BallinaKryesoreIsh-prokurori: Letrat për Enver Hoxhën dhe akuzat për tortura në burg

Ish-prokurori: Letrat për Enver Hoxhën dhe akuzat për tortura në burg

Goditja e Kadri Hazbiut, kreut më jetëgjatë të Ministrisë së Brendshme, ka qenë nga më të bujshmet në odisenë e spastrimeve që partia dhe shefi i saj, Enver Hoxha, bëri në radhët e lidershipit komunist. Njeriu që tërë jetën do t’ia kushtonte vigjilencës për të shpëtuar partinë dhe vendin nga tradhtitë dhe prapaskenat, më në fund mbeti edhe vetë viktimë e këtij mekanizmi vrastar, i kryqëzuar fatalisht si të gjithë “armiqtë e partisë dhe të pushtetit popullor”.

Gjithçka do të vinte menjëherë pas aktit tragjik të ish-Kryeministrit, Mehmet Shehu. Kjo ngjarje do ta vinte emrin e Kadri Hazbiut në listën e të dyshuarve kryesorë dhe çdo gjë pastaj do t’i nënshtrohej rrjedhës së spastrimeve që partia u bënte “tradhtarëve” dhe “agjentëve potencialë”, të dalë nga radhët e liderëve të rëndësishëm. Më tej, autoritetet politike do të kujdeseshin për sqarimin zyrtar, sipas të cilit, ish-ministri historik i Ministrisë së Brendshme, kishte qenë agjent i KGB-së dhe kishte tentuar për të vrarë Enver Hoxhën. Përtej këtij njoftimi, askush nuk mund të vinte në dyshim, në atë periudhë, “zbulimin” e udhëheqjes së partisë, ca më tepër të guxonte për ta përshkruar ngjarjen me profil tjetër.

Nga gjithë kjo histori është mësuar interpretimi që i bëri partia dhe udhëheqja e saj eliminimit të Kadri Hazbiut, si tradhtar e agjent i të huajve, janë njohur aspekte të veçanta nga hetimet dhe gjykimi i tij nëpërmjet rrëfimeve të njerëzve që kanë qenë afër ngjarjes, janë zbardhur momente të panjohura nga pozicioni i vështirë i të akuzuarit “Vip”, etj. Nuk dihet ende si nisi zanafilla e dosjes së veprimtarisë armiqësore të njeriut që kishte operuar për dekada me këto dosje, nuk dihen rrethanat, në të cilat Enver Hoxhës iu mbush mendja që njeriu më besnik i tij paskej qenë dora e fshehur, që do ta eliminonte pas shpine.

Akoma nuk është e njohur situata, në të cilën u penalizua Kadri Hazbiu, emrat e njerëzve që sollën provat e para për tradhtinë e tij, nuk dihet procedura që ndoqi udhëheqja e lartë për ta çuar atë në bankën e të akuzuarit dhe para skuadrës së pushkatimit.

Në vijim të intervistës për “Panorama”, Rrapi Mino, ishprokurori i Përgjithshëm, zyrtari i rëndësishëm i regjimit që drejtoi nga fillimi deri në fund procesin misterioz ndaj ish-shefit të Sigurimit të Shtetit, ish-mikut të tij të dikurshëm, zbulon një pjesë të këtyre mistereve, duke e risjellë historinë nga pozita e dëshmitarit, që i ka ndjekur zhvillimet nga afër dhe ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e tyre…

Ju keni drejtuar nga fillimi në fund procesin ndaj Kadri Hazbiut. Ju kujtohet takimi i parë me të në qeli?
Takimi i parë nuk kishte të bënte fare me hetimet. Ato akoma nuk kishin filluar. Për herë të parë, në qelinë e Kadri Hazbiut, kam shkuar me urdhër të Enver Hoxhës disa ditë pasi ishte arrestuar. Në mos gaboj, kishin kaluar tri ditë nga arrestimi i tij. Lajmin për të shkuar aty ma dha Hekuran Isai, i cili në atë kohë ishte ministër i Brendshëm…

Pra, ju dërgoi Hekuran Isai te Kadri Hazbiu?

Nuk më dërgoi Hekuran Isai, por ai më thirri në telefon: “Vjen pak këtej”, më tha. “Hajde, hajde, se kam një porosi”. Shkova. Një çast si mbërrita në zyrën e tij, më tha se kishte marrë një porosi nga Enveri për t’ia përcjellë Kadri Hazbiut në qeli.

Çfarë porosie kishte Enveri për Kadriun, kur kishte vetëm pak ditë që ishte përballur me të në mbledhjen e Byrosë?…
Ishte një porosi e veçantë e tij. Bile, me udhëzimin që t’ia komunikonte Prokurori i Përgjithshëm…

Cila ishte porosia?
Kadriu i kishte bërë një letër nga burgu dhe Enveri, pasi e kishte lexuar, kishte bërë shënimin në krye të saj.

Çfarë shkruante në letër Kadriu?
Ai i shkruante Enverit se bëheshin veprime të paligjshme me të dënuarit në dhomat e izolimit. I shkruante se ata torturohen e detyrohen të bërtasin ditën dhe natën. Kështu si vazhdon kjo situatë, i thoshte, nuk dihet si do t’i dalë fundi kësaj pune. Në aq sa shkruante aty, Kadriu nuk ankohej për vete, biles i vinte në dukje se me të nuk kishte pasur të tilla veprime. Mirëpo, Enveri nuk e besonte këtë gjë dhe i kthen përgjigje Kadriut: “Mos i ke bërë vetë ti Kadri këto gjëra kur ke qenë ministër i Brendshëm?”. Këtë reagim të Enverit të shprehur në letrën origjinale të Kadriut, ia çova, sipas porosisë, Kadriut në qeli…

Shkuat vetë në qeli të Kadriut?
Jo në qeli. Në burg kishte një dhomë të veçantë që përdorej për hetime. Aty komunikova me Kadriun. E thirri roja dhe erdhi i shoqëruar. Me mua ishte dhe Hekuran Isai. “I ke shkruar një letër shokut Enver”, iu drejtova unë. “Po”, ma ktheu. “Letrën e ka marrë dhe me porosi të tij po të komunikoj përgjigjen që është e shkruar aty”. Ia lexova. Ia zgjata si kisha detyrën për ta lexuar edhe ai vetë. E mori e lexoi. “Lexoje me kujdes”, i thashë. “E lexova”, tha ai. “A t’i kthej përgjigje shokut Enver?”. “Mirë”, ia bën Kadri Hazbiu. “Po për akuzën, çfarë mund të thuash?”, e pyeta. “Unë i kam thënë këto gjëra. Asgjë prej tyre nuk është e vërtetë”. “Pa kujtohu edhe një herë se njerëz jemi”, iu drejtua një çast Hekuran Isai…

Me kaq u mbyll takimi i parë me Kadri Hazbiun?
Pasi mbaruam bisedën, sipas detyrës që kisha marrë, e pyeta se çfarë do bënte pas kësaj. “Çfarë do bëni juve,- më tha,-se unë mbarova”. “Mos ke ndonjë gjë tjetër”,-i thashë. “Jo”, u përgjigj dhe u bë gati të çohej. Kaq ishte ky takim që pasoi me dhjetëra e qindra të tjerë deri në fund të procesit…/Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular