BallinaOP EDKomunistët janë si Ebu Lehebi

Komunistët janë si Ebu Lehebi

Nga Namir Lapardhaja

Ekziston një sure në librin e shenjtë të myslimanëve që quhet “El-Mesed”. Ajo flet për një ndër armiqtë më të egër të profetit Muhamed me emrin Ebu Leheb dhe për gruan e tij. Thelbi i saj është mallkimi i Zotit që bie mbi këta dy njerëz, duke u vulosur me dënimin e amshuar. Madje, në detaje tregohet mënyra e këtij dënimi. Sureja i takon periudhës mekase dhe zbriti në gjallje të Ebu Lehebit dhe bashkëshortes së tij, të cilët, pas kësaj që iu shpall Muhamedit, jo vetëm që nuk ndryshuan qëndrim, por e vijuan më tej armiqësinë. Kuptohet më të egër dhe më me ngulm. Në mënyrë hipotetike, pas kësaj shpalljeje, mund të kishim një “ndryshim” të tyre, sa për sy e faqe, duke e luftuar Muhamedin në mënyrë më të moderuar, por përfundimtare: ata mund të shndërroheshin në dukje dhe t’u thoshin bashkëkohësve që Muhamedi gënjen, se ne heqim dorë nga ajo çka kemi bërë, pendohemi dhe rishohim qëndrimin tonë ndaj tij. Kaq për parabolën kuranore, e cila do të më shërbejë vetëm si universalizim i së keqes dhe jo për të krahasuar personazhin e këtij shkrimi.
Kërkesa për azil politik e Agron Tufës ishte diçka e pritshme. Ajo ishte rrjedhojë logjike e një beteje të nisur për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare. Betejë kjo që nuk ishte filluar kur ai mori drejtimin e Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, por shumë kohë më parë. Vepra e tij letrare e dëshmon qartë këtë gjë. Të gjithë romanet e tij janë orvajtje për nxjerrjen në pah të errësirës së periudhës së diktaturës. Tufa këtë qasje e ka biologjike. Patjetër që nuk ka qenë i vetmi, ashtu siç nuk është lënë vetëm, mirëpo ndjeshmëria poetike ka mbizotëruar, gjë që e çoi, me sa duket, në vendimin e largimit nga vendi. Ka bërë më të mirën për veten dhe familjen. Edhe për pesë fëmijët e tij. Që i ka larguar nga një mjedis i kontaminuar ideologjik, i cili vijon të shohë tek xhelatët shpëtimtarët, tek krimet ligjshmërinë, ndërsa tek marrëzia kolektive “sistemin”. Për të mos vijuar më tej me atë se në këtë vend përditë e më shumë vdes shpresa dhe zgjidhja e vetme për shumë shqiptarë, që nuk arrijnë të përshtaten me “sistemin e ri”, ngelet ikja. Qoftë edhe si simbolikë, ikja e Tufës do t’i shërbejë shoqërisë shqiptare si pasqyrë e vetvetes.
Le të kthehemi tek ata që e sulmojnë Agron Tufën edhe pas ikjes së tij. Janë po të njëjtët. Është po e njëjta paçavure mediatike që mban era blozë enveriste e përzier me erëra të tjera. Është i njëjti kor, i lëshuar edhe këtë radhë si qen të tërbuar. Është një leksik i përdorur në Shqipëri vetëm në vitet ’46-’49. Është e njëjta filozofi dhe armiqësi, sa të duket sikur kemi të bëjmë me pretencën gjyqësore të Aranit Çelës. Mungojnë argumentet dhe faktet, por mbizotërojnë anatemimet dhe kërcënimet. Ka zotime për ndjekje dhe gjetje në fund të botës, e jo më deri në Zvicër. Një ndër ta, me prostatë ndër këmbë, për shembull, shkruante “do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet”…
Largimi i Agron Tufës dhe kërkesa e tij për azil mund ta kishte qetësuar të gjithë këtë diarre enveriste. Ata kishin mundësi ta nxirrnin mashtrues Tufën faqe botës. Kishin mundësinë që taktikisht të “tërhiqeshin”. Të moderonin ligjërimin, të ndryshonin leksikun. Të flisnin me gjuhën juridike dhe historike, të faktit dhe të argumentit, të vijimit të përballjes në dyert e gjykatës, të rrahjes së ideve dhe mendimeve në një shoqëri demokratike, të normalitetit të mosdakordësive etj., etj. Jo! Ata jo vetëm që nuk e bënë një gjë të tillë, por vijuan me të njëjtën egërsi dhe intesitet. Duke u betuar e përbetuar se do ta gjenin edhe në vrimën e miut. Sjellja e tyre pas largimit të tij është argumenti më i madh në favor të Tufës, që tregon se rreziku, pavarësisht masës së tij, ekziston dhe është legjitim.
Universalizimi i së keqes është një kambanë alarmi për të gjithë shoqërinë dhe askush tjetër përveçse së keqes nuk e imiton dhe shumëfishon vetveten në mënyrë të njëjtë në rrjedhën e kohërave. Ndaj dhe komunistët tanë janë si Ebu Lehebi i shkretëtirës arabike: të pandreqshëm dhe insistues në të keqen e tyre.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular