BallinaAktualitetDështimi i shtrenjtë i bashkisë së Elbasanit me projektin për ndotjen e...

Dështimi i shtrenjtë i bashkisë së Elbasanit me projektin për ndotjen e ajrit

spot_img
spot_img

Qytetit industrial i Elbasanit është një nga zonat më të ndotura në Shqipëri; megjithatë investimi i bashkisë nëpërmjet programit të Rilindjes Urbane për një sistem monitorimi të parametrave mjedisorë dështoi me sukses.

Ilustrim nga Pixabay

Tre vjet më parë, bashkia e Elbasanit prokuroi ndërtimin e një sistemi informatik për monitorimin e cilësisë së ajrit në atë që konsiderohet nga shumë organizata mjedisore si një nga zonat më të ndotura në Shqipëri.

Tenderi për realizimin e sistemit u fitua nga bashkimi i dy operatorëve ekonomikë nga Tirana, të cilët ishin dhe ofertuesit e vetëm për një kontratë me vlerë 24 milionë lekë.

Sipas kontratës, një kopje e së cilës është siguruar nëpërmjet një kërkese bazuar në ligjin ‘Për të drejtën e informimit,” operatorët fitues do të ishin përgjegjës edhe për mirëmbajtjen e sistemit.

Por monitorimi i vazhdueshëm nga BIRN i faqes në internet për transmetimin e parametrave mjedisorë tregon se ky sistem nuk funksionon, ndërkohë që aktivistë dhe ekspertë vendorë ngrenë dyshime se nuk ka punuar kurrë.

“Unë kam qenë anëtar në Këshillin Bashkiak kur është vënë në zbatim ky projekt [dhe] në fakt asnjëherë nuk na u raportua seriozisht mbi këtë projekt,” thotë Ahmet Mehmeti, drejtues i organizatës Klubi Ekologjik Elbasan.

“I vetmi dokument që na ka ardhur, ka qenë një raport fillestar për të cilin na u tha të mos e publikonim, pasi nuk ishin ende të dhënat e plota,” shtoi ai.

Ndryshe nga sistemi i paguar nga bashkia e Elbasanit, i cili as nuk mbledh dhe as nuk transmeton të dhëna të lexueshme mbi ndotjen e ajrit, dy raporte të përpiluara nga organizatat mjedisore jofitimiprurëse tregojnë se ndotja nga mikrogrimcat në qytet është disa herë më e lartë se normat maksimale të lejuara në Bashkimin Europian.

E pyetur nga BIRN mbi sistemin e parametrave ambientalë, Bashkia e Elbasanit nuk i përgjigj një kërkese me shkrim. Ndërkohë, një drejtor i kompanisë zbatuese të projektit, ‘Soft and Solutions’,   pranoi se sistemi ka pasur “problematika të zakonshme mirëmbajte, që lidhen kryesisht me luhatjet e tensionit.”

Tender i dyshimtë

Ajri i ndotur është një shqetësim i vazhdueshëm për qytetin e Elbasanit, e njohur si qendra më e madhe e industrisë së rëndë të metaleve në Shqipëri gjatë periudhës së regjimit komunist.  Për ta adresuar këtë shqetësim, tre vjet më parë, bashkia e Elbasanit me financim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, prokuroi ndërtimin e një sistemi informatik për monitorimin e cilësisë së ajrit.

Tenderi pati një ofertues të vetëm dhe u fitua nga bashkimi i operatorëve ‘Soft and Solution’ dhe ‘Fastech’ me vlerë 24.2 milionë lekë me TVSH, ose 98.5 % të fondit limit të shpallur nga bashkia.

“Sistemi do të mundësojë mbledhjen, katalogimin, dixhitalizimin, ruajtjen, përditësimin, editimin, mirëmbajtjen, standartizimin, publikimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi cilësinë e ajrit me publikun e gjerë dhe me institucionet e tjera me të cilat bashkëpunon bashkia,” shkruhet në kontratën e lidhur midis bashkisë Elbasan dhe operatorëve fitues me 27 janar 2017.

Kontrata parashikonte prokurimin e infrastrukturës ‘hardware’ të nevojshme për mbështetjen e sistemit të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe pajisjet hardware të përdoruesve të bashkisë, mirëmbajtjen e sistemit të krijuar, si dhe rritjen e kapaciteteve njerëzore të bashkisë përmes trajnimit dhe përgatitjes së stafit të dedikuar për përdorimin e këtij sistemi. Realizimi i kësaj kontrate dhe mirëmbajtjes së saj, do të monitorohej nga një komision i posaçëm i ngritur nga autoriteti kontraktor.

Sipas kontratës, sistemi do të mirëmbahej nga kompanitë fituese për një periudhë 4-vjeçare pas ngritjes së tij. Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet monitorimit të faqes online të aplikacionit ‘Parametrat Ambjentalë’, tregojnë se shumë nga pikat e kontratës së lidhur nuk janë zbatuar, ndërkohë që sistemi aktualisht nuk transmeton të dhëna.

Nga auditimi i ndërmarrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për sistemet e teknologjisë së informacionit në bashkinë Elbasan për vitet 2017-2018, ka rezultuar se për këtë marrëveshje me nivel shërbimi 4-vjeçar, por edhe të tjera të ngjashme, grupi i punës nuk ka një raport për marrjen në dorëzim të punimeve të kryera nga operatori ekonomik, në kundërshtim me udhëzimin e Këshillit të Ministrave.

Të dhëna të palexueshme

Printscreen e aplikacionit paramrtrat ambientalë

Monitorimi i vazhdueshëm nga BIRN i aplikacionit “Parametrat Ambjentalë” në faqen zyrtare të bashkisë Elbasan, tregon se të dhënat nga sensorët shpeshherë mungojnë, ose janë të pjesshme dhe pa asnjë shpjegim përbri për ta bërë atë të shfrytëzueshëm nga studiuesit dhe qytetarët.

Ekspertë të pavarur, të kontaktuar gjatë kësaj periudhe, shprehen se nga ky aplikacion nuk mund të mbledhë asnjë informacion të vlefshëm mbi ndotjen e ajrit në qytet.

Taulant Mitrushi, përgjegjës i laboratorit të monitorimit të tokave, ujit dhe ajrit pranë organizatës ‘Tjetër Vizion’ thotë se vetëm nga një vështrim i aplikacionit në faqen online të bashkisë Elbasan është e pamundur të bëhet identifikimi i të dhënave të publikuara.

“Nga vështrimi i faqes nuk kuptohet cilat janë parametrat e lejuara nga ligji dhe rezultatet ditore – pra jemi brenda apo jashtë normave dhe sa është lëvizja,” tha ai. “Të dhënat janë publikuar sipas një formati që ofrohet nga sensori dhe këtu personi përgjegjës i trajnuar për menaxhimin e sensorëve duhet t’i përkthente në vlera të kuptueshme, të dhënat e instrumentit,” shtoi Mitrushi.

Sipas tij, ashtu si janë publikuar të dhënat për grimcat PM 2.5 dhe PM 10 ‘duken të njëjta’, ose ndryshimi midis tyre – nëse ka një të tillë – nuk kuptohet, ndërkohë që shtoi se sensorët kanë mungesa në përcaktimin e disa prej parametrave, pasi të dhënat mungojnë plotësisht.

“Për ta përmbledhur mendimin tim do të thoja se ndoshta një specialist i trajnuar për instrumentet monitorues në fjalë mund t’i kuptojë ato të dhëna që janë publikuar, por një qytetar i thjesht ju garantoj që jo,” tha ai. “Unë të paktën nuk arrita t’i kuptoj, megjithëse jam marrë me monitorimin e PM 10 dhe PM 2.5,” përfundoi Mitrushi.

Edhe Ahmet Mehmeti i Klubit Ekologjik Elbasan shprehet se të dhënat e këtij projekti nuk na janë bërë publike.

“Në faqen e bashkisë gjendet vetëm një hartë pa të dhëna,” tha ai për aplikacionin. “Asnjëherë nuk ka dhënë shifra të rëndësishme për nivelin e ndotjes nëpërmjet këtij projekti nga bashkia” shtoi Mehmeti.

Ngjashëm edhe inxhinieri i mjedisit, Beqir Kila shprehet se të dhënat e publikuara nga aplikacioni janë të palexueshme.

“Tani që më thoni ju, kam hyrë në faqen e bashkisë dhe nuk shfaqet asgjë,” tha ai, duke shtuar se “publiku duhet të ketë të dhëna të lexueshme dhe më shumë transparencë”.

“Nuk duhet të bëhen projekte sa për sy e faqe e të mos shërbejnë për qëllimin fillestar që ky projekt ka pasur,” shtoi ai.

Ndërkohë sipas Mehmetit, nëpërmjet këtij projekti është blerë një pajisje rreth 9 milionë lekë, shumë herë më lartë se kosto reale; për të cilën ka kërkuar llogari nga bashkia gjatë periudhës që ka qenë në Këshillin Bashkiak.

“Unë vetë nuk e kam parë pajisjen, por kur kemi kërkuar llogari në Këshill gjithmonë na kanë thënë të dhënat i gjejmë në faqe, por realisht nuk gjenden dhe nuk lexohen,” tha Mehmeti.

“Ne e kemi kërkuar disa herë të na raportohet mbi situatën nëpërmjet të dhënave të këtij projekti, por gjithmonë është shtyrë,” shtoi ai.

Mehmeti nënvizoi se dështimi i këtij projekti nuk lidhet vetëm me kostot e fryra, por edhe me faktin se të dhënat mbi ndotjen e ajrit janë jetike për një qytet industrial si Elbasani.

“Ne kemi bërë një vit rrjesht matje nëpërmjet një projekti të mbështetur nga BE dhe të dhënat janë shqetësuese për disa nga parametrat e ndotjes si PM 10, PM2.5,” tha ai.

E pyetur nga BIRN, drejtori i kompanisë ‘Soft and Solutions’, i cili preferoi të mbetej anonim, mohoi se kostoj e projektit ishin të fryra. Ai deklaroi se pajisjet për sistemin janë blerë në Spanjë dhe kosto e tyre ishte sa 80 % e vlerës së tenderit. I njëjti përfaqësues i kompanisë shtoi se të dhënat transmetohen sipas standardit Europian.

Ndotje shqetësuese

Qendra e qytetit të Elbasanit | Foto nga : Besar Likmeta

Bashkia e Elbasanit për dy vite të zbatimit të projektit nuk ka bërë publik asnjë raport mbi të dhënat e konstatuara nga monitorimi i ajrit nga sensorët e vendosur në 4 pika të qytetit, por projekte të organizatave dhe ekspertëve tregojnë se gjendja e këtyre parametrave është shqetësuese.

Sipas drejtuesit të Klubit Ekologjik, Ahmet Mehmeti, nëpërmjet projektit “Mushkëri të gjelbëra për qytet tona” për vitin 2019 u bë monitorimi i ajrit në Elbasan për NO2, VOC, PM2.5, PM10 dhe CO2 dhe matjet treguan tejkalimin e normave të lejuara për të gjithë këta tregues.

“Si rezultat i matjeve të parametrave të ajrit, gjatë 3 muajve të fundit të vitit 2018, [ajo që] bie në sy është përmbajtja e lartë e grimcave PM 2.5 dhe PM 10 në ajrin urban që arrin shifrat alarmante që rezultojnë mesatarisht 1.5 – 2 herë mbi normat e lejuara te vendeve të BE,” tha Mehmeti.

Në 64 ditë kalendarike matjesh të cilësisë së ajrit gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit 2018 në qytetin e Elbasanit , 42 ditë rezultojnë me përmbajtje PM 10  më të madhe se 50 mikrogram për metër kub, 66 % nga 9 % të lejuara në një vit në legjislacionin e BE-së [35 ditë /365 ditë].

“Kjo është një shifër shumë e lartë dhe tregon se ndotja nga grimcat  e imta PM 10 është problematike,” shtoi ai.

Mehmeti shtoi se monitorimi ka konstatuar se numri i ditëve me përmbajtje më shumë se  50 mikro gr/m3 të grimcave PM 10 në ajër është rreth 7 herë më i lartë  se numri i lejuar prej legjislacionit shqiptar dhe atij të BE-së.

“Gjendja është shumë serioze dhe kërkohet ndërhyrje e efektshme organizative dhe ligjore,” tha ai.

“Duhet të merren masa që monitorimi i cilësisë së ajrit urban të qytetit – veçanërisht i grimcave të imëta PM 2.5 e PM 10, të kryhet gjatë gjithë vitit kalendarik pa ndërprerje nga ana e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, siç e kërkon ligji, pasi vitet e fundit monitorohet në më pak se 20 % të kohës vjetore,” përfundoi drejtuesi i Klubit Ekologjik. Autor: Bardha Nergjoni  BIRN  Tiranë

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular