Kriza e rëndë politike e Shqipërisë mbërrin në parlamentin italian, thirrje për nismë zyrtare ndërmjetësim zyrës së kryeministrit Konte
Ja statusi ne FB i zv. Kryetares së Parlamentit Italian Mara Carfagna
Kriza politike në Shqipëri dhe mbajtja e votimeve ditën e diel tashmë edhe formalisht është në agjendën e parlamentit italian dhe të qeverisë së kryeministrit Konte. Zv. Kryetarja e Parlamentit Italian Mara Carfagna, në një njoftim në faqen e saj në facebook, njofton se Forza Italia ka ndërmarrë një mocion për debat parlamentar lidhur me krizën e rëndë politike në Shqipëri dhe pasojat që mund të ketë ajo, jo vetëm për bizneset italiane të pranishme në vendin përtej Adriatikut, por edhe për drojën se një valë e re refugjatësh mund të vijnë prej Shqipërisë.
“Pak kilometra nga brigjet tona po zhvillohet një krizë serioze politike dhe sociale që nuk duket të ndikojë fare në qeverinë italiane. Në Shqipëri forcat e opozitës po protestojnë duke denoncuar një mungesë barazie në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit. Përplasja midis partive është kthyer tanimë në një përplasje mes qeverisë së Rama dhe Presidentit të Republikës. Nëse Italia dhe Bashkimi Europian nuk ndërhyjnë menjëherë duke e detyruar Shqipërinë të marrë një rrugë plotësisht kushtetuese, vendi rrezikon të zhytet në paralizë institucionale dhe t’i ndërpritet bisedimet e anëtarësimit”. “Kompanitë shqiptare dhe shumë kompani italiane dhe europiane që operojnë në Shqipëri do të dëmtohen seriozisht. Procesi i aplikimit të vendit në BE do të ndërpritet papritmas. Për të mos të përmendur rrezikun e eksodit të mijëra shqiptarëve në Itali. Me Forza Italia ne kemi ngritur një nisme parlamentare që i bën thirrje qeverisë të ndërmarrë veprime të menjëhershme. Është përgjegjësia jonë politike dhe historike. Presim që kryeministri dhe Ministri i Jashtëm të ndërmarrin veprime të menjëhershme”, shkruan Carfagna në rrjetin e saj social.
Ftesa që krizës shqiptare t’i jepet një zgjidhje nga Farnesina po vjen nga të gjitha forcat politike italiane. Në të njëjtën kohë, vetë zv/kryeministri italian Mateo Salvini, i mbiquajtur “burri i fortë i politikës italiane” ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga politika italiane dhe në këtë kuadër edhe ka nisur personalisht përpjekjet, duke i telefonuar presidentit Ilir Meta, me të cilin njoftoi se “eksploroi mundësitë” se si Italia mund të ndihmonte në kapërcimin e shpejtë e pa pasoja të krizës aktuale.