BallinaOP ED42.000 studentë kanë nevojë për mbështetje financiare

42.000 studentë kanë nevojë për mbështetje financiare

Nga Leons Hasani

Në kohën e propagandës covidiane, gjithologët vazhdojnë zellshëm të trumbetrojnë dështimet si suksese.

Paketat qeveritare për të amortizuar goditjet e Covid19 ndaj ekonomisë janë të keqkonceptuara dhe gjysmake.

Veprimet kontradiktore të qeverisë tregojnë papërgjegjshmëri dhe pamaturi të theksuar në raport me nevojat reale të shoqërisë.

Teatri i qeseve është përcapja e fundit e politikës për të përligjur dashurinë cinike ndaj popullit.
Teatër ky, që nuk mbush barkun e jo më shpirtin e shqiptarëve.

Paketat ekonomike të qeverisë nuk janë aspak të qarta për taksapaguesit. Nuk dihet si, sa dhe kush do të përfitoj prej tyre. Nuk ka transparencë, dhe nuk janë marrë në konsideratë disa kategori të rëndësishme që preken nga Covid19.

Sipas INSTAT për vitin akademik 2018 – 2019 janë 139,043 studentë aktiv që studiojnë në universitetet publike dhe private. Edhe pse numri mund të shkojë 160,000 bashkë me të sapodiplomuarit të cilët nuk janë në marrëdhënie pune, qeveria nuk parashikon asnjë ndihmë për këtë kategori.

Vala tronditëse e Covid19 nuk ka lënë pa goditur studentët, e aq më pak familjet e tyre. Braktisja e studentëve sot është mekat. Mbyllja e syve për të mos parë realitetin e studentit shqiptar është dashakeqësi. Pjesa dërmuese e studentëve kanë ende pa paguar qiratë, tarifat e universitetit, këstet e kredive etj, ndërkohë që prindërit e tyre mund të kenë ngelur pa marrë rrogat ose pa punë.

Vlerësohet se 30% e studentëve dhe familjet e tyre do të hasen me vështirësi në përballimin e shpenzimeve financiare për mbylljen e vitit akademik. Pra, rreth 42.000 studentë, bashkë me familjet e tyre nuk do të jenë në gjendje për të mbuluar shpenzimet e vitit akademik 2019 – 2020.
Situatë kjo e cila mund të sjellë ndërprerjen e studimeve për qindra studentë ose zhytjen e familjes në borxhe.

Për të shmangur këtë barrë të papërballueshme financiare nga kurrizi i 42,000 studentëve qeveria duhet të tregoj vullnet duke mbështetur me 200$ çdo student për dy muaj rrjesht.

Fatura totale për të mbështetur 42.000 studentë është 16,800,000$, thënë ndryshe më pakë se 1 km rrugë.

Nëse qeveria ka në plan të bëjë1 km rrugë me 19,000,000$, atëherë më tregoni se cili është plani juaj të dashur studentë!?

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular