Rrapi Mino, Prokurori i Përgjithshëm më jetëgjatë i regjimit komunist në rrëfimin e tij ekskluziv për “Panorama” ka treguar rreth procesit gjyqësor ndaj grupit armiqësor të Kadri Hazbiut. Komunikimi i dënimit më vdekje në qelinë “VIP” të burgut 313 dhe deri tek tentativa që ndërmorën ish-zyrtarët e regjimit komunist për ti shpëtuar skuadrës së pushkatimit. Mino tregon takimet në qeli me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e të tjerë.
Po ashtu Mino ka rrëfyer dhe fjalët e fundit te Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut, kur i komunikoi dënimin me vdekje.
Çfarë dënimesh parashikonte pretenca që kumtuat në fund të procesit?
Në pretencë propozoja dënimin me vdekje, pushkatim për Kadri Hazbiun, Feçorr Shehun dhe Llambi Peçinin. Për Mihallaq Ziçishtin kërkova 25 vjet burg, ndërsa për Ali Cenon dhe Xhevit Ismailagen diçka më pak…
Cili ishte reagimi i të dënuarve kur dëgjuan pretencën tuaj?
Ata u shprehën njëri pas tjetrit siç e përcaktonte procedura përkatëse. Deponimet e tyre të fundit duheshin regjistruar para se të jepej vendimi nga trupi gjykues. Kështu ndodhi dhe në këtë rast. I pari foli Kadri Hazbiu. Deponimi i tij ishte një shpërthim revoltues. Pastaj u çua Feçorri që përmendi të njëjtin refren, “Jam i pafajshëm”, si gjatë gjithë procesit. Ndërkohë, të tjerët, me sa më kujtohet, vunë në dukje se kishin besim te Partia që do ta gjykonte drejt për dënimin e tyre…
Ndërkohë, trupa gjykuese e vlerësoi të drejtë pretencën tuaj duke e kthyer në vendim të formës së prerë…
Patjetër që kështu do të ndodhte…
Nga salla e gjyqit, të dënuarit u kthyen në qeli. Çfarë ndodhi me ta më tej? A pati negociata të tjera për të mësuar diçka më shumë nga aktiviteti i tyre i fshehtë, siç ndodhte rëndom me të dënuarit VIP?
Ata iu drejtuan Presidiumit të Kuvendit Popullor, siç ua lejonte ligji, për t’u falur jetën. Ishte kjo mundësia e fundit që t’i shmangeshin përballjes me skuadrën e pushkatimit. Po në rastin e tyre nuk funksionoi. Përfundimisht, mbeti në fuqi vendimi i gjykatës. Që do të thoshte se pritej vetëm urdhri i ministrit të Brendshëm për të bërë ekzekutimin e tre të pandehurve…
Gjatë kohës që pritej përgjigjja e Presidiumit të Kuvendit Popullor, patët ndonjë negociatë me Kadri Hazbiun?
Unë për vete, jo. Kam dëgjuar që e ka takuar Hekuran Isai, por çfarë kanë biseduar nuk mund të them gjë.
Sipas dokumenteve, ju i keni njohur të pandehurit me përgjigjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor te vendi i ekzekutimit…
Ashtu ka qenë. Aty jam takuar për herë të fundit me ta…
Një nga dëshmitarët okularë ka pohuar për “Panoramën”, se te vendi i ekzekutimit në Linzë, Kadri Hazbiu ka shkuar i vdekur, ndërkohë që ju thoni se aty i keni komunikuar vendimin e Presidiumit…
Kadri Hazbiut ia kam komunikuar vendimin e Presidiumit në qeli. Po kështu, edhe Feçorr Shehut. Te vendi i ekzekutimit ia kam komunikuar Llambi Peçinit dhe Llambi Ziçishtit…
Atëherë, pse e keni shkruar ndryshe në dokument? Mos vallë e keni plotësuar atë në zyrë?
Unë po tregoj atë që ka ndodhur dhe si ka ndodhur.
Çfarë u tha Kadri Hazbiu kur i komunikuat urdhrin e pushkatimit në qeli?
M’u përgjigj shpërfillës…
Cilat ishin fjalët e fundit që shqiptoi?
“Nuk kisha dyshim”, tha. Nuk shpresoja gjë tjetër. Vetëm kaq dhe u mbyll në vetvete…
Po Feçorr Shehu si reagoi?
Feçorri, kur i thashë që Presidiumi nuk ia fali jetën, u çua nga krevati dhe më tha: Po si kështu? “Ashtu si vendosi gjykata”, i thashë unë…
A binte ndesh me procedurën e kohës ky komunikim në qeli? Çfarë ju detyroi ta bënit këtë, kur për dy të dënuarit e tjerë nuk vepruat kështu?
Kanë kaluar kaq vite dhe nuk më kujtohet mirë për çfarë arsyesh shkova dhe ua dhashë në qeli vendimin e ekzekutimit. Nuk di çfarë të them më shumë…
Po kur shkuat te vendi i ekzekutimit dhe komunikuat me dy të dënuarit e tjerë, ishte aty Kadri Hazbiu e Feçorr Shehu, apo kishin vdekur në qeli, siç thotë një dëshmitar…
Të thashë që me Kadriun e Feçorrin këtë procedurë e bëra në qeli, te Burgu 313, aty nuk kisha çfarë të komunikoja tjetër me ta…
* Intervistë ekskluzive për “Panorama”.