BallinaKryesoreUrrejtja e Rilindjes ndaj pronarëve dhe kthimi i pronave të sekuestruara në...

Urrejtja e Rilindjes ndaj pronarëve dhe kthimi i pronave të sekuestruara në ‘peshoren’ e fundit

spot_img
spot_img
Nga Bujar Nishani 

Prej disa vitesh tashmë projekti evropian i shqiptarëve dhe rruga e procesit të integrimit të Shqipërisë në kulturën dhe modelin perëndimor është minuar në mënyrë sistematike dhe mbi një platformë politike të ideuar dhe zbatuar me fanatizëm.

Shqiptarët mund të shohin sot mjaft prova të këtij synimi antievropian, shërbimi antiperëndimor e misioni antishqiptar.

Shkatërrimi i institucioneve të shtetit, kalbëzimi i parimeve të një sistemi demokratik, korrupsioni dhe hajdutëria masive, dorëzimi i shtetit tek grupet e krimit të organizuar, imponimi i emigrimit masiv veçanërisht i trurit dhe rinisë, degradimi i pushteteve të ekujlibrave të shoqërisë e mjaft të tjera e dëshmojnë sot këtë platformë antievropiane dhe antishqiptare.

Një prej detajeve më të liga të asgjesimit të mundësive të përjetimit të lirisë dhe të drejtës për zhvillim e përparim është rikthimi i qëndrimit armiqësor ndaj pronës private të sekuestruar prej etërve menjëherë pas vendosjes së regjimit komunist dhe të rivendosur si politikë e sjellje shtetërore sot prej bijëve.

Një prej akteve të para antikushtetuese të regjimit të sotëm, ishte rrëzimi i ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronës sekuestruar prej komunistëve pas Luftës së Dytë Botërore, një ligj që me gjithë problematikat dhe vakumet që mbartte, kishte funksionuar prej gati 25 vitesh e vijonte të përmirësohej.
Asgjesimi i këtij ligji risolli platformën politike të ri/sekuestrimit të pronave të shtresës së pronarëve të hershëm e të vërtetë por të klasifikuar si armiq të sistemit përfaqësuar nga ish-stalinistët shqiptar.

Politika e rivendosur antipronare u shoqërua dhe vijon të kompletohet me një platformë agresive propagande mediatike brenda vendit dhe lobimi me qarqet e ekstremit të majtë në ambientin dhe institucionet ndërkombëtare.

Sot është e provuar se sipas këtij ligji bolshevik-bis, e njëjta pronë vlerësohet me dy standarte të ndryshme pasi pronarët kompensohen me një vlerë deri në 100 herë më të vogël ose konsiderohen të kompensuar për shkak të metodologjisë së ndryshuar të vlerësimit ku qëndron në fakt edhe kapsula e helmit të urrejtjes politike e klasore prej bijve të etërve.

Urrejtja klasore e rilindjes së ish-stalinistëve shqiptarë është aq e thellë për pronarët realë sa që edhe pse Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar disa prej ne neneve të ligjit famëkeq të risekuestros, përsëri qeveria aktuale asnjëherë deri sot nuk inicioi plotësimin e këtyre pjesëve të shfuqizuar të ligjit, por vazhdoi të zbatojë të njëjtën metodologji, të miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave duke kryer një shkelje të rëndë, pasi një dispozitë e shfuqizuar e ligjit nuk mund të plotësohet me VKM.

Megjithëse ka përfunduar afati tre vjeçar i përcaktuar që ATP të realizonte vlerësimin financiar të të gjitha vendimeve rezulton se ka një numër shumë të lartë të vendimeve për kompensim të pronës për të cilat ATP nuk ka realizuar vlerësimin financiar.

ATP ka shqyrtuar vetëm 1/3 e tyre, për të cilat pothuajse tërësisht është vendosur refuzimi i njohjes së pronës, ç’ka konfirmon urrejtjen klasore të bijve të etërve.

Si në çdo platformë të ekstremit të majtë, propaganda, korrupsioni dhe ideologjia e trushplarjes, përshkon edhe këtë platformë antipronë të trashëguar apo fituar me punë, djersë e ligj.

Prej ditës së parë të rikthimit të kësaj politike të urrejtjes klasore, qeveria ka shpenzuar më shumë para në reklamimin dhe propogandimin e lajmeve të rreme “fake news”, për gjoja kthime e kompensime pronash se sa për vetë procesin e pronarët e grabitur.

Po kaq skandaloze dhe korruptive ka qenë dhe mbetet fushata lobuese e qeverisë aktuale që në mënyrë të vazhdueshme përpiqet “t’i mbushë mendjen” Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, se ligji i ri stalinist ka zgjidhur të gjitha problematikat e konstatuara dhe realizon të gjitha rekomandimet e dhëna nga Gjykata Europiane.

Izolimi i qytetarëve nga marrja e informacioneve administrative për të djegur të drejtën e tyre ligjore për ti ndjekur çështjet në rrugë gjyqësore është filli djallëzor që ka përshkuar të gjithë sjelljen e urrejtjes klasore prej kësaj qeverie.

Qeveria ka gënjyer pa skrupuj Gjykatën Evropiane sistematikisht.

Referimi i saj se janë ekzekutuar 500 vendime për kompensim, fsheh të vërtetën dramatike se ky numër vendimesh të ekzekutuara përbën vetëm 2 përqind të numrit të vendimeve për kompensim, në një kohë që ka kaluar 1/3 e afatit 10 vjeçar brenda të cilit, sipas ligjit duhet të përfundojë procesi i kompensimit të plotë të pronarëve, si dhe ka vënë në dispozicion vetëm gjysmën e shumës që ka patur si detyrim, madje dhe me vlerën skandaloze të pronës që vetë qeveria cakton, sipas asnjë lloj logjike tregu e juridike.

Tashmë standarti i kthimit të pronës së sekuestruar nga regjimi komunist mbetet në peshoren e fundit të mbrojtjes të së drejtës fondamentale, në gjykimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila duhet të lirojë nga bllokimi i gjatë vendimet mbi të drejtën, lirinë, anti/ksenofobinë ndaj një populli që pret prej më shumë se gjysëm shekulli të rifitojë të drejtën e grabitur me dhunë, pronën e vet të uzurpuar dhe shfrytëzuar nga të tjerë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular