BallinaKryesorePesë pyetjet e opozitës për Komisionin e Venecias

Pesë pyetjet e opozitës për Komisionin e Venecias

Ashtu siç e paralajmëroi, edhe opozita bëri gati pyetjet e saj për Komisionin e Venecias. 5 pyetje për ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit, kuvendit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në lidhje me përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Pikërisht beteja Kuvend-Presidencë për Arta Vorpsin dhe Marsida Xhaferllarin, u shtuan në hetimin që Komisioni Hetimor po i bën Presidentit Meta, një arsye më shumë sipas maxhorancës për ta shkarkuar. Opozita kërkon që “Venecia” të sqarojë rëndësinë që ka për legjitimitetin e Gjykatën Kushtetuese ndjekja rigoroze e radhës dhe procedurave që parashikon ligji për plotësimin e kësaj gjykate, shkruan sot A2news.

Gjithashtu kërkohet të sqarohet dhe cili është mjeti që i jep legjitimitet procesit, në rastet kur Presidenti konstaton shkelje kushtetuese e procedurale nga KED, që imponojnë rezultatin e listës që i dërgohet atij për të përzgjedhur. Ose kur në këtë listë shihet ndërhyrja e maxhorancës.

“Nëse Presidenti i Republikës kërkon publikisht nga Kuvendi zbatimin e parimit të lojalitetit në emërimin e gjyqtarëve kushtetues respektivë, por kjo kërkesë e tij nuk merr përgjigje, madje veprohet në të kundërt duke e shtyrë Presidentin të veprojë për emërimin e gjyqtarëve kushtetues prej tij, sa dëmtohet legjitimiteti i Gjykatës Kushtetuese?

Cili është thelbi i mekanizmit zhbllokues në rastin e zgjedhjes/emërimit të funksionarëve të lartë të drejtësisë, duke përfshirë edhe gjyqtarët kushtetues?”

Ndërkohë dhe Presidenca pati njoftuar se do dërgonte pyetjet e saj në Venecia duke vënë në pikëpyetje gjithashtu legjitimitetin e Kuvendit në këtë betejë institucionale për përzgjedhjen e anëtarëve kushtetues.

Çështja ndërlikohet dhe më tej kur në lojë është përfshirë dhe SPAK për hetimin e kryetarit të KED, Ardian Dvorani pas padisë penale që Presidenti bëri ndaj tij. Mandati i Komisionit Hetimor të drejtuar nga Ulsi Manja skadon në mars, pak para mbledhjes së radhës së Komisionit të Venecias, nga ku pritet të marrin përgjigje këto pyetje.

5 pyetjet e plota të opozitës, drejtuar Komisionit të Venecias

1.Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale prej më shumë se 1 viti. Duke iu referuar debateve publike, është e pritshme që Gjykata Kushtetuese menjëherë sapo të rikrijohet të shqyrtojë dy cështje me interes të lartë publik: vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, si dhe shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës. Në këtë kontekst aktual faktesh, sa e rëndësishme për legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese është që secili nga organet e ngarkuara nga Kushtetuta në procedurën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues (Këshilli për Emërimet në Drejtësi, Kuvend, President i Republikës dhe Gjykata e Lartë) të ndjekin në mënyrë rigoroze  procedurat e përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligj?

2. Për rastet kur kompetenca e emërimit të gjyqtarit kushtetues i përket Presidentit, dhe nëse Presidenti i Republikës konstaton shkelje procedurale të Kushtetutës apo ligjit, në veprimtarinë e Këshillit për Emërime në Drejtësi, që prekin drejtpërdrejt dhe imponojnë rezultatin e listës që i dërgohet Presidentit për përzgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, cili është mjeti që duhet të përdoret për të garantuar legjitimitetin e procesit të emërimit prej tij të gjyqtarëve kushtetues?

3. Për rastet kur kompetenca e emërimit të gjyqtarit kushtetues i përket Presidentit dhe nëse Presidenti i Republikës konstaton ndërhyrje të papërshtatshme të mazhorancës politike që qeveris vendin në veprimtarinë e Këshillit për Emërime në Drejtësi  që prekin drejtpërdrejt dhe imponojnë rezultatin e listës që i dërgohet për përzgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues Presidentit, cili është mjeti dhe procedura që duhet ndjekur për të garantuar legjitimitetin e procesit të emërimit prej tij të gjyqtarëve kushtetues?

4. Nëse Presidenti i Republikës kërkon publikisht nga Kuvendi zbatimin e parimit të lojalitetit kushtetues në emërimin e gjyqtarëve kushtetues respektivë, por kjo kërkesë e tij nuk merr përgjigje, madje veprohet në të kundërt duke e shtyrë Presidentin të veprojë për emërimin e gjyqtarëve kushtetues prej tij, sa dëmtohet legjitimiteti i Gjykatës Kushtetuese?

5. Cili është thelbi i mekanizmit zhbllokues në rastin e zgjedhjes/emërimit të funksionarëve të lartë të drejtësisë, duke përfshirë edhe gjyqtarët kushtetues? A synon mekanizmi zhbllokues të kërcënojë në çdo hap organin e emërtesës, edhe në rastin kur ai shfaq vullnetin për të vepruar, por pengohet për të vepruar pasi ka konstatuar pengesa ligjore apo problematika në procedurën paraprake? Mekanizmi zhbllokues ka si qëllim final të shmangë kompetencën e organit të emërtesës ose thënë ndryshe rrëmbimin e kompetencës së emërimit prej organit të emërtesës, në këtë rast të Presidentit të Republikës? Apo mekanizmi zhbllokues, siç e thotë edhe emri, synon të zgjidhë situatën kur organi i emërtesës nuk ka asnjë vullnet për të vepruar ose kur shfaq vullnetin e tij aktiv për të penguar emërimin e gjyqtarëve kushtetues?

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular