Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me hetimet për zbardhjen e atentatit të para pak ditëve ndaj Mariglen Hakës, 28 vjeç, të njohur ndryshe si “i forti” i Niklës. Mësohet se hetuesit e çështjes kanë ngritur dhe po udhëhiqen së fundmi nga pista e pengmarrjes, në zbardhjen e shkaqeve dhe të autorëve të ngjarjes, ku mbeti e vdekur halla e targetit të sulmit në fshatin Zezë të Fushë-Krujës.
Sipas informacioneve të marra në rrugë informale nga grupi hetimor, ka dyshime të qenësishme se autorët ende të paidentifikuar, nuk kanë patur si qëllim vrasjen e Hakës, por marrjen e tij peng. Po ashtu, të njëjtat burime shpjegojnë se grupi hetimor priret të besojë se autorët kanë pasur informacione të sigurta mbi lëvizjet e Hakës dhe që në momentet para ngjarjes, kanë qenë në dijeni se ai ndodhej në banesë.
Ndërsa, hapja e zjarrit në drejtim të hallës së objektivit, Shpresa Bashës, 50 vjeç, dyshohet të jetë motivuar pasi kjo e fundit ka mundur të zbulojë autorët duke njoftuar nipin e saj, i gjendej në oborr. 50-vjeçarja humbi jetën nga një plumb në trup, ndërsa Hakak mbeti i plagosur në krah.
Policia dyshon se autorët kanë mundur të depërtojnë në thellësi të fshatit Zezë nëpërmjet informatorëve të tyre, duke mos u diktuar në zonë. Nga mënyra e organizimit të atentatit, mendohet se autorët e krimit janë vrasës me pagesë. Në vendngjarje u sekuestruan mbi 100 gëzhoja të qëlluara armë automatike nga dy drejtime të ndryshme.
Haka, i lindur me 04.04.1991, është një personazh i njohur për policinë. Si një prej të “fortëve” të Fushë – Krujë. 28 vjeçari u arrestua në shtator të vitit 2018 së bashku me disa persona të tjerë gjatë një aksioni të RENEA-s në Nikël të Fushë-Krujës, nën akuzën e posedimit pa leje të armëve dhe të municioneve luftarake, si edhe për shitjen e lëndëve narkotike.