BallinaKryesore“Luften e drejtë” më mirë ta nise Presidenti, sesa një Komitet Shpëtimi

“Luften e drejtë” më mirë ta nise Presidenti, sesa një Komitet Shpëtimi

Nga Ilir Nikolla

Sa herë Shqipëria ndodhet në ngërç, vëzhguesit u kthehen dhe u rikthehen dhjetëra herë tezave nëse autoritetet mund ta përballojnë destabilizimin e pritshëm. Në fakt, sipas vëzhgimit të presidentit amerikan Ronald Regan, duhet ta nxëmë më në fund leksionin se pjesën e luanit në përgjegjësinë për gjendjen e ka qeveria, prandaj edhe shqetësimi kryesor i yni duhet të jetë, se sa shpejt rezistenca dhe forcat antiqeveritare do t’ja dalin të triumfojnë.
Më shumë akoma duhet të analizojmë premisat e luftës së drejtë, kur dëgjojmë presidentin e vendit që shpall referendumin si hapin final për restaurimin e demokracisë. Kur themi hap final, dihet se pas (pa)mundësimit të tij, mbetet veç përballja.
Lufta e drejtë është një koncept që u formulua në Mesjetë dhe në fakt, doli nga qelat e Kishës Katolike. Ajo ishte një legjitimim i përpjekjeve kundër forcave që shfaqeshin përballë qytetërimit, pra kundër vrasësve, piratëve, plaçkitësve apo ushtrive që rrezikonin shfarosjen e popullsisë (të shtetit po e po). U familjarizuam plot dashuri me termin e luftës së drejtë më 1999-n, kur aleanca më e madhe ushtarake e botës, NATO-ja, bombardoi për rreth 90 ditë regjimin e Kasapit të Ballkanit, duke mundësuar dhënien fund të spastrimit etnik në Kosovë dhe duke ndalur gjenocidin mbi popullin shqiptar atje.
Tani ka ardhur koha të shqetësohemi për gjasat që lufta e drejtë kundër klikës në Shqipëri të ketë sukses. Përpjekjet për delegjitimimin e protagonistëve si dhe për zvogëlimin e fuqisë së revoltës nuk kanë pse të shqetësojnë kurrkënd. Lufta e drejtë kundër klikës është mbi biografinë e “princit” që e shpall dhe mbi zulmën e “fisnikëve” që e përkrahin, ajo është në njëfarë mase prodhim ekskluziv i popullit që ndjek kushtrimin për t’u vënë drunë uzurpatorëve që kanë pushtuar tempullin e s’lënë kërrkënd, as të luten e as të mbrothësojë.
Siç thamë lufta e drejtë mbahet kundër plaçkitësve, kundër piratëve dhe kundër atyre që rrezikojnë të shkatërrojnë një shoqëri. Për t’u kthyer në horizontin e Shqipërisë, listat e personave me elementë kriminalë që janë shpallur tashmë faqe botës janë prodhuar që të gjitha nga çanaku i kryeministrit. Edhe lista e oligarkëve që marrin çdo vit qindra milionë euro nga buxheti i shtetit, duke lënë në faliment mijëra biznese të vogla, dihet se është skicuar në fletë-borderotë e qeverisë. Sa për faktorin e tretë, atë të shkatërrimit të një shoqërie, s’di ç’mund të ketë provë më të madhe sesa hemorragjia e ikjeve, rreth 1 milionë për 6 vjet, mbi 30 % e të gjithë shoqërisë. Kjo hemorragji është në përmasat e gjenocidit, as luftërat konvencionale s’shkaktojnë kaq dëme.
Përballë këtij ekuacioni, delegjitimimi i figurës së Ilir Metës nuk ka kurrfarë rëndësie, as edhe format që opozita e bashkuar do zgjedhë të mbështesë aksionin e presidentit të republikës. Konditat e një “lufte të drejtë” janë përmbushur që të treja, prandaj shqetësimi kryesor i shoqërisë civile dhe i ndërkombëtarëve që asistojnë demokracinë shqiptare, në vdekje klinike, duhet të jetë se sa shpejt dhe me sa pak rezistencë duhet të bjerë klika. Gjeopolitika me stabilokraci e ka sjellë Shqipërinë në një stad ku reformat ja shohin si zgjebe që s’duhet të infektojë rajonin, kurse pasaportën si një mall pa rëndësi që veç ndonjë xhihadist ose njeri i malavitës mund ta synojë. Tani radhën e ka prishja urgjente e “status-quo”-së dhe nëse kjo prishje s’ndodh në mënyrë të asistuar nga ndërkombëtarët, shkëndija e “luftës së drejtë” ka për t’u ndezur medoemos. Dhe në këtë realitet të pritshëm, më mirë le ta ndezë presidenti i republikës, sesa një komitet shpëtimi në Shkodër apo në Vlorë.

P.S: Hulumtimet për Luftën e Drejtë nuk morën shkas nga vizita e Ramës në Arabinë Saudite, as nga përvoja që ai mund të marrë atje për eliminimin e kundërshtarëve politikë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular