BallinaUncategorizedCovid-19 VS Propaganda. Propozimet e opozitës udhërrëfyes për menaxhimin e krizës

Covid-19 VS Propaganda. Propozimet e opozitës udhërrëfyes për menaxhimin e krizës

Nga Lulzim Omuri

Me zanafillën në qytetin Wuhan te Kinës dukej se virusi Covid 19 nuk do të mbërrinte kurrë kaq pranë Europës e vendit tonë.Megjithatë u deshën vetëm disa javë dhe sot, gjendemi përballë një krize globale, e cila më shumë se kurrë kërkon një qasje të sigurt lokale duke marrë paraysh modelet më të mira.

Kanë kaluar 35 ditë që nga momenti që virusi erdhi nga Italia fqinje në vendin tonë, të paktën kjo është trumbetuar në rrugë zyrtare. Dukej të ishte një skenar i parashikuar në teori, por sa u arritën të merren masat në kohën e duhur nga qeveria shqiptare?

Hapi i parë ishte mbyllja e institucioneve arsimore dhe vendosja e nje orari per bizneset qe operojnë në vend. Ditët e para u duk se situata ishte nën kontroll duke qenë se përditësimet e fundit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik qëndronin në shifra të pranueshme.

Megjithatë ky vrasës i heshur është i pabesë. Situata ishte paralajmëruar shumë më perpara, mjafton të shikoje batërdinë që po bënte në Italinë mike. Në ditët e fundit përpara se te shpallej pacienti 0 në mbrëmjen e datës 9 Mars, me mijëra qytetarë u dyndën nga Italia për në vendin e tyre pa asnjë kontroll, ose me raste të një kontrolli temperature.

Masat nga qeveria , me kalimin e ditëve dhe vdekjes së parë me 11 mars të një zonje të moshuar nga Durrësi , nisin të shtrëngohen duke vendosur fasha oraresh dhe dalje me autorizim.

Mendoj se një frymë bashkëpunimi e pashoq u ndje mes të gjithëve, si detyrë për të ruajtur veten dhe familjarët.

Si qytetar i Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera më e pakta që mund të presësh është që kryeministri i vendit, në dalje të rralla të sigurojë bashkëkombasit e tij me një plan të qartë masash për përballimin sa më efikas të situatës që do përfshinin masa në sistemin shëndetësor, në planin social dhe ekonomik.

Në fakt, në kalvarin e gjatë të daljeve të tij para publikut shfaqet një presion i vazhdueshëm psikologjik, nëpërmjet një terminologjie lufte, frike dhe kercenimesh të njëpasnjëshme për rrezikun që kanoset nga armiku.

Perballimi sa me i kthjellët e konkret i situatave të tilla në rastin e nje frike masive për jetën nga ana e figurave publike, është pika kyçe për të transmetuar siguri tek qytetarët.

Nga ana tjetër , nëse në menyrë periodike, të arsyeshme, dalja televizive do ti dedikohej një grupi specialistësh dhe ekspertësh të fushës ,do të sillte qetësi dhe kurajo. Ndërsa liderit politik do ti shërbente roli i dikujt që përballet me krizën në nivel afatgjatë, për më tepër në pasojat ekonomike që ajo lë, të cilat do të reflektohen së shpejti në xhepat e shqiptarëve.

Në rastin konkret masat ekonomike po vijnë konfuze, me shpejtesinë e një breshke dhe të paqarta për shtresën në nevojë.

Përpara së gjithash nevojitet të sigurohet që çdo individ që banon në territorin e Republikës së Shqipërisë të pajiset me nevojat përkatëse ushqimore. Ky do të ishte hapi i parë bazik i çdo qeverie të përgjegjshme.

Ndihma shtetërore duhet të jetë gjithëpërfshirëse, të sigurohet si për biznesin e vogël, biznesin e madh, të punësuarit dhe shtresat e marxhinalizuara. Nevojitet një paketë e plotë ekonomike e qartë dhe me shifra konkrete në menyrë që qytetarëve tu lehtësohet barra e ditëve dhe muajve që do të vijnë.

Lehtësia e ofruar nga shteti është të shërbejë si garantor në bankë gjatë marrjes së kredisë. Por sa i shërben biznesit zhytja në borxhe? Ndërkohë që barra fiskale nuk ka asnjë lehtësim,taksat si dhe pagesa e ujit dhe e dritave janë po njëlloj .A është e nevojshme vënia përballë e qiramarrësit që nuk ka të paguaj me qiradhënësin që nuk ka burim të ardhurash për tu ushqyer?

Le të mos harrojmë që çdo vendim që merret sot mbi përballimin e situatës do të reflektojë në të ardhmen jo të largët dhe çdo pasojë do të bjerë në kurrizin e qytetarëve.

Në një moment të tillë, qytetari sot ka nevojë ti transmetohet siguri, nëpërmjet një qëndrimi pozitiv e bashkëpunues dhe jo imponues të frikës, një plani të qartë ekonomik që do e ruajë integritetin e ekonomisë post- koronavirusit.

Dalja e ushtrisë në rrugë, ndihma humanitare me qese ushqimesh dhe fotografë nga mbrapa, sulmi politik ndaj propozimeve të opozitës e më pas vënia në zbatim e tyre janë tregues të një pushteti që e mban veten në këmbë me propagandë dhe retorika boshe.

Propozimet e opozitës kanë qenë udhërrëfyes për menaxhimin e kësaj krize. Kush ishte çelësi i suksesit të përgatitjes së një pakete propozimesh efektive? E gjitha ishte sepse opozita u bazua në propozimet e profesionistëve të grupeve të punës të ngritura në nivel professional.

Sot nuk është koha për fjalë.Sot është më shumë se kurrë koha për të qenë pranë qyetarëve për ta kaluar sa më shpejt këtë krizë e për t’ju kthyer normalitetit.

Është e kuptueshme që në kohra të tilla jo çdo masë e marrë do të funksionojë në mënyrë të shkëlqyer.

Megjithatë nevojitet një angazhim serioz i të gjitha strukturave përkatëse për të shmangur çdo pasojë që mund të rezultojë fatale.

Për sa i përket sistemit shëndetësor , duke jua lënë në dorë specialistëve të fushës, mund të shpreh vetëm shqetësimin tim si qytetar :

1 .për sigurinë absolute të stafit mjekësor që nesër mund të na shërbejnë secilit nga ne.

2 .testimi i një numri akoma më të madh individësh për të qartësuar balancat e gjendjes ku ndodhemi në mënyrë që të mund të jemi 1 hap para me përballimin e këtij vrasësi të heshtur.

Koha për retorika boshe ka mbaruar. Lufta politike duhet të shtyhet në një moment të dytë.

Fare mirë në këtë pikë secili është i qartë se kush po sillet si Kryeministër dhe kush po i mund mangësitë me propagandë.Kush bën propozime të mirëstudiuara dhe kush merret me komentet ne rrjetet sociale. Jeta e bashkëqytearëve tanë duhet të mbrohet me çdo çmim. Propozimet më të mira duhet të adoptohen, pavarësisht nga ai që I propozon.

Sot është koha për transparencë, qëndrueshmëri dhe besueshmëri në informacion, frymë bashkëpunimi dhe strategji të sakta.

Sot është koha të qëndrojmë fort pranë njëri tjetrit, në luftën e përbashkët kundër këtij virusi me përgjegjegjshmëri dhe me shpresën e padiskutueshme se për Shqipërinë dhe gjithë botën, do të vijnë ditë më të mira.

#qëndronështëpi

#ditëmëtëmira

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular