BallinaKryesoreLufta e re e Erdoganit në Siri rrezikon shndërrimin e Shqipërisë në...

Lufta e re e Erdoganit në Siri rrezikon shndërrimin e Shqipërisë në një kamp fushimi për refugjatët

Nga Ilir Nikolla

Në mënyrë të papritur, shqiptarët e gjejnë veten disi të përfshirë në luftën e re që Erdogan po planifikon të nisë në kufijtë me Sirinë, pikërisht në zonat ku “qeverisin” luftëtarët kurdë. Së pari, atje (në burgjet e Kurdistanit pra) mbahen ende dhjetëra shqiptarë “foreign fighters”, të cilët kanë qenë të angazhuar kryesisht me frontin Al-Nusra, një fraksion disident i ISIS-it, por në kampet kurde ndodhen edhe dhjetëra fëmijë shqiptarë, të lindur nga martesat e këtyre “luftëtarëve”, kryesisht me vajza nga Shqipëria, Kosova e pjesa shqiptare e Maqedonisë. Investigimi televiziv i “Le Iene” rrëfen sjelljen e pështirë të autoriteteve shqiptare (ambasadorit tonë në Turqi në këtë rast) për fatin e shtetasve shqiptarë në këtë zonë lufte. Është e njëjta papërgjegjshmëri që haset jo veç ndaj terroristëve shqiptarë, për të cilët shteti ynë do të duhej të mbante përgjegjësi, por edhe ndaj fëmijëve shqiptarë. Asnjë projekt për rehabilitimin e integrimin e tyre në shoqëri, bile asnjë bisedim as thjesht për t’i riatdhesuar.

Tani, në luftën e re që po nis, ata janë më të pambrojturit, dhe për këtë s’mund t’ua llogarisim për borxh kurdëve, veç qeverisë tonë të papërgjegjshme dhe në një masë edhe politikës imperialiste të Erdoganit, i cili mendon se mund ta shpëtojë mandatin e tij pushtetor, duke ndërmarrë një operacion likuidimi në terren të rreth 10 % kurdëve të Sirisë.

Kjo luftë e re në Siri na prek kryesisht edhe për shkak të pasojës së refugjatëve që pritet të sjellë. Shpopullimi i vendit tonë, së bashku me politikat soroiste të pranimit të refugjatëve dhe punëtorëve të krahut, pa asnjë kontroll e së shpejti me koperturën ligjore të “ius soli”-t, na kthejnë ne në kandidatë të dorës së parë që lumi i madh hakmarrës i refugjatëve që Erdogan pritet të lëshojë kundër Perëndimit, të kanalizohet në një degë të madhe edhe në vendin tonë (përfshirë edhe Kosovën e Maqedoninë natyrisht). S’është çudi që kjo degë e lumit të refugjatëve të marrë udhë edhe me marrëveshjen politike mes Ramës e Erdoganit, të cilët kanë dhënë prova më shumë se një herë që politikën e jashtme e dinë një aferë personale, e jo një diplomaci kombëtare. Gilivilet e Ramës me shkëmbimin e territoreve mund të shndërrohen në gilivile-t e disata me Erdoganin, për ta shndërruar Shqipërinë në një fushim ku do të pushojë për njëfarë kohe lumi i sirianëve që do pushtojë Evropën.

Komentet ndërkombëtare për pasojat e tërheqjes amerikane nga Siria apo të kurdëve se ky vendim është një thikë pas shpine për ata që mbajtën barrën e luftës në terren kundër ISIS-it s’kanë pse të na shfokusojnë nga interesi imediat që paraqet për Shqipërinë kriza e re e refugjatëve. Ajo na shpalos edhe njëherë papërgjegjshmërinë e sjelljes së shtetit shqiptar ndaj shtetasve të vet. Skllavërimi i mijëra shqiptarëve në Britaninë e Madhe, shifrat skandaloze të azilit në Francë, Gjermani e gjetkë, numri i pafund i të vrarëve e të keqtrajtuarve në burgjet e Greqisë si dhe shkelja brutale e të drejtave të njeriut (kryesisht votës, biznesit e pronës) në Shqipëri janë tregues se s’mund t’u besohet strukturave të pushtetit të Edi Ramës edhe menazhimi i krizës së re që po troket.

Lufta e re e Erdoganit në Siri na përket nga afër dhe do të regjistrojë kosto njerëzore edhe për shqiptarët në hapësirën ballkanike, prandaj më mirë herët se vonë, opinioni publik duhet të nxjerrë mbi ujë një qendrim mbarëkombëtar për këtë çështje, para se Edi Rama të na zbardhë nga poshtë tavolinës ndonjë firmë tjetër të çmendur të tij, si ai premtimi për pranimin e armëve kimike, si në 2013-n.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular