Të dhënat e Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilit (EASO) bëjnë të ditur se deri në fund të muajit qershor kishte 11,595 raste të mbetura pezull për aplikime për azil nga shqiptarët. 46% e këtyre rasteve kanë më shumë se 6 muaj pezull, të tjerat më pak se 6 muaj.

Pasi rastet e mbetura pezull ranë në rreth 7,300 në janar 2018, ato filluan të rriteshin sërish në pjesën e parë të këtij viti, si rrjedhojë e rigjallërimit të ciklit të emigracionit. Të dhënat e tjera të EASO bënë të ditur se në 6 muajt e parë të vitit kishte 10,439 kërkesa për azil për herë të parë nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Europian. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kërkesat për azil janë rritur ndjeshëm me 29.3%.

Rastet e mbetura pezull janë ndër më të lartat në rajon edhe për faktin se aplikimet për azil janë dukshëm më të larta në raport me shtetet fqinjë, mesatarisht 4-5 herë më shumë. Serbia ka rreth 1500 raste pezull, Maqedonia e Veriut, 740, Bosnja 619, Kosova 1600.

Por, pjesa më e madhe e atyre që presin ka shumë gjasa të marrin përgjigje negative. Shqipëria nuk është as në luftë dhe as në konflikt civil, që do i jepte përparësi qytetarëve të saj. Përkundrazi cilësohet prej vitesh si një vend i sigurt dhe për më tepër që është në proces negociatash për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, megjithëse ky process po shtyhet e po shtyhet.

Të dhënat e EASO tregojnë se mesatarisht 93-96% e aplikimeve nga shqiptarët marrin një përgjigje negative. Për shembull, në qershor nga 1750 aplikime që u shqyrtuan, vetëm 58 morën status refugjati dhe 57 morën mbrojtje sociale, të tjerët u refuzuan të gjithë. Vetëm pak ditë më parë nga Franca u kthyen 60 azilantë dhe autoritetet franceze e shqiptare paralajmëruan se nuk ka shanse që shqiptarët të pranoheshin.

Por, ky refuzim nuk i pengon shumë të ikin. Që nga viti 2014, mbi 180 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në një nga vendet e BE-së, ku rekordi u arrit në 2015-n me rreth 69 mijë aplikime. Pas rënies në periudhën në vijim, 2019-a, e shoqëruar me kriza të tejzgjatura politike, duket se humbi më tej shpresën dhe nxiti një valë të re ikjesh./Monitor

Capture 18