BallinaEkonomiPaketa anti-Koronavirus/Kush përfiton pagën minimale nga shteti dhe si mund ta marrë...

Paketa anti-Koronavirus/Kush përfiton pagën minimale nga shteti dhe si mund ta marrë atë

Kryeministri Edi Rama paraqiti më 19 mars një sërë masash financiare për të përballuar krizën nga koronavirusi dhe pasojat shoqërore dhe ekonomike të saj.

Për bizneset e vogla, qeveria ka parashikuar financim të drejtpërdrejtë për ditët e munguara të punës, bazuar në rregjistrat shtetëror.

Punonjësit e bizneseve të vogla dhe të vetëpunësuarit mund të përfitojnë 26,000 lekë në muaj nëse aktiviteti i tyre është mbyllur për shkak të masave kundër koronavirusit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave hyri në fuqi ditën e dielë, 29 mars, dhe efekti i saj do të zgjasë për tre muaj.

Kush përfiton?

Përfitues të kësaj ndihme financiare janë të gjithë bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milion lekë në vit, që paguajnë tatim mbi fitimin (ose tatimin e thjeshtuar mbi fitimin). Këtu përfshihen të vetëpunësuarit, personat fizikë tregtarë dhe punonjësit e papaguar të familjes së tyre, si dhe personat juridikë.

Pagesat do të bëhen sipas listës së punonjësve të deklaruar nga biznesi. Për ato që i deklarojnë punonjësit çdo tre muaj, do të konsiderohet listëpagesa e tremujorit të fundit të 2019-ës. Ndërsa për bizneset që këtë deklarim e bëjnë çdo muaj, do të merret për bazë listëpagesa e janarit 2020.

Punonjësit që janë të regjistruar në më shumë se një punë do të përfitojnë vetëm një pagë minimale.

Si bëhet aplikimi?

Aplikimin e bën biznesi në mënyrë elektronike në faqen web të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ku plotëson të dhënat e biznesit dhe ato të punonjësve që do përfitojnë pagën në formularin e caktuar.

Brenda 10 ditëve të muajit pasardhës, drejtoritë rajonale tatimore do të bëjnë verifikimin e dokumentave dhe verifikimin në terren. Më pas Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do t’i dërgojë listën e individëve përfitues Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit e cila kryen pagesat. /Exit.al

NJOFTIMI Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve 

Në bazë të VKM nr.254 datë 27.03.2020 “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë,  ndihmës ekonomike  e të pagesës të së ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19”, i cili hyn në fuqi prej datës 1 Prill 2020, ju informojmë për kriteret dhe mënyrën e aplikimit që duhet të kryejnë subjektet përfitues, të cilët:

  • për vitin 2019 kanë realizuar të ardhura deri në 14 milionë lekë,
  • duhet të kenë ndërprerë aktivitetin në zbatim të Urdhrave të Ministrit së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), të dala për këtë qëllim, si dhe
  • duhet të kenë përgjegjësi tatimore për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimin mbi fitimin

Përfitues të ndihmës financiare të barabartë me pagën minimale në rang vendi, në fuqi, prej 26.000 lekë në muaj, janë:

  1. personat fizikë të vetëpunësuar;
  2. punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar;
  3. të punësuarit në personat fizikë tregtarë.
  4. të punësuarit në personat juridikë,

me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, sipas listëpagesave të deklaruara nga subjektet tatimpagues, të cilët duhet të kryejnë edhe aplikimin për të përfituar ndihmë financiare, sipas Formularit bashkengjitur këtij njoftimi.

Individët e punësuar, që rezultojnë në më shumë se një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagë minimale.

Subjektet që plotësojnë kushtet e mësipërme, duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet llogarisë së tyre të deklarimit elektronik në e-filing, kërkesën me të dhënat e përfituesve, sipas modelit bashkengjitur, ku përfshihen:

  1. Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NUIS
  2. Të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë të vetpunësuarit, punonjësit e papaguar të familjes dhe të punësuarit:
  • emrin, atësinë, mbiemrin
  • numrin personal të identifikimit të përfituesit
  • bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare
  • IBAN të llogarisë bankare të individit përfitues

Subjektet që do të plotësojnë kërkesën sipas Formularit të miratuar, bashkëngjitur, duhet të sigurohen që të plotësojnë të dhënat e sakta të individëve pëfitues, ku numri personal i identifikimit ID dhe IBAN i llogarisë bankare janë të dhëna shumë e rëndësishme.

Pas verifikimit brenda 10 ditëve të muajit pasardhës, të të dhënave të derguara nga aplikuesit, nga Drejtoritë Rajonale Tatimore ku subjektet janë të regjistruar, lista përmbledhëse me të dhënat e individëve përfitues të ndihmës financiare, paraqitet nga DPT, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, e cila, sipas VKM nr.254, satë 27.03.2020, kryen pagesat për individët përfitues.

Dokumenta ndihmëse

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular