Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do ti drejtohet Gjykatës kushtetuese për të zhvlerësuar masata e jashtëzakonshme të qeverisë së Albin Kurtit për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në kuadër të koronavirusit.
Duke qenë se Kosova numëron mbi 30 raste të konfirmuara me Covid-19, qeveria ka marrë masa që të ndalohet qarkullimi i veturave dhe qytetarëve nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes. Por sipas presidentit ky vendim është nul.
“Vendimi për kufizimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve paraqet shmangien nga të drejtat dhe liritë e njeriut që garantohen me Kushtetutën e Kosovës. Kufizimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve mund të bëhen vetëm me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. E atë mund ta shpallë vetëm Kuvendi i Kosovës”, tha ai.
Thaçi theksoi se “As Policia e Kosovës, as organet e sigurisë, nuk duhet të zbatojnë këtë vendim antikushtetues të qeverisë sepse kështu edhe vetë do të bëjnë vepër penale. Vendimi i Qeverisë është pa efekt juridik të zbatueshëm dhe është i pazbatueshëm në tërë territorin e Kosovës. I njëjti kryeministër që refuzoi me këmbëngulje shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, tani po merr vendime antikushtetuese. Këto veprime ai po i bën jo për të mbrojtur qytetarët, por për të mbrojtur veten e tij. Nesër do t’i kërkoj gjykatës kushtetuese pezullimin dhe anulimin e këtij vendimi”, tha Thaçi.
Dhe në këtë konflikt, në kulmin e krizës askush nga qytetarët nuk e di nëse do të zbatojë apo jo masat e shtetrrethimit, pasi qeveria i ka shpallur ato ndërsa presidenca i quan nul.