BallinaAktualitetPagë minimale për të vetpunësuarit: Si pritet të ndahet fondi i ndihmës...

Pagë minimale për të vetpunësuarit: Si pritet të ndahet fondi i ndihmës 65 mln USD

Të vetëpunësuarit do të përfshihen në planin e ndihmës të qeverisë brenda fondit me vlerë 65 mln dollarë. Ministri i Rindërtimit dhe i zbatimit të planit të masave për Covid 19, Arben Ahmetaj shpjegoi për Euro News se kompensimi për të vetëpunësuarit që kanë humbur punën do të jetë në nivelet e pagës minimale.

“Të vetëpunësuarit do të përfshihen brenda portofolit prej 65 milionë dollarë për të ndihmuar këtë kategori apo ndërmarrje të tjera që kanë ndërprerë punën. Nuk do të bëjmë çudira, ndihma do të jetë bazike. Kjo është mundësia. Nëse e ke pasur pagën 1 mln lekë nuk do të kompensohesh për këtë, por kompensimi do të jetë në nivelet e pagës minimale”, tha zoti Ahmetaj.

Ministri Arben Ahmetaj shpjegoi se nuk ka shtyrje të pagesave të detyrimeve dhe sigurimeve shoqërore.

Ahmetaj tha se nëse nuk paguhen detyrimet vendi për 1 javë kalon në kaos. “Do të paguhen pagat e deklaruara në borderotë mbi të cilat janë paguar sigurimet shoqërore.  Biznesit do t’i paguhet paga bruto, pasi sigurimet dhe detyrimet e tjera nuk do të ndalohen. Në rast se nuk paguhen Shqipëria për 1 javë kalon në kaos, do të rrjedhë gjak”, tha Ahmetaj.

Nga ministri Ahmetaj do të drejtohet task-force, me përfaqësues Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Financave dhe Shëndetësisë për kontrolle në terren të punës të biznesit.

Rritja ekonomike do të zbresë 2 %

Koronavirus pritet të japë efekte negative edhe te rritja ekonomike dhe borxhi publik. Ministri Ahmetaj tha se ngadalësimi ekonomik do të jetë shumë i lartë, ndërsa borxhi publik pritet të rritet. “Paratë janë gjetur nga rialokimi i shpenzimeve siç ka ndodhur dhe zgjerimi fiskal sipas traditës dhe nevojës të situatës. Arsyeja kryesore e rritjes të deficitit afër 4 për qindëshit është rënia drastike e të ardhurave me 7 mld lekë apo 70 mln dollarë për këtë muaj dhe muajin tjetër mund të shkojë 120 mln dollarë. Për llogaritjen e rënies të të ardhurave, kemi hyrë NIPT më NIPT, sektor më sektor dhe kemi bërë llogaritë të detajuara deri në nivel NIPTI.

Borxhi publik me këtë dinamikë shkon më pak se 67 për qind të PBB-së dhe kjo varet se çfarë trajektore rënëse do të marrë ekonomia. Rritja reale e ekonomisë pritet të zbresë në 2%.  Akti normative nuk ka prekur asnjë investim publik, përveç disa koncensioneve të deklararuar nga kryeministri. Investimet publike do të vazhdojnë siç janë programuar.

Eurobondi

Ministri i Rindërtimit tha se qeveria në fund të muajit maj do të dalë në tregjet ndërkombëtarë për eurobondin. “Jo vetëm Shqipëria, por edhe vende të tjera tani shihen ndryshe në treg. Eurobondi është i mundur në fund të muajit maj apo fillimi i muajit qershor. Mendojmë se ne do të dalim në treg me 650 milionë euro”, shpjegoi ministri./MONITOR

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular