Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt ka folur në lidhje me zgjedhjet lokale të zhvilluar më 30 qershor pa pjesëmarrjen e opozitës.
Gjatë një interviste televizive, Borchardt është shprehur se zgjedhjet lokale nuk ishin zgjidhje, ndërsa shtron pyetjen se kush do të ishte alternativa nëse ato nuk do të zhvilloheshin.
Ambasadori i OSBE-së ka thënë se arsyeja përse ndërkombëtarët kanë mbështetur zgjedhjet e 30 qershorit ka qenë për shkak se komuniteti ndërkombëtar nuk mund të lejojë cenimin e sistemit, pasi pakica nuk mund të ndalojë një proces zgjedhjesh.
“Nuk ishte zgjidhje, por cili do të ishte alternativa? Alternative do të ishte të pranohej që pakica të vendoste që të mos merrte pjesë në zgjedhje dhe zgjedhjet të mos zhvilloheshin fare dhe kjo do të cenonte të gjithë sistemin. Prandaj edhe ne e mbështetëm qëllimin e zgjedhjeve. Askush këtu… kjo vlen dhe për kolegët e mi të komunitetit ndërkombëtar besoj dhe për ODIHR, të gjithë mund të kemi shumë kritika. Por është tjetër gjë për të diskutuar nëse duhet të zhvilloheshin apo jo zgjedhjet”,-tha Borchardt.