BallinaSportPo Alma Lama, a do të rikthehet në diplomaci?

Po Alma Lama, a do të rikthehet në diplomaci?

Arben Çokaj

Qeveria e re e Kosovës – një koalicion në mes LVV e LDK-së, ka një muaj që ka filluar nga puna, dhe tashmë ajo po shikon ta marrë nën kontroll qeverisjen, dialogun me Serbinë, por edhe diplomacinë. Qeveria ka marrë disa vendime të rëndësishme gjatë kësaj kohe, dhe ditët e fundit, pati zhvillime edhe në fushën e diplomacisë, me shkarkimin e disa konsujve, por edhe një ambasadore e spikatur u shkarkua nga puna, falë një gafe diplomatike kryesisht, që dukej se nuk ishte në fakt i gjithë faji i saj. Shpesh ndodh, që edhe në hierarkinë diplomatike, e ha më i dobëti…

Shoqja dhe ndihmësja e znj. Çitaku, znj. Lendita Haxhitasimi, shkoi direkt si ambasadore në Itali, dhe e zëvendësoi ambasadoren e nderuar Alma Lama, edhe pse ajo nuk e kishte kualifikimin e duhur, gradën e një niveli diplomatik për ambasadore në një vend të rëndësishëm si Italia. Aq më tepër, pas një pune të mirë të kryer nga znj. Lama, duke shënuar kështu rënie në nivelin e përfaqësimit diplomatik. Nuk duhet mohuar fakti, se Kosova në 2-3 vitet e fundit, për arsye të politikave të gabuara të ndjekura nga qeveria Haradinaj, ka një rënie të ndjeshme edhe në reputacionin publik me vendet e Perëndimit, e kjo rënie duhet rikuperuar, me përfaqësues të aftë e dinjitozë edhe në fushën e diplomacisë.

Qeveria Kurti tashmë, ashtu si po punon për të vendosur reciprocitet me Serbinë, ashtu duhet të interesohet të vendosë reciprocitet edhe me Shqipërinë. Në këtë rast e ka më të lehtë, pasi ne jemi i njëjti popull, dhe pranueshmëria reciproke mes palëve është më e madhe, nëse synohet gjithmonë bashkëpunimi më i madh, e jo ndasitë artificiale që potencohen herë pas here. Këtu ka rol dhe ndikim jo vetëm aftësia profesionale, politike e diplomatike, shkëmbimi i përvojave dhe ndihma reciproke për njëri-tjetrin, por edhe simbolika.

Në rastin e simbolikës, mund të përmendim kryeministrin Rama, i cili jo vetëm që kërkon në çdo takim të rëndësishëm njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia, si një realitet politik që duhet pranuar, e së fundi ai e kërkoi këtë edhe në Moskë, në takim me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, por e theksoi këtë gjë edhe në bisedë me gazetarët Berat Buzhala e Leonard Kërkuqi, në debatin e fundit, që patën Live në Facebook para disa ditëve, ku kishte edhe një shikueshmëri rekord të kësaj bisede. Rama për më tepër ka vendosur dy ministra në qeverinë tij nga Kosova, jo se nuk ka njerëz më të aftë se ata dy në Shqipëri apo në PS, por sepse bashkëpunimi ndër-shqiptar, që kërkon kryeministri Kurti, nuk mund të bëhet më mirë, se sa me vendosjen në poste të rëndësishme të njerëzve të përbashkët, në Shqipëri të drejtuesve nga Kosova dhe në Kosovë, të drejtuesve apo titullarëve nga Shqipëria. Kuptohet se këta njerëz duhet të zgjidhen edhe brenda spektrit politik të atyre partive, apo krahut politik, që drejton qeverinë e shtetin.

Alma Lama në këtë rast është jo vetëm një gazetare e patriote e dalluar, por edhe një aset politik, diplomatik dhe intelektual, e përfituar tashmë nga shoqëria kosovare si e tillë. Por në vend që ajo të ruhej e mbrohej si një urë lidhjeje e fortë mes Shqipërisë e Kosovës, kalkulimet politike, diplomatike por edhe mediatike, shpesh të sponzorizuara nga paratë politikës, e sulmua keq mediatikisht znj. Lama, kryesisht pa faj, si rasti tani i znj. Çitaku. Nga konflikti politik mes PDK-së dhe LDK-së, znj. Lama u shkarkua nga puna si ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali, në mes të mandatit të saj, pa ndonjë arsye profesionale dhe për më tepër edhe pa ndonjë sqarim nga ministria e jashtme e Kosovës, e nga ish-ministri i jashtëm z. Pacolli. Dihet se znj. Lama ishte emëruar aty si kërkesë e kryetarit të LDK-së, z. Mustafa, por kur LDK u largua nga koalicioni qeverisës me PDK-në, ra edhe mbrojtja politike për znj. Lama si diplomate me emërim politik, pasi asaj tashmë i mungonte edhe mbështetja që kishte pasur në fillim nga partia e saj.

Tani kanë ndryshuar elitat politike drejtuese në Kosovë. Qeveria Kurti u krijua si fryt i koalicionit mes LVV dhe LDK-së, dhe znj. Lama do të duhej në fakt të ri-konsiderohet nga ky koalicion – i cili po shihet se ka edhe shumë punë të mëdha përpara – të cilat mund të kryhen më mirë nga njerëzit e aftë. Në këtë kontekst, edhe znj. Lama mund të angazhohet përsëri si një element bashkues, si një diplomate, që mund të shërbejë për të mirën e Kosovës në disa plane. Pasi, znj. Lama nuk dyshohet se punoi keq, nuk dyshohet për aftësitë e saj intelektuale, politike e diplomatike, mund të jetë ndër diplomatet më të afta të Kosovës sot, dhe nuk ka dyshim se punën e bën me përkushtim e ndjenja atdhetarie, për ta pasur zili. Për më tepër ajo është edhe “e Shqipnisë”… Dhe për të mos lënë vend, të spekulohet për falsitet në ndjenjat reale të dashurisë së Kosovës ndaj Shqipërisë, është mirë që këto raporte të ruhen e mbahen, me reciprocitet, por edhe me simbolikat e saj! Se këto i duhen politikës dhe shoqërisë.

Mendoj se znj. Lama do e përmirësonte punën e madhe dhe të mirë, që bëri znj. Çitaku si diplomate në SHBA, nëse nuk e pranojmë realitetin ashtu siç është, se ajo do e stimulonte këtë punë të mirë në një nivel më të lartë se vetë znj. Çitaku, sikur të supozojmë se znj. Lama do të zinte vendin e saj në Uashington. A ka kush dyshime për këtë nga ana e aftësive profesionale? Aq më tepër se shoqja dhe bashkëpunëtorja e znj. Çitaku, i zuri edhe vendin znj. Lama në Romë, pas një largimi aspak fisnik të saj nga puna, në mes të mandatit. Pra, me ligjin e kompensimit, mund të kemi në këtë rast edhe një farë shpagimi për znj. Lama, por edhe përmirësim të punëve diplomatike. Kuptohet se emërimet në diplomaci dhe përzgjedhjen e drejtuesve politikë e diplomatikë do e bëjë kryeministri Kurti, në bashkëpunim me ministrin e jashtëm Konjufca, por edhe me presidentin Thaçi. Kështu që ata duhet ta kenë parasysh, se në shtetin e ri të Kosovës dhe në bashkëpunimin ndër-shqiptar nuk ecet vetëm me parulla vëllazërore e butaforike dhe me ndjenja atdhetare folklorike, por me veprime reale.

Dhe ashtu si synon z. Kurti t’i shkrijë kufijtë ndër shqiptarë, kur bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal në bisedë me kryeministrin Rama, dhe ua mbush mendjen të gjithëve se z. Kurti është një patriot e atdhetar i mirë, nuk ka mënyrë më të mirë pra, se sa futja në punë e njerëzve nga Shqipëria edhe në poste drejtuese në Kosovë, siç ka bërë z. Rama në qeverinë e tij. Rama mund ta ketë luksin në shteti shqiptar që ta kontrollojë më mirë politikën e tij, se sa z. Kurti, por nuk do të ishte ndonjë sakrilegj i madh, as për z. Kurti, ta mendonte këtë angazhimin e shqiptarëve nga Shqipëria, në disa raste, në poste të tilla drejtuese dhe diplomatike edhe në Kosovë. Jo se nuk ka njerëz të tjerë, ka dhe do të ketë gjithmonë, por raportet e reciprociteti duhet të ruhet edhe mes vëllezërve! Sepse kontributi politik është përfaqësim!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular