BallinaOP EDPoetja juaj që "Ju ban sogje" - Agron Tufa

Poetja juaj që “Ju ban sogje” – Agron Tufa

Agron TUFA

(Poet, prozator, përkthyes e studiues)

Të nderuar pjesëmarrës, zonja e zotërinj të mbledhur në takimin promovues të vëllimit të parë poetik “Ju baj sogje” të poetes se re Kaltrinë Uka, ju përshëndes!
Ju përshëndes dhe ju, zonjushë Kaltrinë, dhe ju uroj përzëmërsisht festën e ligjshme dhe të paharrueshme të vëllimit tuaj të parë poetik. Ne, sivëllezërit e tu më të mëdhenj të penës, e njohim peshën e madhe të gëzimit që jep kurorëzimi me libër të parë në krijimtarinë poetike. E padyshim, tok me gëzimin e ligjshëm e dimë dhe peshën serioze të përgjegjësisë së këtij akti, kur del para publikut. Ju tashmë jeni “shuguruar” me këtë libër të parë para lexuesit dhe i jeni përkushtuar artit, ashtu si priftërinjtë i shërbejnë tempullit të tyre. Sepse tashmë ju jeni një priftneshë në tempullin e artit, ashtu siç janë të gjithë artistët, krijuesit.

Të nderuar zonja e zotërinj,
Më lejoni, në cilësinë e redaktorit, pak fjalë, pa ju bezdisur, rreth poetes dhe librit të saj të parë, meqë nuk pata mudësinë të jem me ju.
Për herë të parë takimi im me poezinë e znj. Kaltrinë Uka ka qenë para dy vitesh kur isha pjesë e jurisë së Festivalit poetik “Ibrahim Rrugova” në Istok. Në morinë e poetëve konkurrues ishte një poezi lirike (pa emër, veçse kod, siç ishin të gjitha poezitë), poezi e cila në të gjitha leximet e krahasimet futej në rrethin e ngushtë të pretendentëve. Poezia më bëri përshtypje të fortë për lirizmin, metaforat, gegënishten dhe një ndjeshmëri të mprehtë fluide të subjektit lirik, i cili përsiat në dritare mallin e brendshëm, të cilit i jep një shtrirje universale pa kufij hapësinorë, deri tek trupat qiellor, deri tek “hana”, e cila ka qenë dëshmitare e heshtur e dy shpirtrave që duhen, por që tash: –

Me netë t’tana nuk po flen rahat hana
pa neve rojtarët e saj,
s’po bjen n’herezi ma e m’sheft mas reve
tinëz t’lumtun me na pa
veç hajde e shihe prej ktu se si asht ba, asht dremit…

A nuk ka qenë kjo ndjenja më sublime e ndjenjave që ka përbashkuar në të gjitha kohërat njerëzit e vendeve dhe kulturave të ndryshme? Vetë vargjet e subjektit që vuan mungesën e magjisë së kësaj shfaqjeje, është i ngjashëm që në lirikën antike greke, si tek poezitë e Safos, pa ndryshuar asgjë edhe në modernitetin e sotëm, njësoj, e lashtë dhe e re. Sepse subjekti njerëzor nuk ka ndryshuar asgjë në strukturën e vet të ndjeshmërisë dhe përjetimit: dashuria është e tanakohshme dhe universale. Individuale atë e bën gjuha, shprehja dhe unikaliteti i papërsëritshëm, sikundër sheh, mediton dhe ndjen poetja jonë:

Mu malli po m’rigon si shi e po rri mas grilave,
n’andrrat syçelë t’mesnatës
n’apogjeun e rremë po luhatna
po s’po âsht boll
durt mikluese me përvinu kadalë ftyrën tane
nuk po munen me durue duerkryq.

Përfundimisht unë e shenjova në klasifikimin tim si poezia më e mirë dhe u gëzova se i këtij mendimi ishin dhe kolegët e tjerë të jurisë. Kisha realizuar në mendje një përfytyrim për poeten: ndonjë zonjë me përvojë në shkrimin e poezive. Vetëm kur u shpallën fituesit pata rastin të shoh me habi, si poetja ishte një vajzë e re, një zonjushë e bukur, e heshtur, siç thotë Nikollaj Gogoli “Një zonjushë e këndshme nga të gjitha pikëpamjet”.
Më vonë e ndoqa krijimtarinë e Kaltrinës dhe u gëzova, se poezia e saj nuk ishte rastësi, por një instrument i ndjeshëm i fjalës dhe i përfytyrimit poetik, ndryshe, sikundër thuhet në këto raste, një poete me dhunti të lindur. Nuk ishin rastësi as çmimet dhe shpërblimet e tjera poetike në konkurse të ndryshme.
Gjatë dy vjetëve të fundit i kam ndjekur poezitë e reja të Kaltrinës, kam ndjekur evoluimin e saj, thelbin e pastër të lirikës së saj, që mbetet i pandryshueshëm nga poezia në poezi dhe më është kujtuar një shprehje e poetes Marina Cvjetajeva: “Poeti e shpie gjuhën larg. Gjuha e shpie poetin edhe më larg”. Kam përshtypjen se me rritjen e përvojës së krijimit, Kaltrina përsos instrumentin e saj të shprehjes, vargu bëhet gjithnjë e më i bindur dhe bota e saj fiton homegjenitet, kompaktësi. Këto janë dy vektorët e perfeksionit: gjuha dhe poeti: – njëri përsos tjetrin dhe anasjelltas.
Si lexues dhe redaktor i këtij vëllimi nuk mund të mos përmend disa nga tiparet e lirikës së Kaltrinë Ukajt.
E para, poetja ka zgjedhur vetëdijshëm instrumentin e shprehjes, gjuhën shqipe të dialektit gegë, atë gegënishte me të cilën është rritur, e ka marrë me tamlin e gjirit, atë gojëfolje që ka ndier qysh në mituri, me përkëdheljet, përrallat, ambientin shtëpiak e më gjerë; atë të folur me të cilën ka krijuar ndjesitë dhe afeksionet e para e që përbën strukturën primordiale të ndjeshmërisë. Nuk diskutohet që gegënishtja letrare e krijimeve të Kaltrinës ka pas shpine një traditë shkrimi me një repertor 400 vjeçar tekstesh. Kështu krijimtaria e saj brendashkruhet në një traditë të gjatë shkrimi e krijimi. Kjo përbën dhe një bosht të fortë identiteti të natyrshëm. Dua të përsias këtu, që shumë poetë, të cilët kanë lindur në viset e gegënisë dhe gjuhë krijimi kanë zgjedhur shqipen standarde, nuk e kuptojnë, se gjatë procesit të krijimit, gjatë impulseve të para instinktive të rrokjes dhe verbalizimit të imazhit, kalojnë, për fat të keq, nëpërmjet një instance të padukshme “përkthimi”. E them përkthimi në thonjëza, sepse të shkapërcesh gojëfoljen e ligjërimit amtar shtëpiak, me të cilin je rritur dhe formuar në një shprehje tjetër po shqipe, të modeluar sipas standardit, ndodh një farë procesi “përkthimi”, dmth., përkapja automatike e imazhit vonohet, shigjeta e vrullshme e mendimit, idesë dhe ndjesisë ngadalësohet dhe poezia humbet, firas shkathtësinë instinktive. Ata që kanë njohuri për psikolinguistikën e njohin mirë këtë dukuri. Për Kaltrinën mendoj se ka qenë një zgjedhje e goditur. Tekefundit asaj i rri mirë gegnishtja dhe këtu mbarojnë të gjitha pyetjet. Gjykoni vetë:

…me e rue, si e ruen gegënishten Veriu, thellë n’zemër…
ama, me t’fol ve
ç unë
e me t’thanë me zâ e pa zâ, tanaherët:
të du
të du
të du.


E dyta: Vargjet e lira (me ndonjë përjashtim të pakët kur shkruan me katrena, afër traditës), krijojnë profilin e poetes dhe pikërisht natyra e vargjeve të lira i jep mundësinë poetes të shprehë detaje e hijezime të mendimit të figurshëm, pa sforco, por thukët, sikur pikturon, si psh:

Çdo natë ngjaj me natyrën e vdekun
me nji shishe venë e nji gotë
unë pikturë e dehun, pa ty
kornizë që më mban…

apo kur ndjenja rritet dhe krijon një mistikë për adresatin e panjohur:

M’fal, i panjohun
po fluturat qi po çmenden n’bark
ma nalin frymën
dhe… edhe në u quajt mëkat kjo dashni, do mëkatoj patjetër
ndiej qi s’kam frymë qi m’b
ân t’plotë pa tanden
dhe as s’kam andërr me l
ân’ përgjysë…

 

E treta, Kaltrina mbrun e krijon, duke vizatuar rrethin e gjërave të saj të shtrenjta, pikërisht aty ku bota e saj është. Mund të jesh poet virtuoz, të ushtrosh virtuozisht sportin e shkathët të tropeve letrare, të figurave, por nëse kjo aftësi e jotja nuk vizaton, nuk prek, nuk shpirtëzon një botë konkrete, ti rrezikon të mbetesh poet “pa bigrafi”, një ushtrues i një ligjërimi të zbrazët. Kaltrina gjithmonë shpirtëzon dhe sensualizon ndjenjat e saj të mungesës, të nostalgjisë, të ëndërrimit dhe shpresës së heshtur, aq sa poezitë e saj mund t’i quajmë dhe “romanca të mungesës”. Por shpesh bota e saj bëhet konkrete, e prekshme dhe magmatike: janë vendlindja, Mitrovica, Kosova, Familja si zanafillë, e cila rritet për t’u bërë tan atdheu. Edhe në këtë lloj poezie mjaft të rrezikshme për kurthet e patetikës, Kaltrina ka qasjen e saj antipaptetike, njerëzore dhe intime, sikundër vargjet e poezisë “Mall”, që realizojnë me fjalë këtë pikturë:

Fryn erë e mallshme qi zanin ma bân heshtje
tan frymën ma ndal e ma kthen prapë
kur m’i ep flakë kujtimeve
me t’qeshunat bashkë me babën e nanën
n’sofrën e mbushun me bukë, krypë e dashni
Drita qi hinte nër derë ka kenë zilja e sahatit
qi m’çonte gjumin syve n’shtratin ku rrita fmininë,
urimi me plot gojë qi tingllonte lezetshëm
për nji ditë t’mbarë…
Kam mall për duert e nanës qi m’veshnin
e m’epnin bukë me dashuni
për zanin e babës qi ushtonte për nji
gastare me ujë t’kronit
me i lagë buzët e lodhuna
e për lojnat qi i shpikte për mue
për me m’pa t’qeshun…

Mall për çdogja t’asaj kohe qi kam jetue
qi veç rritet e rritet e m’përpin udhës së lotit
kadalë e kadalë.

Duke përfunduar, ju them, se një ndër aftësitë më të virtytshme të artit poetik të Kaltrinë Ukajt është gjithpërfshirja e botës së saj me një mallëngjim lirik, ku ngjyrosen me numancat e ndjenjave konkretja dhe abstraktja, prania dhe mungesa, afërsia dhe largësia, intimja dhe shoqërorja – dhe, me një thurimë të dendur detajesh e figurash, ajo na fal një botë të ngrohtë, të sensualizuar, të përshkuar nga nostalgjia, ëndrra e shpresa – një botë të elektrizuar nga ndjenja dhe sugjestioni i së bukurës.
Po më mirë se fjalët e mia, këtë botë dhe art të Kaltrinës, e cila sapo ka nisur spiralen e saj të hijshme të Ngjitjes, do ta gjeni në dhjetëra poezitë dhe vargjet e këtij libri fort të çmuar, ku poetja juaj, po të përdorim titullin e saj kuptimplotë – “Ju ban sogje”!

 

Tiranë, 25. 11. 2019

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular