BallinaAktualitet“Jeni gabim vëllezër”, Rama liderëve të Kosovës: S’jam as hero dhe as...

“Jeni gabim vëllezër”, Rama liderëve të Kosovës: S’jam as hero dhe as tradhtar, bëj detyrën time. S’ka nevojë për garë kush pjell më shumë teori konspiracioni

“Kjo zhurmë e madhe është rezultat i atyre që duhet ta udhëheqin Kosovën drejt së ardhmes por janë futur në një rreth vicioz”. Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama sot teksa ka folur sërish për mediat pas konferencës së përbashkët me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, Presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviç, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Ai tha se hapjen e kufijve e ka kërkuar që në procesin e parë të Berlinit dhe se Serbia e ka kundërshtuar këtë kërkesë por sot e ka pranuar.

Duke iu drejtuar liderëve të Kosovës si vëllezër ai tha se janë gabim dhe se Kosova nuk ka nevojë për një garë të brendshme kush izolohet më shumë, kush pjell më shumë teori konspiracioni, kush pjell më shumë formula zhvillimi ekonomik që nuk qëndrojnë.

“Shikojeni realitetin në sy. SHBA, BE i kërkojnë Serbisë të njëjtën gjë që i kërkojmë ne por ulen në tryezë me Serbinë, janë këtu të pranishëm mos vallë dhe ato vende i kanë mbyllur sytë ndaj krimeve të së shkuarës, mos vallë e kanë lënë të shkuarën njëherë e përgjithmonë pas por mua më rezulton se janë në të njëjtin pozicion, Serbia duhet të njohë Kosovën por ndërkohë jemi në realitetin e jetës së përditshme dhe duhet të bëjmë shumë gjëra bashkë. Unë jam në këtë detyrë sepse shoh më larg se sa ju (gazetarët).

Unë nuk jam as hero dhe as tradhtar, bëj detyrën time. Çfarë do thoni kur Kosova të ulet në tryezë do thoni i fali krimet. Se ishte deri dje në tavolinë dhe asnjëherë nuk është bërë kjo zhurmë e madhe. Kjo zhurmë e madhe është rezultat i atyre që duhet ta udhëheqin Kosovën drejt së ardhmes por janë futur në një rreth vicioz.
Nuk jam në asnjë mbrojtje. Kam reaguar dhe reagoj ndaj atyre që mbushin rrjetet sociale me sharje, fyerje, damka që nuk kanë asnjë lidhje me mua. Jam këtu për të çuar përpara idenë time. Për fat të mirë nuk është një ide e papërkrahur por e përkrahur nga të gjithë. Hapjen e kufijve e kam kërkuar që në procesin e parë të Berlinit. Serbia e ka kundërshtuar këtë kërkesë, sot e ka pranuar, e pranon. Çdo të thotë kjo që jam unë përgjegjës që Kosova nuk vjen. Kam detyrën t’iu them jeni gabim vëllezër. Kosova nuk ka nevojë për një garë të brendshme kush izolohet më shumë, kush pjell më shumë teori konspiracioni, kush pjell më shumë formula zhvillimi ekonomik që nuk qëndrojnë”, deklaroi Rama.

I pyetur se a do shtojë presionin ky proces që Serbia të njohë Kosovën, Rama tha se janë dy gjëra që nuk lidhen mekanikisht me njëra-tjetrën. “Është një çmenduri ky debat që zhvillohet aktualisht, qysh se ka filluar kjo nismë sepse janë të gjitha çështje të dakordësuara, janë në letër.
Ne në dialogun e Serbisë me Kosovën jemi 100% në mbështetje të strategjisë që japin në Kosovë. Politika nuk është boks, mund të jetë në një moment, por është shah.
Unë jam takuar me presidentin Thaçi, jam takuar e flas. Mbaj qëndrimin tim dhe jap sugjerimin tim. Unë jam 100% me të drejtën, se po të mos isha të paktën një nga vendet mike do thoshte nuk është ide e mirë. SHBA e mbështesin 100% dhe janë të trishtuara që Kosova refuzon të marrë pjesë, Gjermania, Franca që të gjithë. Nuk jemi para asnjë detyrimi por përpara faktit që mund të bëjmë histori së bashku”, deklaroi Rama.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular