Nga Elona Caslli
Thonë se një grua e moshuar pyeti dikur Stalinin: “ Komunizmi u zbulua nga shkencëtarët apo nga politikanët?!”.
Stalini u përgjigj: “ Nga politikanët”.
Gruaja vazhdoi: “ Këtë mendova dhe unë . Po ta kishin zbuluar shkencëtarët fillimisht do ta kishin bërë eksperiment me kavjet”
Qeveria ruse, gjatë fundit të viteve 1940, zgjodhi pesë të burgosur që konsideroheshin si armiq të popullit dhe i përdori për një eksperiment që i detyronte ata të qëndronin pa gjumë.
Një gaz eksperimental në doza të vogla, u përdor për të stimuluar pagjumësinë tek të burgosurit.
Ata u mbajtën në një mjedis të mbyllur për pesëmbëdhjetë ditë, në një ambient ku kishte libra, ujë, tualet , krevate dhe ushqim të mjaftueshëm.
Tri ditët e para, ishin të qeta dhe të burgosurit flisnin me njëri-tjetrin.
Ditën e pestë ata nuk folën më.
Në ditën e dhjetë filluan të kishin shumë shqetësime. Për tri orë me radhë njëri prej tyre vraponte dhe ulërinte nëpër dhomë.
Zëri i tij filloi të dobësohej.
Ditën e pesëmbëdhjetë, grupi i punës që drejtonte eksperimentin e fiku gazin, ndërsa të burgosurit u lutën që të ndizej përsëri.
Disa ushtarë u futën në dhomë dhe gjetën gjallë vetëm katër persona.
Të mbijetuarit kishin plagë që i kishin shkaktuar vetë.
Ky eksperiment Rus në vitin 1940 më erdhi ndërmend teksa u përballa me intervistën e Drejtorit Rilindas të Ujësjellësit në qytetin e Sarandës zotin Sheme Lulo.
Teksa ka qenë i ftuar në një studio televizive, ai ka pohuar se me qëllim i ka lënë banorët disa ditë pa ujë, për të kuptuar se sa kërkesë ka për ujë.
Diskutimi në studio
Gazetari- Sa orë ujë furnizohet në ditë Saranda?
Sheme Lulo: Rreth tetë orë. Është e mjaftueshme kjo për banorët, për qytetarët. Unë i kam lënë edhe tri ditë pa ujë, për të parë se sa kërkesë ka. Nuk i ka rënë asnjëri telefonit tim e të thotë shiko se jam pa ujë (qesh)..
Pas këtij pohimi të guximshëm më shumë se vetë guximi, nga ana e Drejtorit Rilindas lindin pyetjet?
– Jemi qytetarë apo kavje të heshtura?!
– Jemi në vitin 1940 apo në vitin 2019?!
– Jetojmë apo ekzistojmë?!
Post Scriptum- Çdo herë që do përballeni me mungesën e ujit të pijshëm, mendoni për eksperimentin rus në vitin 1940.