BallinaAktualitetDjegja e mandateve, akti që risolli amerikanët në Ballkan

Djegja e mandateve, akti që risolli amerikanët në Ballkan

Nga Red Varaku

Ka shumë arsyetime rreth djegjes së mandateve nga opozita dhe fuqisë që ka kauza e saj për standardet e zgjedhjeve duke qëndruar jashtë parlamentit dhe institucioneve. Sigurisht, janë arsyetime naive sepse nuk marrin parasysh se reagimi i Opozitës ishte pasojë e përgjimeve që u publikuan nga Zëri i Amerikës dhe më pas nga BILD. Ata që nuk ia kanë idenë fuqisë së shtypit në SHBA dhe BE spekullojnë me idenë që në këtë histori Opozita është vetëm dhe pa aleatë.

Në pritje për ta zgjidhur këtë krizë, po shtohen edhe disa zëra artificialë për dialog, zëra të prodhuar në laboratorin pranë kryeministrisë. Por, problemi që ka sot politika shqiptare, nuk është më vetëm çështja e standardeve zgjedhore, por mënyra se si do të shkatërrohet ky sistem kriminal, i cili i ka futur rrënjët thellë në çdo qelizë të shoqërisë, gjithashtu është edhe rikthimi i pasurive publike që pushteti i marrë barbarisht në bashkëpunim me bandat më të rrezikshme në vend dhe Europë, sërish tek qytetarët.

Për shkak të këtij bashkëpunimi, që të ngjashëm ja vetëm vende afrikane si Kenia apo Angola, demokracia shqiptare po përjeton krizën e saj më të rëndë në historinë e saj. Ky është edhe bilanci më i hidhur i këtyre gjashtë vjetëve plaçkitje.

Dy vjet pas divorcit me LSI-në dhe martesës me krimin, ne kemi një bilanc tepër të hidhur : kemi kapjen politikisht të drejtësisë, kemi një rënie drastike të lirisë së medies, kemi një goditje të pakthyeshme ndaj lirisë ekonomike në vend , kemi një rikthim të frikshëm të qëndrimeve selektive , që të kujtojnë luftën e klasave 30 vite më parë, por mbi të gjitha nga kjo martesë kemi ‘bastardin’ 30 Qershor, një ngjarje fatale për demokracinë.

Dy vjet pas kësaj bashkëjetese të hapur me krimin, vendi ka kaluar tërësisht në paligjshmëri. Kemi zgjedhje pa dekret presidencial, pra zgjedhje të paligjshme, kemi një gjykatë tërësisht politike, e cila me urdhër të kryeministrit jep dy vendime për të njëjtën çështje, kemi një prokurori politike që jo vetëm nuk arreston protagonistët e dosjeve 339 dhe 184, por është në përpjekje të hapur dhe skandaloze për t’i mbyllur ato.

Kemi pothuajse të gjithë median në shërbim të qeverisë, kemi sërish kandidatë me rekorde kriminale, kemi ndëshkim politik të biznesit, kemi rikthimin masiv të fenomenit të kanabisit, kemi lirim të kriminelëve të famshëm nga burgjet, kemi rritje të varfërisë dhe largim masiv të njerëzve.

Në këto kushte të asgjësimit të lirive , të humbjes së garancive tek sistemi gjyqësor, të përdhunimit të lirisë ekonomike dhe sulmeve shantazhuese mbi medien kritike, edhe sikur zgjedhjet e 2017 të ishin të rregullta dhe Opozita të ishte normalisht në parlament, sot pas gjithë këtyre skandaleve, ajo jo vetëm duhet të kishte dalë nga parlamenti, por duhet t’i kishte vënë flakën atij.

Ndërkohë arroganca, me të cilën Rama po përpiqet të bëjë presion mbi Opozitën dhe të vetmin institucion të pavarur Presidencën, do të ishte arsye e mjaftueshme, për të ikur nga parlamenti. Një parlament i diskretituar i cili është kthyer në pushtetin kryesor që po rrënon të gjitha institucionet e tjera.

Këto janë shenja që tregojnë se kryeministri , jo vetëm që nuk kontrollon dot më situatën, por ai nuk kontrollon dot më as veten.

Sjellja e tij e papërgjegjshme ka filluar të sjellë pasoja jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, sidomos me aleancën e tij me ministrin e kasapit të shqiptarëve Millosheviç, sivllain e Moskës z.Vuçiç.

Ndërkohë dalja kundër Europës dhe Perëndimit me mbështetjen e hapur që ai i dha projektit të Moskës për ndarjen e Kosovës, pikërisht tani që ‘beteja’ me Moskën po merr përmasa të rëndësishme në gjeopolitikë, e vulosi fatin e tij.

Ndaj edhe faktori ndërkombëtar, sidomos ai amerikan tashmë është shumë i shqetësuar për krizën ballkanike dhe e ka të qartë, që kjo krizë i ka rrënjët në Shqipëri, prandaj ka rritur presionin kundër tij, duke rikthyer në Ballkanin Perëndimor prezencën e tyre nëpërmjet emërimit të z. Palmer.

Rikthimi i prezencës amerikane në Ballkan, ka qenë gjithmonë si kundërpeshë ndaj prezencës së Moskës, dhe gjithmonë ka qenë në favor të mbrojtjes së faktorit shqiptar nga hienat sllavo-komuniste, që na rrethojnë.

Edhe më naivët, përveç atyre që hanë përsheshin magjik të Ramës, e kanë të qartë që nëse ka diçka që amerikanët urrejnë më shumë se çdo gjë, ato janë tiranët dhe diktaturat, aq më tepër kur ato janë diktatura krimi. Ata ndërhyjnë në mënyrë radikale vetëm kur demokracia është në rrezik dhe kur tirania është në prag.

Dhe e gjitha kjo, është pasojë e luftës së paprecedentë që ka bërë Opozita shqiptare. E gjitha kjo falë aktit sublim të djegjes së mandateve. Një akt që e nxorri lakuriq edhe njëherë perversitetin e këtij regjimi. Një akt që detyroi faktorin ndërkombëtar të kthehej dhe të shokohej nga plagët që rihapi barbaria e komunistëve ‘të ringjallur’ mbi kombin tonë .

Një provë që tregoi se populli shqiptar nuk ka harruar dhe se ka akoma burra dhe gra gati për tu sakrifikuar për lirinë, për demokracinë. Një akt që riktheu në jetë shpresën dhe vlerat perëndimore dhe i tregoi Botës dhe Perëndimit, që ky popull nuk i pranon më diktatorët dhe e meriton si askush tjetër integrimin në familjen e madhe perëndimore.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular