BallinaKryesoreNegociatat? Prit gomar të mbijë bar

Negociatat? Prit gomar të mbijë bar

Nga Enkel Demi

Sot, do të kisha dëshirë që ai mos të dilte, as mos ta bënte të gëzuarin, as të sakrifikuarin që nuk po e bën dot festën e madhe, pasi na ka rënë sëmundja si pulat e kotecit. Por, kjo është një dëshirë e pamundur, sepse njerëzit që vuajnë nga logoreja nuk do të përmbahen, ani se do të recitojnë të njëjtën vjershë si gjithë këto kohë të mërzitshme. Do thonë se na i hapën negociatat dhe sa të mbarojë kjo “luftë” do plasi peshku. Do u drejtohen atyre që po i mbajnë si delet në haur; doja të thoja në karantinë.

Po, negociatat na janë hapur, por pa datë. Është njësoj sikur të jesh tek dentisti që nuk ta heq kurrë të drejtën e fjalës, por ti nuk flet dot pa mbaruar punë ai, meqë e ke gojën jo të hapur, por të shqyer. Nëse stomatologu do bëj dy mbushje, një heqje, pa kryer punë ai ti vetëm sa psherëtin, lëngon dhe kaq.

Shqipërisë sot i kanë shqyer gojën dhe i thonë kemi një dyzinë me kushte që do na i plotësosh një më një. Pa i kryer këto nuk ka datë, pra nuk bëjmë dot bisedë bashkë.

Merita e qeverisë sonë është që nga nëntë kushte gjermane që kishim herën e parë, na shtoi dhe tre të tjera. Kuptohet ai që nuk rri dot pa fol mund të krenohet, sepse dikur bënte strike me 9 kushte në një dorë, tani vetëm 3 shtoi.

Njëra prej shtesave është një tekë e tij personale, e cila u shndërrua në kusht; paketa antishpifje quhet, të cilën e mbrojti duke na e shitur që Gjermania e kishte ku e ku më të fortë se ne.

Është ajo paketa që duhet ta çonte në atë që s’thuhet atë vetë para ca ditësh, kur mashtroi me videon e Algjerisë që e shiti si spanjolle. Po ta bënte këtë gabim ndonjë prej nesh, gazetarëve, sipas paketës së tij magjike duhet të paguanim miliona lekë gjobë pa gjyq, të kyçnim gojën, portalet, madje mund t’i thonim burgut “hapu!”. Tani, këtë paketë e kemi peshqesh-kusht prej atij që i di gjërat më mirë se delet e haurit, të cilat për të kullotur kanë nevojë për urdhër qeverie.

Bashkimi Europian gjeti një mënyrë që mos të djegë Maqedoninë e Veriut, duke na thënë se jua hapëm dyert, por më parë lani duart si porosit kat’nari i Surrelit, sepse na infektoni, meqë keni virusin e korrupsionit, trafikut të drogës, vjedhjes së zgjedhjeve, drejtësinë e partisë, shtypjen e medias dhe kështu me radhë.

Kjo është ftesa, të cilën e ka edhe “sulltani” i vërtetë, Erdogani, madje ka mbi dhjetë vjet, por për datë as që bëhet fjalë. Sa t’i jepet data këtij “sulltanit-kopje” duhet të kalojnë ca kohë të tjera; më optimistët thonë një vit e gjysëm. Pastaj janë kapitujt që me metodologjinë e re, e cila kënaqi Makronin bëhet si lojë “mos u nxeh”; po gabove kthehesh në pikën e fillimit, jo aty ku ke gabuar.

Prandaj, kisha dëshirë që ai mos të fliste dot, sepse sapo i kanë dhënë një lugë bosh, të cilën ai duhet ta mbushë me një çorbë që quhet: “prit gomar të mbijë bar”.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular