BallinaOP EDKryetari i OSBE, Edi Rama, takon Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Kryetari i OSBE, Edi Rama, takon Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Kriza politike dhe ekonomike në Shqipëri ka arritur kulmin. Vendi gjendet në prag të kaosit total. Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë ia ka dalë të uzurpojë të gjitha pushtetet në Shqipëri, pushtetin legjislativ, pushtetit lokal, gjykatat dhe prokurorinë, si dhe çdo pushtet tjetër, të çdo institucioni që presupozohet të jetë i pavarur. Opozita ka braktisur mandatet parlamentare, dhe prej një viti gjendet në rrugë. Tërmeti katastrofik i 26 Nëntorit 2019 e ka zhyur Shqipërinë edhe në një krizë të thellë humanitare. Me mijëra familje shqiptare vazhdojnë të mbijetojnë në çadra verore, në kushtet e një moti të egër, pa ushqime dhe veshje. Ndihmat që Elvis Naçi dhe Arbër Hajdari kanë mundur të mbledhin në ndihmë të të prekurve nga termeti po i administron Ministri i Tërmetit, Arben Ahmetaj.

Në këto kushte, opozita shqiptare ka rifilluar protestat masive. Kryetari i opozitës kërkon të plotësohen 9 kushtet e Bundestag-ut gjerman. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, me metoda të sofistikuara usharake vazhdon të përdorë masivisht një lloj gazi të dyshimtë kundër protestuesve. SPAK, një strukturë e re prokurorësh ka arrestuar ish deputetët Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka, që akuzohen për sulme kundër rendit kushtetues.

Lulzim Basha gjendet i mbyllur në Selinë e Partisë Demokratike, ku po mbrohet fizikisht nga militantët demokratë. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj vazhdon t’i bëjë thirrje kreut të opozitës që të dorëzohet, përndryshe, sulmi i forcave qeveritare do të jetë i pamëshirshëm.

Në këto kushte, Kryetari i OSBE Edi Rama, i ka kërkuar një takim Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Takimi është parashikuar të mbahet në Zyrën e Përfaqësuesit të OSBE në Tiranë, Ambasadorit Bernd Borchardt. Ky takim është lehtësuar nga Presidenti i Serbisë Aleksadër Vuçiç, që po kujdeset për implementimin e Marrëveshjes rajonale të MiniShengen-it.

Kryetari i OSBE Edi Rama, dukej mjaft i mërzitur dhe i inatosur me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Ai u shpreh hapur se situata politike është e rëndë, dhe se dialogu është rruga e vetme për kapërcimin e krizës.

– Metodat tuaja të drejtimit të shtetit janë të papranueshme për një vend demokratik. Ti ke uzurpuar të gjitha pushtetet. Shtetin shqiptar tani e drejton bashkarisht me Mafian. Ti po plaçkitë Buxhetin e Shtetit dhe po ua dorëzon atë miqëve të tu. Ti po shkelë masivisht të drejtat e njeriut. Ti po burgosë dhe i përndjek kundërshtarët dhe po mbyllë median online – u shpreh me tone të ashpra Edi Rama, Kryetari i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunimin Europian.

– O Zot, o Zot, ç’po më dëgjojnë veshët! Edhe ti Edi Rama po flet me gjuhën e kazanit?! Shqipëria po përparon në të gjitha fushat. Këtë e konfirmon edhe miku i i madh i shqiptarëve, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Këtë e konfirmon edhe miku im, Ambasadori Bernd Borchardt. Këtë e konfirmon edhe Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca – u kundërpërgjigj Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë.

Këtu ndërhyri lehtësuesi i dialogut mes Kreut të OSBE Edi Rama dhe Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Ai tha se Shqipëria po përparon në të gjitha fushat e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve, dhe se kjo është rruga më e mirë për një vend që të ndërtojë me sukses shtetin personal.

– Hiqeni rrethimin që i keni bërë Kryetarit të Opozitës Lulzim Basha. Jepni dorëheqje të parevokueshme. Mos përdorini më tej gazin serb kundër protestuesve paqësor. Lironi Dash Shehin dhe Nard Ndokën. Plotësoni kushtet e Bundestag-ut. Tregoni ku i keni fshehur 200 milion dollarët. Hapni hetime për bashkëpunëtorët e tu kriminel, për të cilat kemi shkruar në Raportin Konfidencial të tetorit 2014. Ndalni sulmet kundër gazetarit Erl Kodra, i cili ka qenë denoncuesi i parë i lidhjeve të tua mafioze me botën e krimit. Mos dërgoni më “emisarë” për t’ia mbyllur gojën shkrimtarit Erl Kodra – vazhdoi tejet i tensionuar Kreu i OSBE, Edi Rama.

– Shqipëria është partner i besueshëm i OSBE, BE, OKB, OPEC, USA, UEFA, FIFA, LGBTQ, OBT, Lindjes së Mesme, Koresë së Veriut, Kinës, Vietnamit, Indisë, Pakistanit, Turqisë, Azerbaixhanit, Sirisë, Kurdistanit, Izraelit dhe Palestinës – u shpreh Luigi Soreca – sidomos Shqipëria po shkëlqen si aleate e Serbisë. Por fajtorja vazhdon të mbetet Kosova, një vend i vogël dhe djallëzor që po minon bashkëjetesën mes popujve të Ballkanit.

Takimi u mbyll me premtimin se përpjekjet e Kreut të OSBE Edi Rama do të vazhdojnë për të shpëtuar vendin nga kriza e thellë. Nga ana e tij Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria do të marrë një vend në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe me këtë rast, ajo do të intensifikojë përpjekjet për paqe globale dhe prosperitet të mbarë njerëzimit.

– Me Shqipërinë, paqja globale është e mundur – u shpreh ai në Konferëncën e Përbashkët për shtyp me Kreun e OSBE.

PS: Mund ta shpërndani lirisht 😀

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular