zhvillimin e një fushate të vendosur skoceze.

Vetëm akti i largimit nga BE-ja do ta ngarkonte Kushtetutën me dyshime të reja. Karta e të Drejtave Themelore nuk do të zbatohej më në Gjykatat britanike. Disa prej kandidatëve për lider të konservatorëve, si Dominic Raab, do të duan të heqin dorë edhe nga legjislacioni i brendshëm që i zbaton ato të drejta. Nëse Parlamenti do të miratonte ligje të reja të ashpra, gjykatat edhe pse nuk mund të binin dakord me ligje të tilla, nuk do të mund të bënin asgjë për t’i ndaluar ato. Votuesit që ankohen për ndërhyrjen e gjyqtarëve europianë mund të fillojnë të ndryshojnë mendim. Ka sugjerime për krijimin e një Karte të të Drejtave të Britanisë dhe për një përshtatje dhe përmirësim të ligjeve të vjetruara të Kushtetutës. Dhe pikërisht kjo çon edhe në një shqetësim tjetër.

Kushtetuta e rrënuar e Britanisë, lehtësisht e ndryshueshme, është e ndjeshme ndaj politikës së radikalizuar të këtyre tre viteve të fundit, si pasojë e Brexit. Jeremy Corbyn dhe kolegët e tij të së majtës, nuk mund të ishin më të qartë në lidhje me ambiciet e tyre për të revolucionarizuar Britaninë. Do të ishte naive po të mendohej se ata do të përqendroheshin vetëm tek ekonomia dhe shpenzimet publike dhe do të linin mënjanë ligjet dhe rregullat. Shumica e britanikëve duket se nuk janë në dijeni të pasojave të situatës, pasi një pjesë e madhe e tyre besojnë se kjo mënyrë për t’i bërë gjërat do të shoqërohet me krijimin e stabilitet në vend.

Por fatkeqësisht, ata nuk e dinë që vetëm në sajë të fleksibilitetit të pafund të Kushtetutës së tyre, Brexit mund të përmbyllet pa nënshkruar asnjë marrëveshje. Çka është i qartë është fakti se Brexit prej kohësh është një krizë politike, por mendohet se ai shumë shpejt do të shndërrohet edhe një krizë kushtetuese.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular