“Luga bosh e qeverisë”, Basha: Paketat e qeverisë nuk janë të mjaftueshme. E para është zbatuar për pak njerëz, e dyta akoma nuk ka hyrë në fuqi.
Pyetje: A janë të mjaftueshme dy paketat e qeverisë?
Lulzim Basha: Në volumin financiar janë të pamjaftueshme, janë 2/3 e paketës së parë të Kosovës. Në mënyrën sesi I trajtojnë problemet e qytetarëve janë të pamjaftueshme. Në qoftë se e marrim të mirëqenë paketën e dytë, e cila deri në këto momente që flasim nuk e di të jetë bërë efektive, pra nuk kemi një akt qeveritar, një akt ligjor zyrtar, ligjor që e vë në lëvizje paketën e dytë, pra nëqoftëse e marrim të mirëqenë, prapë se prapë në total trajton më pak se 10% të popullatës, e cila ndodhet në probleme të thella ekonomike për shkak të pandemisë. Dhe këtu bëhet fjalë për të papunët, bëhet fjalë për njerëzit në asisetencën sociale, bëhet fjalë për njerëzit që janë në shtrëngesën totale ekonomike, por nuk e përfitojnë asistencën sociale, bëhet fjalë për të vetëpunësuarit që kanë humbur të ardhurat për shkak të mbylljes së biznesit, bëhet fjalë për të punësuarit në biznese që ose janë mbyllur për shkak të masave ose kanë qëndruar hapur dhe nuk kanë përfituar asgjë për shkak të rënies së konsumit. Pra, pasojat e krizës janë ndjerë në një spektër shumë më të gjërë, ndërsa ndihma në letër, pra vendimet në letër e japin ndihmën me pikatore dhe me vonesë. Sipas të dhënave tona nuk bëhen as 10 mijë ata që kanë marrë ndihmën nga paketa e parë, paketa e dytë vetëm është shpallur dhe akoma nuk është vënë në lëvizje.
Sot, 5 javë pasi ka filluar zyrtarisht edhe regjimi i distancimit social dhe i karantimit de facto jemi jashtëzakonisht vonë dhe pasojat po ndihen dhe dhimbja po ndihet në çdo familje. Prandaj përgjigjja e shkurtër është Jo. Të dyja paketat nuk janë të mjaftueshme dhe zbatimi i paketave lë shumë për të dëshiruar. E para akoma nuk është zbatuar, e dyta akoma nuk është zbardhur. Kjo është të mbushësh njerëzit me lugë bosh dhe me lugë bosh nuk mbushet as barku i vogëlushëve, as xhepat e të papunëve dhe as tryezat e të pamundurve.