Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dhënë një mesazh ndryshe këtë të diel, duke shkëputur vëmendjen nga kriza e thellë politike disamujore. Kreu i Shtetit ka përshëndetur miqtë e tij virtualë në “Facebook”, përmes një foto-mesazhi.
Siç shihet dhe në foto, Meta shfaqet në një kopsht me domate, të cilat nuk janë pjekur akoma.
Kreu i Shtetit jep një mesazh të koduar për mazhorancën e Edi Ramës, me të cilën vijon përplasjen që pas zgjedheve të 30 qershorit, që nuk i ka njohur, pasi ka dekretuar 13 tetorin si datë të zgjedhjeve vendore. Ai thekson se duhet të durojmë edhe ca, derisa domatet të piqen, duke nënëkuptuar me këtë një mazhorancë “të papjekur”, por edhe duke dhënë edhe një mesazh goditës për bujqësinë, që është një ndër sektorët më të sulmuar nga opozita.
“Përshëndetje miq! Domatet duan ende kohë për t’u pjekur. Do durojmë edhe ca!”, shkruan Meta.
Zakonisht, në fundjava Meta shkëputet nga politika, duke përshëndetur me mesazhe ndryshe, nga plazhi ose nga mali.