BallinaKryesoreInva Mula rrëfen sfidat dhe vështirësitë; nga talenti i fëmijëve te rikthimi...

Inva Mula rrëfen sfidat dhe vështirësitë; nga talenti i fëmijëve te rikthimi në skenë: Ka humbur komunikimi mes njerëzve

Fustani është i lulëzuar nga ngjyrat e stinës, ndërsa e kaltra e vathëve perlë nxjerr në pah tiparet e trashëguara nga ikona ruso-shqiptare, Nina.

E kuqërremta e këpucëve fine ia bën lëvizjet edhe më elegante teksa përpiqet që të jetë pranë të gjithëve. Për zonjën e madhe të skenës, Inva Mula, edhe jeta artistike pasurohet më tepër me mirënjohje e fisnikëri, ndaj bashkëpunëtorëve u drejtohet me të parat fjalë: “Faleminderit! Ju jeni të gjithë miqtë e mi!” Nëse për vite me radhë lartëson emrin e Shqipërisë në teatrot botërore, tani që arrin të gjejë më shumë kohë fizike, përpiqet të jap kontributin e saj e t’i dhurojë nga kjo magji edhe skenës shqiptare, jo vetëm si artiste. Edhe pse fillimisht kish menduar, që për edicionin e dytë të festivalit “MIK” (Music international festival 24-28 korrik) që kësaj here mbahet në qytetin e serenatave, të kujdesej vetëm për udhëheqjen artistike, pas një këmbënguljeje të madhe të dashamirësve të saj, vendosi të ngjitet në skenë. “Publiku ka dëshirë të më dëgjojë duke interpretuar, por edhe unë kam nevojë për të”, tregon Mula për “Panoramën”.

Inva, riktheheni me edicionin e dytë të “MIK”, kësaj here në Korçë. Çfarë ju nxit që t’i përkushtoheni më një entuziazëm të tillë festivaleve të muzikës në Shqipëri?

Janë forca të brendshme, të cilat artisti i ka si nënshtresa. Kontributi im vjen si artiste por jo vetëm, e megjithatë, në të gjitha rastet, ajo që më nxit është një dëshirë e madhe për t’i dhënë sa më shumë artit edhe në vendin tim. Kësaj here, mendova që artin përmes “MIK II” ta çonim edhe përtej kryeqytetit. E adhuroj Korçën, këtë vend-djep të kulturës, si qyteti i serenatave, për qetësinë edhe mikpritjen që dhuron, ndaj mendova se e meritonte një festival ndërkombëtar.

Për t’i dhuruar perla të muzikës klasike, por edhe të zhanreve të tjera. Përpos kësaj, kjo ide erdhi edhe në mënyrë shumë instiktive, që edhe në rrethe të dëgjohej ky zhanër në një festival të tillë, që të jemi realist, Korçës i mungon, madje edhe Tiranës. Në këtë iniciativë, unë kam përgjegjësinë profesionale, por krahas këtyre marr një sadisfaksion të madh si artiste dhe si njeri. Janë të gjithë këto elemente që çojnë këtë festival përpara.

Në këtë edicion të dytë të “MIK II”, u keni lënë një hapësirë të konsiderueshme edhe të rinjve, përfshirë studentë të Universitetit të Arteve. Kujdesin ndaj të rinjve e keni treguar edhe në spektakle si “Virtuozët”. Sa premtues ju duket brezi i ri i muzikantëve?

Jam shumë sensibël kur flitet për artistin e ri. Mendoj, se ka artistë që janë të shkëlqyer, artistë, që skenën e kanë si “Olimpin” e tyre e që e shikojnë çdo natë në ëndërr. Kështu që t’i krijosh mundësinë një artisti të ri, që të ngjitet, ta prekë këtë “Olimp” nga afër, do të thotë që ke kontribuuar në jetën e tyre.

Dhe mendoj që brezi i ri do të jetë mirënjohës për këtë gjithë jetën, për faktin se dikush mendon që t’i ngjisë në skenë. Duke qenë se Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe ka shumë pak skena e teatro, dhe ato që janë përqendrohen kryesisht në Tiranë, është disi e vështirë që një artist i ri ta gjejë veten. Kështu që të marrë pjesë në një festival internacional, në krah të artistëve me përvojë dhe emër, është një mundësi e artë për ta.

Dua të theksoj, se në të tilla festivale, apo iniciativa të tjera kulturore, ne, ata që i riorganizojnë, janë gjithashtu përfitues të energjisë së këtyre të rinjve. Ne marrim nga spontaniteti, freskia e tyre, entuziazmi për të ecur përpara. Kështu që ky është një gërshetim shumë i bukur.

Dhe ideja për të përfshirë në këtë festival edhe “miq të rinj” më lindi duke biseduar me Suzana Turkun, e cila gjithmonë është në mbështetje të të rinjve. Duke parë një nga koncertet e saj të fundit, mendova: Po! Kjo do të jetë formula! Ne do të kemi në natën “Inva dhe new friends” miq të rinj, që kanë dëshirën t’i afrohen festivalit tonë.

Edicionin e parë të festivalit e nisët me një homazh ndaj këngëtares Tefta Tashko, ndërsa kësaj here ndaleni te Papadhimitrajt. Çfarë ju ngacmoi nga kjo familje artistësh?

Është një familje që gjithashtu ka një kontribut të jashtëzakonshëm në art. Duke nisur nga mamaja dhe tezja e dy vëllezërve Papadhimitri, që janë të famshmet, motrat Zego (Sofia dhe Androniqi). Ndër piktoret e para shqiptare, që kanë edukuar një brez të tërë. Jani Papadhimitri vjen nga Kanadaja bashkë me dy vajzat e tij, duke krijuar një trio shumë interesante. Po ashtu, i vëllai Vangjushi, luan në orkestër në Greqi dhe vjen me dy fëmijët e tij muzikantë. Pra, kemi një gërshetim kaq të rrallë të muzikës, të historisë, traditës e kulturës, të cilin e gjetëm në Korçë.

Po krijoni gjithnjë e më shumë pika lidhjeje në Shqipëri, me “MIK”, “Virtuozët”, biznesin tuaj etj.. Mos ndoshta të gjitha këto, bëjnë që të i afroheni qëndrimit afatgjatë në Tiranë?

Mendoj se njeriu kur do të kontribuojë, të jetë kreativ ndaj ideve të reja edhe në vendin e tij, mundohet ta gjejë kohën. Për mua, më herët, të isha kaq e pranishme fizikisht ka qenë pak e vështirë, për shkak të aktivitetit të ngjeshur. Mirëpo, në këtë periudhë të jetës, i kam kushtuar më shumë vëmendje dëshirave të mia për të krijuar, edhe kohën ngulmoj ta gjej. E organizoj në mënyrë të tillë që krahas të tjerave, të mundohem të jap një kontribut timin. Por unë në gjithë këtë, edhe marr. Madje më shumë marr sadisfaksion!

Përmendëm brezin e ri, djali juaj po afirmohet në muzikë. Thonë se edhe talenti trashëgohet, a ka shfaqur Nina e vogël prirje ndaj këngës, muzikës?

Ende nuk mund ta them me siguri, është shumë e vogël. Arti është i tillë, ku është parësore që të vijë së brendshmi, si pasojë e një dëshire personale. Përpos kësaj, talenti është i domosdoshëm, sikurse edhe puna e madhe. Janë edhe shumë elementë të tjerë!

E ardhmja do të tregojë nëse Nina do të ketë qasje ndaj muzikës, ndërsa djali vazhdon në fushën e artit.

E kemi parë në skenë te “Peshkatarët e perlave”, si dhe në të tjera evente, duket tepër energjike sikurse edhe ju. Mos ndoshta pas kësaj fshihet edhe sekreti i teknikave meditative të zotit Ramadani?

Mendoj se energjia është një element që e ka në natyrën e vet. Unë gjithë jetën kam qenë shumë energjike, madje, edhe më shumë se sa duhet. Ky është një moment kur gjithë këtë energji dua ta kanalizoj, sepse edhe energjia e tepërt, nëse nuk menaxhohet si duhet, të lodh më shumë se sa duhet. Pasi, pa e kuptuar mund të marrësh përsipër më shumë, nga çka realisht mundesh fizikisht. Por, sigurisht që mënyrat më të mira për çlodhjen e njeriut janë mënyrat meditative. Janë mënyrat e njohjes dhe respektimit të vetvetes, duke i kushtuar kohën e duhur.

U vu re një tendencë ndoshta e juaja, që me “MIK II” të merreshit më tepër me pjesën e udhëheqjes artistike. Qe dëshira e bashkëpunëtorëve dhe nevoja e publikut për t’ju parë në skenë që triumfoi?

Duke qenë se aktiviteti im këtu në Shqipëri, për momentin, është përqendruar te festivali “MIK”, unë mendova të mos këndoja, pra, në një farë mënyre të mos përsërisja vetveten. Por ndaj kësaj ideje, dolën të gjithë kundër, duke këmbëngulur që unë të isha në skenë. Atëherë, mendova se kishin të drejtë, nuk mund ta bëja këtë festival, pa marrë pjesë edhe vetë, pasi jo vetëm që publiku ka nevojë të më shikojë teksa interpretoj, por edhe unë kam nevojë për të. Kështu që së bashku me Genc Tukiçin, do të sjellim perlat e muzikës operistike, të kanconetave italiane, si dhe një homazh ndaj Michel Legrand, kompozitorit të madh francez, një nga shtyllat kryesore të filmit hollywood-ian, që u nda nga jeta në janar të këtij viti. Koncerti do të ketë shumë pika interesante, një potpuri të shumë zhanreve, ku secili prej tyre do të krijojë momente speciale.

Keni interpretuar në teatrot më prestigjiozë ndërkombëtarë. Si ndiheni kur ktheheni në Shqipëri dhe interpretoni në po të njëjtat skena?

Fatkeqësisht, kemi po ato! Mirëpo, Shqipëria do të meritonte më shumë skena, kjo edhe sepse artistët te ne janë të shumtë në numër. Përpos kësaj, prania e skenave bën që të dalin edhe artistë të tjerë. Do dëshiroja shumë që ta shikoja vendin tim në të ardhmen, me shumë teatro. Ku çdo natë njerëzit të kenë ku të shkojnë për të parë shfaqje, kjo jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe. Dua shumë që njerëzit të jenë sa më pranë muzikës, artit e kulturës. Është arti që bën fëmijë më të mirë, shoqëri më të mirë. Si dhe njerëz më tolerantë!

Ndërkohë, krahas skenës shqiptare, po dëgjojmë gjithë e më shumë të flitet për emra si Ermonela Jaho, Blerta Zhegu, Enkelejda Kamani, Irid Dragoti etj.. Si e shikoni suksesin e këtyre sopranove në skenat ndërkombëtare?

Jam shumë e lumtur për këtë, dhe mund të them që: arti nuk ka zinxhirë! Nuk ka zinxhirë që e lidh artistin, dëshirën e tij për të çuar përpara artin e tij. Dhe sa më shumë të kërkojë nga vetja, aq më shumë gjen. Edhe kombi shqiptar, fatmirësisht, prodhon shumë talente. Jam shumë entuziaste që ka ardhur kjo ditë, që ne të përjetojmë momente ku artisti shqiptar të korrë sukses kudo në botë.

Nëse flasim për sukses, ju jeni padyshim një nga artistet më të suksesshme shqiptare. Për një njeri që arrin kulminacione të tilla, cilat mund të jenë pritshmëritë, dëshirat, objektivat për të ardhmen?

Të zbuloj të panjohurën! Jo vetëm unë, por çdo njeri në këtë jetë shkon drejt të panjohurës, drejt sfidave. Unë kam kuriozitetin e madh për jetën, për të realizuar çka ende nuk e kam bërë. Dhe janë këto sfida të vogla që i bëj Invës, të cilat më nxisin të bëj përpara.

Si ndiheni kur vini në Shqipëri, veçanërisht në momente të tilla kur e gjen Tiranën pak në kaos, të zhurmshme?

Sigurisht që kur je pjesë e një shoqërie, nuk mund të jesh as indiferente ndaj problemeve, asaj që ndodh përreth. Unë mendoj se Shqipëria, shoqëria shqiptare meriton që të jetojë në paqe. Për këtë do dëshiroja që të gjithë të gjenin mënyrën e komunikimit. Mendoj se komunikimi midis njerëzve ka humbur dhe për këtë ndiej keqardhje të madhe. Shpresoj që të krijohen këto ura të munguara dialogu, që të kuptojmë se ku jemi.

Janë të shumtë të rinjtë, veçanërisht sopranot e reja që ju kanë si model. Cilat janë disa nga ingredientët e suksesit që do të zbulonit për ta në formën e një këshille?

Sigurisht që arti kërkon përkushtim. E nëse dedikimi mungon, nuk ka art të mirëfilltë. Dhe në gjithë këtë rrugëtim, sfidat do të jenë të jashtëzakonshme.

Me rritjen e pritshmërisë së njerëzve ndaj artistit, do të shumëfishohen edhe sfidat. Atëherë e vetmja gjë që mund të na bëjë të fortë për t’i kapërcyer është puna e vazhdueshme. Kjo punë normalisht do të ketë lodhje, por më e rëndësishmja është që të bën të ndihesh mirë me veten. Dhe duke qenë mirë me veten, bëhesh i vetëdijshëm për vlerat që ke. Kështu që përkushtimi që artisti i dedikon profesionit e bën të ecë përpara. Mirëpo, në gjithë këtë rrugëtim, duhet që artisti, por edhe çdo i ri tjetër të pozicionojë vetveten në mënyrë inteligjente. Pozicionimi i vetvetes nuk do të thotë të tregohesh mendjemadh ndaj të tjerëve, por të rrisësh kërkesat ndaj vetes.

Cekët kapërcimin e vështirësive. Çfarë e ka bërë Invën që pas çdo sfide profesionale apo personale, të ringrihet?

Dashuria për jetën!

PANORAMA

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular