BallinaAktualitetNuk mbahet pushteti duke shtrënguar karrigen, Rama!

Nuk mbahet pushteti duke shtrënguar karrigen, Rama!

Nga Elona Caslli

Rama, thonë se nëse do të njohësh brendinë e një familjeje, fillimisht duhet të njohësh kryefamiljarin e saj. Fytyra e kryefamiljarit shëmbëllen me brendinë e familjes.

Besoj se e njëjta logjikë vlen edhe mbi një komb. Tek e fundit kombi nuk është gjë tjetër veçse një familje e madhe. Ti je kryefamiljari ynë dhe ne jemi familja jote. Fytyra jote shëmbëllen me brendinë tonë. Në familjen e madhe të kombit, shëmbëlltyra jote është e pranishme kudo. E gjen atë në shumë institucione , sikundër edhe në hallka të ndryshme brenda këtyre të fundit.

Çdo herë që përballem me një reagim apo veprim tëndin, më vjen ndërmend figura e një të rekrutuari partiak në administratën e rilindjes. Të rekrutuarit partiakë nuk kanë individualitet. Duket se një fabrikë e posaçme i ka prodhuar në seri dhe i ka nxjerrë në treg. E mandej Rilindja ka shkuar të bëjë pazar dhe i ka blerë me shumicë dhe i ka shpërndarë në formë ndihmash në administratën shtetërore.

Duke qenë se e nënvizon shpesh faktin që gjuha shqipe duhet të shkruhet ashtu siç i ka hije, të ftoj t’i hedhësh një sy shkresave që qarkullojnë në administratën tënde. Pasi t’i kesh vëzhguar me kujdes, do të kuptosh që cilësia e punës në administratën tënde, përkon me cilësinë e gjuhës shqipe brenda shkresave. Të rekrutuarit e tu partiakë kanë vetëm një agument; pozicionin e tyre, të cilin ua ka dhuruar partia në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në fushatë.

Nëse dikush u nënvizon paditurinë e tyre, ata vetëm qeshin. Është e frikshme të shohësh dikë që qesh me paditurinë e vet. Dhe pas të qeshurës me paditurinë, shqiptohet argumenti i përjetshëm : Unë jam përgjegjësi ! Me pak fjalë- Unë jam përgjegjësi ; më lejohet të jem i paditur, më lejohet gjithçka sepse jam përgjegjësi. Pozicioni im përligj paditurinë time, papërgjegjshmërinë time dhe gjithçka tjetër.

Dhe zakonisht këto fjalë të rekrutuarit e tu partiakë, i thonë ose duke shtrënguar një dosje përmbajtjen e së cilës nuk e njohin, ose duke shtrënguar karrigen ku janë ulur. Ti po bën të njëjtën gjë Rama! Po shtrëngon fort karrigen ku je ulur dhe po përdor të njëjtin argument, që në ligjëratë të drejtë është- Unë jam Kryeministri! Nuk mjafton vetëm të jesh Kryeministër! Duhet edhe të sillesh si i tillë! Nuk mjafton të shtrëngosh karrigen ku je ulur! Duhet edhe t’i dalësh zot asaj karrigeje! Post Scriptum- Dhe sikundër do të shprehej një i rekrutuar partiak: -Fundjavë të këndshme Rama! Elona Caslli

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular