BallinaKultureAziz Ndreu, këngëtar emblematik i cili i këndoi heroizmit dhe trimërisë shqiptare...

Aziz Ndreu, këngëtar emblematik i cili i këndoi heroizmit dhe trimërisë shqiptare ndër shekuj

Nga Ahmet Qeriqi

Në mesin e rapsodëve emblematikë të kombit tonë, emri i Aziz Ndreut qëndron në radhët e të parëve me Tom Nikollën, Dervish Shaqen, Frrok Haxhinë, Sali Manin, Feride Kurtin, Fatime Sokolin, Dava Gjergjin, Drane Gegën  e shumë të tjerë.

(Aziz Ndreu lindi në zalle Dardhe Diber, në vitin 1935. Kishte origjinë prej një familje me tradita të rezistencës kombëtare, por edhe me traditë në këndimin e këngëve të trimërisë. Në saje të angazhimit dhe talentit që kishte derdhur në këndimin e këngëve dhe interpretimin e shkëlqyer me çifteli, Aziz Ndreu ishte shpallur “Artist i merituar”. Në moshë të re është angazhuar si këngëtar  popullor  në Shtëpinë së Kulturës, në Peshkopi. Ka qenë i afirmuar si këngëtar popullor në nivel kombëtar. Ka marrë pjesë në Festivalin e Këngës, muzikës dhe valles, Tiranë 25-27 Nëntor të vitit 1959, ku vlerësohet me çmimin e lartë, “Rapsod popullor”. Pas kësaj merr pjesë rregullisht në të gjitha Festivalet Folklorike të Gjirokastrës dhe në Festivalin e këngës popullore të Beratit, në vitin  1995. Ka vdekur në vitin 2000 në moshë 65-vjeçare)

Këngët e rapsodit dibran, Aziz Ndreu  janë të veçanta në shumë segmente krijuese dhe interpretuese. Për dallim nga rapsodët e tjerë, që kanë krijuar e kënduar dhjetëra e qindra këngë, albumi i këngëve të tij duket modest, por origjininaliteti i këngës së tij është tejmase i veçantë, qoftë me zërin burrëror, të lindur apo të trashëguar, qoftë me përzgjedhjen e këngëve, meqë ai ka kënduar vetëm këngë historike dhe këngë trimërie, qoftë me melodinë dhe kompozimin e shquar artistik, qoftë me mënyrën arkaike të të kënduarit, qoftë me forcën e brendshme shpirtërore, mobilizuese, që iu ka dhënë këngëve.

Aziz Ndreu nuk ka kënduar shumë këngë, por të gjitha këngët e tij janë antologjike, të gjitha këngët e tij janë këngë të krenarisë kombëtare, këngë që kurrë nuk harrohen, kurrë nuk vjetërohen. Sapo ta dëgjosh këngën e Hajredin Pashës, pavarësisht se kush e këndon dhe pavarësisht sa mundohet ta këndojë mirë e më mirë, nuk ka si të mos kujtohet origjinali, të cilit askush deri sot nuk iu ka afruar, as mund ta këndojë si.

Në këtë këngë ai ka bërë bashkë zërat kushtrimtarë si uraganë të ndezur flakë  të Lumës e Dibrës, zërimin mobilizues të masave të revoltuara shqiptare kundër Mbretit të Turqisë, ka intonuar zërin më të fuqishëm të mundshëm të kushtrimit të furisë kryengritëse, të ndeshjeve për jetë a vdekje, zërin e ngadhënjimit çlirimtar, në anën tjetër ka segmentuar edhe zërin e qyqes, të pashait, i cili vajton fatin e zi, vajton atin e ushtarët, derisa përmes zërit të malësorëve dibranë i bëhet me dije  pashait se  Dibra nuk është Selenajk e as Prejlep, por është një termopile e Shqipërisë, e cila u la në gjak vjet për vjet, por kurrë nuk u mposht dhe kurrë nuk u tret.

Heroizmi me të cilin e përthekon strukturën e këngës, Aziz Ndreu, pastaj forca mobilizuese me të cilën e mban gjallë nga fjala në fjalë, nga rreshti në rresht, nga strofa në strofë, krijojnë tërësinë emblemë të këngës, e cila jeton përgjithmonë, meqë edhe është krijuar për të qenë një këngë e tillë, një këngë e përjetshme që ka vulosur në kujtesën e kombit vetëm njërën prej 400 betejave të Shqipërisë kundër Perandorisë më të madhe të botës, kundër Perandorisë osmane.

Ritmi dhe gradacioni artistik i kësaj kënge të sjellë në kujtesë hapërimin e kalorësve që shkojnë drejt vdjekjes, sjellin në kujtesë kushtrimin e mobilizimin popullor, për të mos lejuar ushtrinë pushtuese t’ i shkel trojet, sa e sa herë të lara me gjakun e trimave dhe trimëreshave.

