Nga Besnik Dushaj
Sot, kryeministri ilegjitim, pasi erdhi me helikopter në Bajram Curri, si diktator nën masa sigurie ekstreme, me qindra policë dhe forca speciale të ardhura nga Tirana me autoblinda, nisi t’u recitonte një grupi punonjësish të administratës shtetërore të marrë nën presion dhe një grupi tjetër jo tropojanë, që kishin ardhur me autobusë, barcaleta komike për të, por tragjike për tropojanët.
U tregoi disa punë vogla të financuara nga qeveria, që të gjitha bashkë për katër vite, nuk kapin as gjysmën e vlerës së rrugës së Lekbibajve të financuar në kohën e Partisë Demokratike, a thua sikur ne nuk jemi shqiptarë dhe nuk duhet të trajtohemi si qytetarë të Republikës së Shqipërisë, madje u përmend me qëllim dashakeqës dhe një investim i kryer nga Bashkia Tropojë, siç është rasti i fushës së sportit, me të njëjtën paftyrësi si në rastin reklamimit të sheshit “Azem Hajdari” si punë të tyre, pa pasur asnjë lidhje me këto investime.
Kjo pra është motoja e tyre: Reklamë, reklamë, propagandë e shumë fjalë, por kurrë punë!
Sot, ai nuk tha një llaf se si u rriti çmimin e energjisë elektrike tropojanëve, se si u rriti çmimin e naftës, se si u rriti taksat, po kurrë rrogat e pensionet, sot nuk foli për grumbullimin deri në qindarkën e fundit të faturave të padrejta të energjisë elektrike, sot nuk foli për largimin pa të drejtë nga ndihma ekonomike të dhjetra familjeve tropojane, sot nuk foli për pushimet masive nga puna në administratën shtetërore, ku mbi 90% e tropojanëve që ishin të punësuar, u pushuan pa të drejtë dhe sot, qindra prej tyre, bashkë me familjet, kanë marrë rrugët e botës në pritje të azilit si pasojë e mjerimit total ekonomik dhe pamundësisë totale për të mbijetuar në vendin e tyre, sot ai nuk foli për asnjë nga këto, po tregoi barcaletat tragjike të rradhës, duke u përpjekur të ofendojë tropojanët në vendlindjen e tyre.
Unë dua të them veç dy fjalë, mos provoko!
Në rradhë të parë, krahasimi yt me Prof.Dr. Sali Berishën për atë që ai ka bërë për Tropojën dhe tropojanët, por dhe Shqipërinë, është si nata me ditën.
Së dyti, ato qindra forca policie, që rrethuan Tropojën që dje në mbrëmje dhe që të shoqëruan përgjatë teatrit tënd të rradhës, nuk do t’i kesh nesër, dhe siç shprehen poshtë e lartë kukullat e tua, gjithçka e ka një limit dhe çdo gjë e ka një fund…
U përpoqe të përçash tropojanët para katër vitesh siç po bën dhe tani, shfrytëzove servilizmin, shfrytëzove dobësinë e dikujt për para dhe tentove të ofendosh të gjithë tropojanët me këtë shembull, por dështove dhe do dështosh përsëri!
Pyll pa derra nuk ka, dhe sigurisht që edhe në një vend me njerëz të besës e dinjitoz do ketë dhe besëpremë e servilë të pushtetit të rradhës, por kjo kurrsesi nuk ua ul vlerat tropojanëve, që i kanë provuar me historinë vlerat e tyre.
Sot erdhe me helikopter dhe u largove si frikacak, por të garantoj se fija e padukshme që të mban akoma në këmbë, do këputet shumë shpejt dhe ato qindra tropojanë që mbushën sheshin plot dhe u përplasën me policinë kriminale nën thirrjet Rama Ik, do jenë aty, në ballë si përherë.
Tropojanët kanë qënë nisja e fundit të diktatorit në vitet 90-të dhe ta siguroj se do jenë përsëri grushti kryesor i rrëzimit tënd.
Tropoja do qëndrojë përballë diktaturës së krimit dhe tropojanët e bashkuar nuk do lejojnë farsë zgjedhore në 30 Qershor. Fitore!