BallinaAktualitetAsgjesimeve i përgjimeve nga Policia shkatërron hetimet për kanabisin e Mallakastrës

Asgjesimeve i përgjimeve nga Policia shkatërron hetimet për kanabisin e Mallakastrës

spot_img
spot_img

Më 28 korrik 2016, forcat e policisë së komisariatit të Mallakastrës ndërmorën një operacion antidrogë në fshatin Aranitas, pas informacioneve të marra në rrugë operative.

Në mes të një pylli me dëllenja dhe koçimare në vendin e quajtur ‘Përroi i Çekut’, polica zbuloi një zonë të shpyllëzuar rishtazi me sipërfaqe 80×30 metra, e cila ishte mbjellë me 4000 bimë ‘cannabis sativa.’

Bimët e kanabisit ishin mbjellë dhe punuar në rrënjët e tyre, ndërkohë që ato ujiteshin nëpërmjet një tubacioni, që e merrte ujin nga një përrua në afërsi të vendit ku ato ishin kultivuar.

Në cepin perëndimor të sipërfaqes ku ishin kultivuar bimët e kanabisit ndodhej një tendë me konstrukt druri e mbuluar me plastmas, në të cilën ishin hapur për t’u tharë rreth 1500 degë të prera kanabisi dhe në afërsi të saj rreth 300 degë të tjera.

Brenda tendës policia gjeti asokohe duke fjetur tre të dyshuar, të cilët pasi u ndaluan, u transferuan në komisariatin e Mallakastrës. Me qëllim zbulimin e pronarëve të parcelës së kanabisit – me urdhër verbal të prokurores së Rrethit Gjyqësor Fier, Elida Hoxhaj, tre të dyshuarit e ndaluar në fshatin Aranitas janë vënë nën përgjim.

Por përgjimet e bisedave midis të ndaluarve në qelitë e paraburgimit u shkatërruan një ditë më vonë nga oficerët e policisë së Mallakastrës, të cilët vlerësuan se përgjimi nuk përmbante të dhëna të vlefshme hetimore.

Vlerësimi i bërë nga oficerët e policisë është cilësuar si i paligjshëm nga prokurorja e çështjes, e cila i kallëzoi oficerët penalisht për shpërdorim detyre.

Të vendosur nën hetim nga Prokuroria e Fierit, 4 oficerët e kallëzuar u mbrojtën me një urdhër sekret të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili i jepte të drejtë policisë të shkatërronte përgjimet ambientale nëse autorizimi me shkrim nga prokurori nuk shkonte brenda 24 orësh.

Veprimet e oficerëve dhe urdhri i Çakos  janë cilësuar si të paligjshëm nga gjykata dhe prokuroria, e megjithatë, organi i akuzës i pushoi akuzat ndaj 4 policëve, duke arsyetuar se ata nuk mund të vlerësonin ligjshmërinë e urdhrit të eprorit të tyre.

I pyetur nga BIRN, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako tha se çështja gjyqësore ishte komplekse, por shtoi se vendimet e nxjerra nga drejtori i policisë bazohen në aktet nënligjore në fuqi.

“Të gjithë aktet normative të nxjerra nga autoriteti i Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, hartohen në përputhje me legjislacionin ne fuqi dhe Ligjin për Policinë e Shtetit, nga stafe specialistësh në departamentet përkatëse, qofshin këto edhe procedurat standarde të funksionimit të strukturave,” tha Çako nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Piknik në parcelë

Haki Çako Konferenca 521x400

Gjatë vitit 2016 në Shqipëri u konstatua një masivizim i kultivimit të bimëve narkotike të llojit ‘cannabis sativa’ në gjithë territorin e vendit. Në raportin vjetor mbi luftën ndërkombëtare kundër drogës të Departamentit amerikan të Shtetit vërehej se në Shqipëri gjatë vitit 2016, sipërfaqja e kultivuar me kanabis ishte shtuar me pesë herë në krahasim me vitin paraardhës.

Sipas raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë vitit 2016 ka pasur 1606 procedime penale për veprën penale “kultivim i bimëve narkotike” me 380 të pandehur të dërguar për gjykim.

Një prej këtyre procedimeve është edhe ai i regjistruar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ndaj tre të pandehurve Bedri Alla, Ardit Gjini dhe Enian Dhima, të cilët u ndaluan pranë parcelës së kanabisit të zbuluar në fshatin Aranitas në fund të korrikut të vitit 2016.

Të tre të ndaluarit janë proceduar nga Prokuroria e Fierit për veprat penale të moskallëzimit të krimit dhe prodhim të lëndëve narkotike.

Nga raporti i shërbimit i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që kanë marrë pjesë në operacionin anti-kanabis në fshatin Aranitas, shtetasi Bedi Alla është gjetur te parcela ku ishin kultivuar bimët, ndërsa Ardit Gjini dhe Enian Dhima në afërsi të saj.

Sipas deklarimeve të dhëna nga një prej oficerëve të FNSH Fier, tre të dyshuarit janë pikasur tek kasollja ku thahej kanabisi. Ata i kanë thënë fillimisht oficerëve të policisë se ruanin dhe kujdeseshin për bimët e kanabisit për shkaqe ekonomike.

Në deklarimit e dhëna përpara policisë gjyqësore, shtetasi Bedri Alla ka pranuar se është kujdesur për parcelën me kanabis, por ka pretenduar se nuk e dinte se ato ishin bimë narkotike.

Alla i ka thënë oficerëve se në parcelën me kanabis ai ka kryer punë të ndryshme si ujitje apo pastrim barërash. Ai është shprehur se personi që e ka punësuar është një djalë i ri 26 vjeç, trup mesatar, flokë te zeza, i cili ia ka ofruar këtë punë kundrejt pagës 1.700 lekë në ditë, por nuk e kishte paguar ende në momentin e arrestimit.

Sipas Allës, bimët narkotike nuk i ka mbjellë ai, por i ka gjetur të mbjella dhe se ai kujdesej vetëm për vaditjen e parcelës dhe pastrimin e saj. Ai ka shpjeguar se nuk largohej nga parcela për ditë të tëra, ndërsa ushqimin dhe ujin ua sillnin te puna disa persona që vinin me makinë, por të cilët ai nuk i kishte fiksuar.

Ndërkohë, dy të dyshuarit e tjerë kanë mohuar të kishin dijeni për parcelën e kanabisit dhe janë shprehur se nuk e njihnin Bedri Allën. Ata i kanë thënë oficerëve të policisë se ditën që u arrestuan kanë qenë në pyll për piknik. Aty ata kanë shkuar në këmbë duke marrë ushqime me vete. Pas piknikut, kanë fjetur në një kasolle me degë dhe të mbuluar me plastmas ku i kanë gjetur punonjësit e policisë.

Me 27 mars 2017, tre të dyshuarit u dënuan nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier për moskallëzim krimi.

Asgjësimi i përgjimeve

Gjykata Fier 600x338

Pas arrestimit në fshatin Aranitas, tre të dyshuarit Bedri Alla, Ardit Gjini dhe Enian Dhima janë transferuar në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Ballshit. Në të njëjtën ditë nëpërmjet telefonit, prokurorja Elida Hoxhaj ka urdhëruar shërbimet e policisë të Komisariatit Ballsh dhe Sektorin e Përgjimeve të Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, për të kryer përgjim ambiental të tre personave të ndaluar.

Një ditë më pas, më datë 29 korrik, Hoxhaj ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën e Fierit për vleftësimin e lejimit të përgjimit ambiental ndaj tre të ndaluarve dhe po atë ditë, gjykata e ka vleftësuar të ligjshëm autorizimin.

Urdhri i prokurores është zbatuar nga oficeri i policisë gjyqësore Spartak Gjicali  dhe specialisti Vasillaq Tanuçi, të cilët kanë vendosur aparat përgjues në dhomën e paraburgimit ku janë mbajtur tre të pandehurit.

Sipas Gjicalit, pas disa minutash përgjimi të bisedave të tre të ndaluarve, ato nuk kanë paraqitur interes dhe përgjimi është ndaluar. Më tej, Gjicali ka shpjeguar se ka urdhëruar Tanuçin që ta hidhte bisedën në një CD. Një ditë më vonë, Tanuçi ka vendosur së bashku me eprorin e tij Islam Haka dhe specialisten Enkelejda Allkanjari ta asgjësojnë përgjimin ambiental të tre të pandehurve.

Asgjësimi i përgjimeve u cilësua i paligjshëm nga prokurorja Elida Hoxhaj, e cila ka bërë kallëzim penal ndaj 4 oficerëve të policisë për shpërdorim detyre. Hetimi kundër 4 efektivëve të komisariatit të Ballshit është udhëhequr nga prokurori Asllan Bajramaj.

Në deklarimet e dhëna përpara prokurorit, oficeri Vasillaq Tanuçi është mbrojtur duke shpjeguar se vendimi për shkatërrimin e përgjimit ambiental është bazuar në urdhrin sekret nr.286, datë 23 prill 2015 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Sipas këtij urdhri, nëse autorizimi me shkrim nga prokurori nuk shkonte për 24 orë, çdo material dhe e dhënë për përgjimet e kryera duhej të asgjësohej.

Tanuçi ka deklaruar se mungesën e urdhrit të shkruar të prokurorit e ka konfirmuar me eprorin e tij Islam Haka dhe kolegen Enkelejda Allkanjari.

Haka gjithashtu ka pretenduar se i ka kërkuar oficerit të policisë gjyqësore, Spartak Gjicali që t’i jepte autorizimin me shkrim të prokurorit, por nuk kishte marrë përgjigje prej tij dhe se në këto kushte ka tentuar të flasë me prokuroren e çështjes, por ajo e kishte pasur telefonin të mbyllur. Ndërkohë, oficerja Enekelejda Allkanjari ka shpjeguar se ajo ka qenë e pranishme kur nga ana e shefit dhe ndihmës specialistit ishte asgjësuar një bisedë e përgjuar, por se nuk kishte dijeni për përmbajtjen.

Me datë 14 qershor 2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka pranuar kërkesën e prokurorit Asllan Bajramaj për pushimin e çështjes ndaj 4 oficerëve të policisë. Gjykata ka gjetur se me vendimin për asgjësimin e përgjimit, 4 efektivët e policisë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin Procedural Penal, duke sjellë pasoja të rënda për hetimin.

Në vendim, gjyqtarja Odeta Lice shprehet se ekziston vetëm një ligj që rregullon kryerjen e përgjimeve për efekt të një procedimi penal, që është Kodi i Procedurës Penale. Ajo argumenton më tej, se në asnjë nen të Kodit të Procedurës Penale nuk përcaktohet se shërbimet e policisë që kryejnë përgjimin, kanë të drejtë të kryejnë vetë asgjësimin e tij pa një vendimmarrje nga gjykata.

“Pra, fillimisht oficerët e Policisë Gjyqësore duhet të zbatojnë ligjin dhe më pas akte të tjera nënligjore si rregullore, urdhra apo udhëzime,” shkruan Lice.

“Mbajtja parasysh e Urdhrit nr.286, datë 23.04.2015 e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe zbatimi duke u konsideruar mbi parashikimet e Kodit të Procedurës Penale nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore është një veprim jo ligjor,” shton ajo.

Por megjithatë, gjykata ka çmuar se nuk mund të përcaktohet nëse veprimi i kundërligjshëm i oficerëve ka qenë i qëllimshëm. Gjykata vlerëson se në këtë rast ka pasur një sjellje neglizhente dhe të pakujdesshme prej të gjithë anëtarëve të grupit hetimor, duke mos u koordinuar./BIRN

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular