Aktori i madh dhe mjaft i dashur për shqiptarët, Mehdi Malkaj, ka “ringjallur” mbrëmjen e sotme skenën e “fjetur” të Teatrit Kombëtar. Me melodramën “Marr guximin”, aktori Malkaj ngriti në këmbë publikun shqiptar, i cili ishte mbledhur për të ndjekur pas shumë muajsh një shfaqje në skenën e teatrit, për të cilin ka rinisur sërish debati për shembjen e tij.
Melodrama “Marr guximin” shënoi sonte rihapjen e Teatrit Kombëtar dhe kjo ishte një ngjarje e shënuar dhe emocion i veçantë për të gjithë artistët që po mbrojnë me mish e shpirt godinën plot vlera të teatrit.
Kështu, aktori Malkaj, që interpretoi në skenë, nuk i mbajti dot lotët nga emocionet, ndërsa ofroi një shfaqje të mrekullueshme, që u duartrokit pafund nga publiku.
Publiku me dritat e telefonit ndezur brohoritën në kor: “Poshtë diktatura”.
Një ditë më parë, aktori Mehdi Malkaj i dha një mesazh kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar që të mos shembet godina e Teatrit Kombëtar, ndërsa shfaqja e tij u pasua me komente të shumta në rrjetet sociale.
Qytetarë të ndryshëm falenderuan aktorin për shfaqjen, ndërsa shumë të tjerë e panë si frymëzim në luftën kundër qeverisë që çdo gjë publike kërkon ta përvetësojë përmes projekteve korruptive.
Disa minuta shfaqje teatrale që ishin grusht i fortë për propagandën e fuqishme disa-vjeçare të Rilindjes dhe kryeministrit Edi Rama.