BallinaKronikeProtestuan kundër tarifës në “Rrugën e Kombit”, gjykata dënon 8 kuksianët

Protestuan kundër tarifës në “Rrugën e Kombit”, gjykata dënon 8 kuksianët

Gjykata vendosi 6 muaj burg, të konvertuar me periudhë prove për një vit, për 8 pjesëmarrës në protestën kundër vendpagesës në autostradën Durrës-Kukës me 31 mars të vitit kaluar. Mbrojtja e cilësoi vendimin të padrejtë, ndërsa tha se po dënoheshin për hedhje parrullash.

Pas disa seancave maratonë prej më shumë se një viti e gjysëm, Gjykata e Kukësit ka vendosur të dënojë me 6 muaj burgim të konvertuar në periudhë prove një vit, tetë prej protestuesve kundër vendpagesës në “Rrugën e Kombit”, të cilët nuk pranuan të nënshkruajnë marëveshje fajësie me prokurorinë dhe pretenduan pafajësi.

Tetë protestuesit Ervis Oruçi, Armand Ademaj, Fatos Harulla, Mirdaim Nerguti, Lulzim Popa, Ahmet Tobli, Shpetim Todaj dhe Shaban Selmanaj, janë akuzuar nga prokuroria për veprën penale të “Shkatërrimi i pronës” parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal dhe “Kundërshtimit të punonjësit policisë së rendit publik”, të parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal.

Prokurori i çështjes Edmond Karriqi kërkoi në seancën e zhvilluar me 23 korrik në mbështetje të nenit 378 të Kodit të Procedurës Penale 6 muaj burg të konvertuar në periudhë prove, kërkesë që është pranuar nga gjyqtarja e çështjes Flutura Hoxha në seancën e së enjtes.

Në këtë séancë, nga tetë të akuzuarit ishin të pranishëm vetëm tre prej tyre, pikërisht Ahmet Tobli, Shaban Selmanaj e Lulzim Popa. Në fjalën e tij të mbrojtjes, avokati i të pandehurve Ilir Nerguti ka kërkuar pafajësi për klientët e tij. “Klientët që unë mbroj nuk kanë bërë asnjë veprim të jashtëligjshëm. Prokuroria ka paraqitur si provë materiale pamjet e protestës të transmetuara live nga TV Ora Neës, Neës 24, Top Channel dhe TV Klan. U kërkua nga ana jonë në një seancë të veçantë për t’i parë pamjet filmike të transmetuara nga këto TV. Pamjet janë parë edhe me përseritje dhe me xhirim të ngadalësuar. Nga pamjet filmike rezulton krejt e kundërta nga ato që paraqet prokuroria”, tha Neguti.

Ai pretendoi se të akuzuarit nuk ishin përfshirë në përplasje dhe nuk kishte asnjë provë që i fajësonte. Megjithë pretendimet e mbrojtjes, gjyqtarja e çeshtjes Flutura Hoxha ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorisë duke dënuar me 1 muaj burg secilin prej tetë të akuzuarave për veprën penale të “Shkatërrimi i pronës” parashikuar nga neni 150 I Kodit Penal dhe 5 muaj burgim për “Kundërshtimit të punonjësit policisë së rendit publik”, të parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal. Pra në total secili prej të akuzuarve është dënuar me 6 muaj burgim për një periudhë prove në kohën prej një viti dhe të mos shoqërohen me persona të dënuar gjatë periudhës së provës.

Ndërkohë që tetë të akuzuarit dhe tashmë të denuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Kukesit nuk e kanë pranuar vendimin dhe do e apelojnë në Gjykatën e Apelit në Shkodër.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular