BallinaEkonomiZak Topuzi kreu i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit: Shqipëria duhet pastruar,...

Zak Topuzi kreu i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit: Shqipëria duhet pastruar, nuk kemi orientim të qartë

Flet Zak Topuzi, Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit

Turistët që vijnë në Shqipëri përballen me male të tëra inertesh e mbeturinash jashtë ambienteve të hoteleve, ndërkohë që në det derdhen ende ujëra të ndotur. Shqipëria ka emergjencë ndryshimin e imazhit që është krijuar për të si një vend me natyrë të bukur, por jo dashamirës me mjedisin. Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit, nënvizon se këto aspekte janë kyçe në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit dhe se duhet të qartësohet orientimi që do t’i jepet turizmit.

Topuzi thotë se vendi nuk ka një strategji dhe masterplan zhvillimi, të cilat janë kushte për ecurinë e një sektori, dhe ndërkohë që konkurrenca rajonale rritet, Shqipëria duhet të bëjë hapa më të shpejtë. Lidhur me turizmin elitar, ai thotë se nuk duhet ta përjashtojmë, por ai duhet të zhvillohet në një zonë pilot, duke tërhequr emrat më të mirë të sektorit që njihen si “Brand Name”.

Duke qenë se tashmë është mbyllur pjesa kryesore e sezonit veror, a mund të bëjmë një bilanc paraprak sesi ka qenë ky vit në këndvështrimin tuaj për turizmin?

Ky vit ka qenë i suksesshëm, duke shpresuar në rritjen me dy shifra të numrit të turistëve. Këta të fundit kanë shfrytëzuar më shumë alternativa, kanë shprehur më shumë siguri (duket nga lëvizjet familjarisht), kanë qëndruar më shumë net. Është vënë re se kanë kaluar nga Jugu në Veri duke shfrytëzuar të gjitha potencialet e vendit.

Cilat janë pikat e dobëta dhe të forta të reflektuara gjatë këtij viti në sektor?

Vuajmë simptomat e një mobilizimi vetëm në prag sezoni, ndërkohë që turizmi vlerësohet sot si një industri gjithëvjetore. Jemi ende jashtë hartave të tregut turistik botëror. Mungesa e kapaciteteve akomoduese cilësore, aeroporteve alternativë, paqartësitë mbi pronësinë mbi tokën, menaxhimi i mbetjeve dhe territorit, menaxhimi i bregdetit, furnizimi me ujë dhe energji 24/24, transporti publik jocilësor, janë probleme që shfaqen për të arritur standardet rajonale e konkurruese në tregun ballkanik.

Po kështu, edhe ndërprerja e derdhjeve të ujërave të ndotura në det. Të gjitha këto mbeten sfida potenciale të hapura. Ndërhyrja e shtetit me politika stimuluese, sipas rekomandimeve të BE, mbetet pa u zbatuar, ndërkohë rajoni vazhdon të aplikojë çdo rekomandim.

Vijon investimi me ndërtime, vila e rezidenca të reja super të shtrenjta për konsumatorin (duke zënë vijën e parë të bregdetit), ndërkohë nuk i jepet mundësi shtimit të ofertës dhe kërkesës në rritje për kapacitete akomoduese. Duhet të krijojmë “target”-in tonë për t’u diferencuar nga të tjerët. Duhet të bëheni pjesë e kompanive të mëdha hoteliere që Shqipëria të bëhet e “dukshme”.

Çfarë mund të bëhet më mirë për ta shtruar sektorin dhe zhvillimin e tij në baza më të qëndrueshme, duke qenë se vihet re një tërheqje e polakëve dhe shtetasve nga Kosova? Cilët tregje duhet të synojmë të tërheqim?

Të kemi strategji të qarta dhe çfarë turistësh kërkojmë dhe nga cilat vende. Mungon një “Strategji Turizmi” dhe “Masterplan i përgjithshëm turizmi”, afatgjatë. Kjo tregon se Shqipëria ka probleme me konceptimin e turizmit si prioritet real, ndërkohë, rajoni ka zhvillime intensive dhe cilësore në kapacitetet akomoduese duke rritur ndjeshëm konkurrencën. Rezultati duket te çmimet që ofron Shqipëria, dukshëm më të ulëta (nga 40-200%) kjo për arsye të mungesës së standardeve dhe shërbimeve të kualifikuara. Imazhi i krijuar: “Vend i bukur por, jo dashamirës ndaj mjedisit” është një sinjal SOS. Sfida e pastrimit, eliminimi i derdhjeve në det e lumenj të ujërave zeza, janë një sfidë e hapur.

Paketat turistike shqiptare vazhdojnë të përfshijnë aeroportet rajonale, si rezultat i çmimeve konkurruese, falë politikave subvencionuese të shteteve fqinje. Autostrada Prishtinë-Shkup dhe Beograd-Shkup hapi perspektiva të reja në rajon për turizmin, duke bërë më të lehtë aksesimin në tregun potencial dhe cilësor grek. Kjo është një kambanë alarmi për vitet në vazhdim. Me lejimin e lëvizjes së lirë pa viza në Kosovë, rrezikojmë të humbasim tregun potencial kosovar. Ka ardhur momenti që qeveria të mendojë seriozisht për një strategji afatmesme të turizmit rajonal.

A ka bërë Shqipëria hapa konkretë për t’u bërë konkurruese në rajon dhe a shihni ndonjë efekt të taksës 6%?

Janë tridhjetë vjet që nuk justifikojnë situatën e turizmit në Shqipëri. Duhej mësuar nga gabimet e fqinjëve dhe sigurisht duhej investuar më cilësisht.
Duhet më tepër vëmendje ndaj zhvillimit të kapaciteteve akomoduese dhe të ofertës turistike. Është emergjent stimulimi i një zone “Pilot” me resorte dhe hotele nga Brand Name të njohur turistikë për të ngjallur shpresat e një “turizmi elitar”.

Me shtim të ofertës turistike duhet të kuptojmë hapje të porteve për jahte, mundësim për ankorim kroçerash, stimulim të sporteve ujore, zhvillim të destinacioneve turistike elitare dhe plotësim të paketave me atraksione me vende potencialisht të strukturuara dhe të mbrojtura, si Sazani, Karaburuni apo Gjiret e Jonit në vazhdim. Nuk duhet lënë pa përfunduar infrastruktura turistike e bregdetit nga Kavaja në Divjakë për turizmin masiv. Është shumë i rëndësishëm edhe zhvillimi i resorteve për sporte dimërore. Këto zhvillime mund të sjellin një zgjatje të sezonit turistik dhe kthimin e industrisë turistike në potencialin më të madh të PPB të vendit.

Ulja e TVSH 6% për sektorin e akomodimit ishte një valvul shpëtimi për një industri që po shkonte drejt kolapsit. Kjo dha një impuls të ri për të investuar në këtë sektor dhe rezultatet janë të dukshme. Janë ndërtuar disa resorte dhe dhjetëra hotele të reja, të cilat nuk i plotësojnë kërkesat për shtretër.

Një potencial i madh për ta kthyer Shqipërinë në 365 ditë turizëm është dhe turizmi i “konferencave e kongreseve”. Shohim që politika e qeverisë për të stimuluar ndërtimin e strukturave hoteliere me 4-5 yje (për të thithur Brand-e) ka dhënë rezultat vetëm në Tiranë, duke pasur një garë për emra të njohur të industrisë hoteliere ndërkombëtare. Por mendoj se do të rezultojë jo e “shëndetshme” pa pasur një strategji dhe lobim të fuqishëm për të thithur këtë treg elitar, ku konkurrenca është e dukshme. E vlerësoj këtë nxitje, por duhen shpejtuar hapat.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular