Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, vizitoi disa prej familjeve, banesat e të cilave janë dëmtuar nga tërmeti dhe përmbytjet, në këtë bashki.
Balla gjatë takimit me familjet e dëmtuara nga tërmeti u shpjegoi atyre vendimet e para të qeverisë për normalizimin e situatës.
“Jemi këtu për t’ju thënë se kemi përfunduar fazën e parë ku përfshihet menaxhimi i emergjencës dhe strehimi i familjeve me banesa tërësisht të dëmtuara, po ashtu verifikimi i çdo shtëpie të dëmtuar dhe të krijimit të një rregjistri të objekteve të dëmtuara realisht nga tërmeti. Dua ta nënvizoj, banesa realisht të dëmtuara nga tërmeti, për t’i prerë rrugën çdo abuzimi.
Qeveria këtë javë miratoi disa vendime shumë të rëndësishme në ndihmë të familjeve tuaja të prekura nga tërmeti prej të cilave unë do të veçoja vendimin për përjashtimin nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë për të gjitha investimet mbi banesat e dëmtuara si pasojë e tërmetit. Qeveria do të sjellë në Kuvend Aktin Normativ për rishikimin e buxhetit të këtij viti, i cili garanton ndër të tjera edhe përdorimin e fondit rezervë për përballimin e situatës emergjente nga tërmeti.
Gjatë gjithë situatës së krijuar menjëherë pas tërmetit, Kryeministri Rama ka mbajtur kontakte me homologët e tij në Europë, duke siguruar mbështetjen e tyre në përballimin e situatës.Ne duhet të jemi mirënjohës për solidaritetin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, plot 14 vende, duke ofruar ndihma të domosdoshme për përballimin e emergjencës. Kjo është shprehje e qartë e partneritetit dhe përkatësisë sonë në BE”, deklaroi Balla.
“Asnjë familje në nevojë nuk duhet të ndihet vetëm. Është detyra jonët’ju gjendemi pranë”, tha Balla.
Gjatë vizitës në Kamëz, Balla dhe kryebashkiaku Suli inspektuan edhe punimet që ka filluar Bashkia Kamëz për pastrimin e kanaleve, ku duket qartë se në këtë bashki nuk është punuar prej vitesh.
“Kanalet e kullimit, të kthyera edhe në kanalizime të ujrave të zeza, janë të bllokuara prej vitesh. Të bllokuara nga kallamishtet dhe lloj-lloj mbetjesh të hedhura në to, duket qartë se aty nuk është vënë kurrë dorë. Kamza dhe Paskuqani kërkojnë padyshim investime të menjëhershme për kanalizimet e ujrave të zeza. Dhe për fat të mirë arritëm të bëjmë aktiv tani në Shtator një fond të Qeverisë gjermane përmes KfW prej afro 10 milionë Euro, fond i cili ishte pezull prej vitesh por që pengohej nga pa-aftësia e ish-drejtuesve të Bashkisë Kamëz. Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Kamëz shërbente deri në Shtator si tepsi për punësimin e militantëve, qofshin këta edhe rojet e SHQUP-it, por nuk kryente asnjë detyrim për abonentët. KfW kish vënë kusht shndërrimin e saj në SHA, por kush ta bënte? Luli dhe lulat e tij në Kamëz”, përfundoi Balla.