Konfirmohet në detyrë drejtuesi i Apelit të Krimeve të Rënda, Altin Dumani.
Vendimi është marrë sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa Dumani që doli i pastër nga vettingu është njëherësh kandidat për SPAK.
Dumani ka kaluar me sukses të treja shtyllat e vettingut, si pasurinë, figurën morale dhe aftësinë profesionale. Pikërisht tek kjo e fundit, KLP-ja e ka renditur të parin më të mirë, pra kryeson listën e 15 kandidatëve të SPAK.
Dumani rezulton në këto kushte të jetë kandidati më potencial për të marrë drejtimin e SPAK.
Madje një ditë më parë, teksa rivlerësohej nga KPK-ja, Theo Jacobs, vëzhguesi ndërkombëtar që konsiderohet si “i tmerrshmi” apo si “pedant” në punën e tij për pastrimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri nuk i ka bërë asnjë pyetje.
Kujtojmë që përplasjet e këtij të fundit me gjyqtarë e prokurorë gjatë seancave dëgjimore shpesh kanë bërë lajm në median shqiptare, por për Dumanin, Jacobs ka deklaruar se “ishte dita e tij me fat”.
Dhe kështu ka ndodhur, sot ai është konfirmuar në detyrë.