Këngëtari  popullor, po me të njëjtin mënyrë këndimi qësendis  edhe pashanë turk, i cili pendohet për ndërmarjen luftarake, duke përjetuar thellë humbjen drastike e tragjike në fushë të betejes, atje ku kishte hapur varre për ushtarët e tij, atje ku i kishte mbetur edhe kali i ngratë i larë në gjak, atje ku ushtria e tij ishte bërë mish për korba dhe kishte mbetur nëpër llogore, në Grykë të Radikës, atje ku i kishte mbetur tërë ordia. Rapsodi nuk i qesëndis as i lëndon ushtarët e mjerë, që i kishin bërë mish për top. Ai, dhembjen për ta e shpreh përmes gojës së pashait, i cili vajton fatin e vet të zi, por edhe  humbjen e qindëra ushtarëve.

Kjo këngë epike-heroike, përveç forcës mobilizuese, ka edhe një melododi mahnitëse që të rrëmben si një forcë magnetike, duke të mbërthyer në botën e heroikes dhe tragjikës, duke të sjellë në kujtesë dhembjen bashkë me krenarinë, jetën bashkë me vdekjen.

Aziz Ndreu me pietet  të këngëtarit kushrimtar i ka kënduar edhe kryetrimit  të Lumës e të Shqipërisë, luftëtarit të përkushtuar Elez Isufi, i cili “në malet e Lurës dhe të Korabit, fushën e mbushi me shapka të krajlit”.

 

Kjo këngë historike ndër më të fuqishmet të trimërisë i këndon bëmave të dy komandantëve popullorë, Elez Isufi dhe Isuf Xhelili, të cilët me malësorët dibranë e lumjanë u dolën para hordhive serbe e ruse, që po depërtonin nëpër malet e Shqipërisë, me qëllim për ta pushtuar e për ta shfarosur gjatë kohës së Luftërave Ballkanike. Edhe pse ishte një luftë krejt e pabarabartë, lumjanët e dibranët luftuan ashtu sikur spartanët dikur, meqë kishin Elez Isufin e Isuf Xhelilin, kryetrimat popullorë, të cilët shkruan faqe heroizmi e lavdie në luftë kundër barbaroidëve serbë.

Krajli i serbit ka mbetun pa mend,

se në Dibër rend pa rend,  

i kris pushka vend për vend, 

i kris pushka vend për vend, 

bini, mos trima, bini!

i kris pushka vend për vend, 

bini mos trima bini!

Elez Isufi, harusha e Malit

Fort po i vret asqerin e kraljit

Fort po i grin e po ban  kerdi

Nëpër brigjet e Drinit të Zi

Bini,  mor trima, bini!

Nëpër brigjet e Drinit të Zi

Bini po trima bini!

Kur vikati ai Isuf Xhelili,

Po i ban Mamzerja si goj bilbili,

Isuf Xheli na paska thanë,

Ne kësaj Dibres ja lam nji nam,

Bini mor trima bini!

Ne kësaj Dibres ja lam nji nam

Bini mor trima bini!

Burrat e Dibrës e kanë dhanun besën

Per vatanin te tanë do të vdesim,

Se n Stamboll na  ka vajtun fjala

Qe nëntë vjet po luftojmë me krajla

Bini por trima bini!

Qe nëntë vjet po luftojmë me krajla

Bini por trima bini!

Elez Isufi nje burr i Shqipnisë

Prijësi  i Dibrës e i tanë malësisë

N male të Lurës  e në maje të Korabit

Tokën  e nxini me shapkat e serbit

Bini mor trima bini!

Tokën  e nxini me shapkat e serbit

Bini mor trima bini!

Një këngë tjetër e trimërisë  e kënduar nga rapsodi, Aziz Ndreu është edhe kënga e Mahmut Dac Kalisit, këngë tipike ku i këndohet trimërisë shekullore shqiptare. Gjatë këndimit melodia  përshkohet me një ritëm të ngadalësuar për të marrë hov në fundin e çdo strofe, element ky që ndërlidhet me hapërimin historik shqiptar nëpër shekuj. Mahmut Dacin e thërrt pasha, në besë, mirëpo ai nuk i beson pashait, i vetëdijeshëm se mund ta lë edhe kokën. Pranon të shkojë te pashai, për të mos lejuar të krijohet bindja se ishte frikacak, edhe pse e dinte mirë se do të pritej.  Në kohën kur vendos të shkojë te Pasha, ai kërkon djalin, i cili do ta shoqëronte. Përnjëherë lajmërohet Bajram Hasa, mirëpo Mahmut Daci në fillim heziton, i vetëdijshëm se mund të vritet edhe ai, “djal’ ma i miri”, të cilin më me dëshirë nuk do ta merrte me veti, por do ta linte për të trashëguar trimërinë, besën dhe armët e lirisë. Nga vargjet e këngës nuk kuptojmë se Bajrami ishte djali i Muahmut Dacit, por thjesht një djal trim i çetës së tij. Në përshkrimin e këngës ai del të jetë një Bajram Hasa. Në strofën e fundit të këngës, Mahmut Daci, pak para se të vdiste nga plagët, rrëfen se në shtëpi ka lënë edhe tre djem, Zenelin, Selmanin dhe Muratin e vogël. Bijtë i porositë të ja marrin hakun, ndërsa djalit më të vogël t’ia vejnë emrin e babait, Mahmutit.

Kënga është fragmentare dhe nuk jep material të mjaftueshëm për të sqaruar krejt motivin. Megjithatë, nga përmbajtja e pesë strofave të kësaj kënge, të kënduar me përkushtim nga Aziz Ndreu, mësojmë se Mahmut Dac Kalisi i Lumës, ishte prerë në besë nga një pasha, ashtu sikur u prenë në besë “Shtatë shaljanët”, në sajaret e Pashës së Shkodrës,  apo sikur iku kishte prerë koka pabesisht Kolë Gjeçit të Kurbinit, të cilit ia merr kokën sivëllai i tij, dhe ia dërgon Vezirit shqiptar në Shkodër. Kur ai e  kupton se e kishte vrarë vëllamin, urdhëron që t’ i pritet koka, Kolë Gjeçit, meqë kishte  koritur fisin e kombin. Mahmut Dac Kalisi  mallkon tradhtarin Lil Tafa, të cilin e kishte rritur me bukë. Duket se ky farë Lila, për vepra të liga në dëm të bashkëkombësve të vet, ishte graduar në postin e Bimbashit të Pashait dhe kishte marrë pjesë në kurdisjen e planit për ta ftuar te çadrat dhe për ta vrarë  Mahmut Dac Kalisin së bashku me Bajram Hasën.

Ashtu sikur edhe te kënget e tilla të trimërisë, kënga e Mahmut Dac Kalisit shquhet për nga mënyra arkaike e këndimit nga rapsodi emblematik, Aziz Ndreu, shquhet për  ritmin dhe gradacionin e pasur, për qartësinë e këndimit e mbi të gjitha për zërin burrëror me të cilin i përthekon për mrekulli  këngët, rapsodi, Aziz Ndreu.

Kënga e Mahmut Dac Kalisit

Mahmut Dacin po e kërkon Pasha

Po t’  kërkon pasha te çadra!

-Cili djalë po vjen me mue?

Bajram Hasa  thotë  do t vij unë,

-Djalë ma t mirin une se due!

-Kur të shkojmë djem na ke pasha,

-Kur të hyj unë mbren te çadra,

-Kur t’ i ngrej llafet  e nalta,

-Ju t’ i  t i bini çadrës për mbrapa?

Ma vonë në çader pushka krisi,

Kur bërtiti ai Bajram Hasa,

-Bini more djem se s’  jemi cuca!

-Nuk jemi cuca e nuk jemi gra!

-Po jemi burra  për me u vra!

Si bimbash kishte qene Lil’ Tafa

Sa i pa besë qeni kishte qene,

E vraftë buka qi ja kam dhanë,

Flokt e cullve po shkon me i  marrë.

Mahmut Daci shka na paska thanë:

Kam lanë Zenel e kam lanë Selmanin,

At ma t’ voglin e kam lenë Muratin,

Mirrnje gjakun e të m ja çoni,

Mahmut Dac emrit t ja thoni!

Të tilla dhe anologjike janë edhe këngët e Aziz Ndreut kushtuar, Sylejman Markut, Dom Nikollë Kaçorrit, Neshat Qokut, Nazmi Rushitit, kënga Malet e Dibrës,  kënga elegjiake, Vinë pamporat  bregut detit e të tjera.

Rapsodi popullor, Aziz Ndreu e ka siguruar vendin ndër këngëtarët më meritorë të  muzikës rapsodike shqiptare. Ai e shprehu me këngë, aspiratën e pashterrshme për liri të vegjëlisë shqiptare dibrane e lumjane. Me  zërin e tij burrëror, ai bëhet një me armët e pjesëtarëve të të parëve të tij, bëhet një  me  Elez Isuf Ndreun, të cilit i këndon mauzeri si gojë bilbili, bëhet një me trimat që sulmojnë pushtuesin serb nëpër brigjet e Drinit të Zi, duke ua bërë skëterrë jetën, bëhet një me malet e Lurës dhe majat e Korabit, të cilat Isuf Xhelili me trimat e tij e kanë mbushur plot tokën, me shapkat e ushtarëve të krajlit.

Këngët e kënduara nga Aziz Ndreu dhe të mbetura trashëgim për brezat janë margaritarë të papërsëritshëm të folkorit shqiptar, si për nga përmbajtja ashtu edhe nga mënyra autentike e këndimit. www.radiokosovaelire.com

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular