Zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matheë Palmer thote se ata do të kishin dashur që të gjitha partitë të merrnin pjesë në zgjedhje, megjithatë shton se respektojnë vendimin për t’i bojkotuar ato. Palmer ka edhe një ‘oferte’ për opozitën, kur thotë se “është plotësisht e mundur që Gjykata të vendosë që zgjedhjet duhen përsëritur, por kjo i takon Gjykatës ta vendosë dhe jo politikanëve të veçantë”.
“Në kushte ideale ne do të kishim dashur që në zgjedhje të merrnin pjesë si partitë e opozitës, ashtu edhe të qeverisë. Këtë ua bëmë të qartë me forcë udhëheqësve të opozitës, përpara se ata të vendosnin të bojkotonin zgjedhjet. Është për të ardhur keq që vendosën ndryshe. Por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet nuk duhen zhvilluar. Pas zgjedhjeve, do të ketë mundësi që të krijohet Gjykata Kushtetuese, është plotësisht e mundur që Gjykata të vendosë që zgjedhjet duhen përsëritur, por kjo i takon Gjykatës ta vendosë dhe jo politikanëve të veçantë.
Si do të zgodhet Shqipëria më 1 Korrik? Palmer shpreson që të nis një cikel i ri dialogu mes qeverise dhe opozitës, duke nisur nga reforma zgjedhore.
“Janë disa gjëra që ne shpresojmë të ndodhin pas një korrikut. E para është dialogu mes qeverisë dhe udhëheqësve të partive të opozitës për reformën elektorale. Ka një projekt të reformës elektorale që është në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it, dhe ne duam të shohim marrëveshje për procesin e ardhshëm të reformës elektorale, që të krijonte kushtet që zgjedhjet në të ardhmen të zhvillohen duke gëzuar mbështetje nga të gjithë, në mënyrë transparente dhe me llogaridhënie. Duam që gjithë partitë të ripohojnë mbështetjen për reformën në drejtësi, që është thelbësore për aspiratat evropiane të Shqipërisë; duam të shohim formimin e institucioneve të Shqipësirë, si Gjykata Kushtetuese, që do të lejonin një funksionim të qetë të procesve demokratike të Shqipërisë”, përfundon ai.