BallinaKryesoreZhdoganimet e Ramës në Moskë kanë lidhje edhe me 2 marsin e...

Zhdoganimet e Ramës në Moskë kanë lidhje edhe me 2 marsin e presidentit

Nga Ilir Nikolla

Sjellja thuajse si nën kërcënim e mazhorancës, pas njoftimit të presidentit të republikës se ka ndërmend të prishë “status-quo”-në, menjëherë pas tubimit të 2 marsit, është një tregues tjetër i grushtit të shtetit permanent që po konsumohet në Shqipëri. Njëra pas tjetrës institucionet kanë rënë dhe tabutë e fundit që po rrëzohen janë ato të politikës së jashtme. Edi Rama po e nxjerr në mexhlis merakun që ka për marrëdhënie më të ngushta me Rusinë dhe e tha hapur ëndrrën e tij për të kthyer zemrekun e orës mbrapsht, në kohën kur shqiptarët luteshin për Baba Stalinin. Në Moskë ai foli kryekëput si kryeministër i Shqipërisë dhe asnjë moment si përfaqësues i OSBE-së, prandaj edhe loja për ta fshehur vizitën si një vizitë jo-bilaterale nuk funksionoi. Si gjithmonë, rusët, që dinë mirë si t’i bëjnë punët me nxënësit që kanë nën hyqëm, përdorën me Ramën shkopin dhe karrotën, e lejuan të bënte show-n e radhës, por e detyruan edhe të shqiptonte frazat që duheshin zhdoganuar: Rusia nuk është armike, as për Evropën, as për Shqipërinë, është thjesht një konkurrente.
Kaq duhej.
Shqipëria, vendi që në Ballkan ka vuajtur më shumë nga sjellja prej superfuqie antishqiptare e Rusisë, duhej, që, nën petkun e OSBE-së dhe me gojën e kryeministrit, të zhdoganonte një politikë që ndoshta mund t’i leverdisë dikujt në Bruksel a gjetkë, por që s’ka asnjë interes për Tiranën, për më tepër, që dëmton objektivat afatgjatë të diplomacisë tonë. Sado shtet i shpërndarë që jemi, prej 1990, Shqipëria ka miratuar disa dokumente për politikën e saj të jashtme, dhe ato dokumente ndodhen të arkivuara në arkivin e Ministrisë së Jashtme, pavarësisht se ministri ynë në detyrë (edhe kryeministër gjithashtu), rrëfen padijen e tij proverbiale kur rrëfen faqe botës se s’e ka idenë ç’dokumente miraton shteti i tij. Ai di mirë se Rusia s’është armike e shqiptarëve, ai di të recitojë njësoj se s’ka integrim brendashqiptar pa u integruar me Serbinë dhe mashtron sy më sy lidhur me marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, harron se dikur ishte i hapur për zgjidhje e sot thotë se ajo ide ishte gatuar në një kuzhinë katundareske.
Zhdoganimet e Ramës në Moskë mund të shkaktojnë dëme ndërkombëtare, por kjo mund të mos jetë shumë e rëndësishme për momentin, por dëmet aktuale që i shkaktohen diplomacisë shqiptare dhe shtetit të Kosovës posaçërisht, janë një motiv shtesë për ta ndihmuar lëvizjen e presidentit për prishjen e “status-quo”-së.
Deklasifikimi i Rusisë nga armike në konkurrente, rrethimi i bashkimit kombëtar me gardhin e minishengenit dhe dublimi i Kosovës në prezantimin e saj ndërkombëtar janë fronte të reja dëmi që çeli vizita “jozyrtare” e Edi Ramës në Moskë. Këto fronte, të çelura kaq jangllësh e kaq pa teklif kanë natyrisht lidhje edhe me klimën e para-tubimit të 2 marsit, prandaj s’ka pse politika e re e presidentit të republikës për prishjen e “statu-quo”-së së grushtit të shtetit s’ka pse të mos zgjerohet edhe tek dëmet e reja që po shkaktohen në politikën e jashtme të vendit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular